1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spektrit politik të Tiranës i shtohet një parti e re e majtë

Ani Ruci / Tiranë 5 Shtator 2008

Kjo parti mbështetet në një aleancë të mundshme mes Fatos Nanos, ish-liderit socialist, dhe Ilir Metës, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

https://p.dw.com/p/FC1V
Së shpejti në Shqipëri merr krahë një parti e re e majtë, që u mundëson riciklimin protagonistëve të politikës të mbetur në hije nga futja në lojën politike të protagonistëve të rinj.
Së shpejti në Shqipëri merr krahë një parti e re e majtë, që u mundëson riciklimin protagonistëve të politikës të mbetur në hije nga futja në lojën politike të protagonistëve të rinj.Fotografi: AP

Zgjedhjet parlamentare të verës 2009 po nxisin krijimin e subjekteve të reja politike në Shqipëri dhe riciklimin e protagonistëve të politikës të mbetur në hije nga futja në lojën politike të protagonistëve të rinj. Më i spikaturi mes tyre është padyshim ish-kryeministri dhe ish-lideri socialist Fatos Nano, që u spostua tre vjet më parë nga Edi Rama, i cili u bë kryetar i socialistëve.

Sinjalin e formimit të partisë së re e dha në fillim të kësaj jave Petro Koçi, ish-deputet socialist, aktualisht kryetar i Lëvizjes për Politikë Institucionale, kur u bashkua me grupin parlamentar te Ilir Metës, kryetarit të LSI dhe kontriboi në formimin e një grupimi të ri parlamentar të majtë, që mori emrin " E majta për integrim"

Ajo që thuhet hapur është marrja e vendimit që grupi i sipërpërmendur do të krijojë një parti të re. Ajo që nuk thuhet, por kuptohet qartë është se në të do të marrin pjesë eksponentë të njohur dhe protagonistë të PS-së, tani jashtë loje por me ndikim në elektoratin e majtë, ku në krye qëndron ish-kryeministri dhe ish-kryetari socialist Fatos Nano.

Në publikimn e idesë së formimit të partisë së re Petro Koçi e la qartë të kuptohet se cilët janë ish-protagonistët që mund të bëhen sërish protagonistë. "Grupi i ri parlamentar "E majta për integrim" pas përfaqësimit institucional do të shndërrohet në një subjekt politik elektoral socialist, që është një iniciativë e hapur, për të gjithë ata që reflektojnë në momentin e duhur situatën në vend, për shkak të kapjes që kryeministri Berisha i ka bërë lidershipit të PS, pra Edi Ramës," - tha Petro Koçi.

Në partinë e re , që do të zyrtarizohet brenda nëntorit të sivjetëm dhe që do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare 2009 do të futen të gjithë ata socialistë që ndihen të shpërfillur nga lideri aktual Rama dhe që janë tërhequr nga politika në këto tri vitet e fundit. Ajo që pritet të ndodhë është aleanca mes Ilir Metës së LSI-së dhe ish-kryeministrit dhe ish-liderit socialist Fatos Nano. Asgjë nuk është e pamundur në kombinimet politike, duket se thotë kjo aleancë e ardhshme brenda llojit. Dy rivalët e përbetuar politikë Nano dhe Meta kanë precedentë të kompromiseve dhe bashkëqeverisjes. Të dy tani i bashkon përpjekja për të luftuar Edi Ramën dhe për t'i marrë atij një fitore të mundshme të zgjedhjeve parlamentare të verës 2009.

E çara e madhe mes Edi Rames dhe Ilir Metës filloi kur lideri socialist bashkëpunoi me kryeministrin Berisha në ndryshimet kushtetuese të 21 prillit të kaluar dhe ligjërimit të zgjedhjes së presidentit me shumicë të thjeshtë, gjë që i jep shansin maxhorancës, që do të dalë nga zgjedhjet 2009 të zgjedhë presidentin edhe pa votën e opozitës.