1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sot arrijnë trupat e viktimave të aksidentit në Kroaci

Bekim Shehu
28 Korrik 2021

Të martën në mbrëmje kanë mbërritur në Kosovë 21 të mbijetuar të aksidentit në Kroaci. Disa prej të lënduarve janë kthyer në Gjermani për trajtim mjekësor.

https://p.dw.com/p/3yAw6
Kroatien Slavonski Brod | Busunfall mit 10 Toten
Fotografi: Luka Safundzic/SBonline/AP Photo/picture alliance

Në Kosovë arrijnë të merkurën me (28.07) trupat e pajetë të viktimave që pësuan të dielën në aksidentin me autobus në Sllavonski Brod të Kroacisë. Dhjetë persona, që të gjithë me prejardhje nga Kosova, humbën jetën kur autobusi me 67 pasagjerë i një kompanie po ashtu nga Kosova me të cilin ishin nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Prishtinë, u aksidentua në qytetin kroat Sllavonski Brod. Transporti i viktimave të aksidentit po bëhet përmes Malit të Zi e jo Serbisë, pasi që kjo e fundit nuk e njeh dokumentacionin  e Kosovës për këtë rast.

Kroatien Slavonski Brod | Busunfall mit 10 Toten
Fotografi: Luka Safundzic/SBonline/AP Photo/picture alliance

Mbi 30 të lënduar

Në këtë aksident janë lënduar mbi 30 persona të tjerë. Autoritetet e Kroacisë ndaluan shoferin e autobusit. Të marten ai doli para një gjykate në Kroaci ku ju caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ndërsa të martën në mbrëmje kanë mbërritur në Kosovë 21 të lënduar në këtë aksident të rënd. E disa të tjerë janë kthyer në Gjermani për vazhdim të trajtimit mjekësor, njoftoi ministri i Shëndetësisë së Kosovës Arben Vitia. Sipas tij, 15 pasagjerë të tjerë të lënduar njëri prej tyre rëndë, vazhdojnë trajtimin në spitalin e Sllavonski Brodit, e një pasagjere po trajtohet në një spital të Zagrebit. 21 të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci, në aeroportin e Prishtinës u pritën të martën mbrëma nga familjarët e tyre dhe tre udhëheqësit kryesorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Ndër viktimat edhe një gjerman

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas, ka bërë të ditur se në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci është edhe një gjerman. Sipas tij, ekipet e ministrisë së Jashtme gjermane janë në kontakt me Kosovën dhe Kroacinë për të ndihmuar të mbijetuarit. "Së bashku me miqtë tanë në Kosovë dhe Kroaci ne mbajmë zi për viktimat e aksidentit të tmerrshëm të autobusit. Ekipet tona janë në kontakt të ngushtë për të ndihmuar të mbijetuarit. Në mesin e të vdekurve është edhe një gjerman”, shkroi ndër të tjera Heiko Mass në Twitter.