1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinberg: Kosova dhe Serbia të relaksojnë marrëdhëniet

8 Prill 2010

Nënsekretari amerikan i Shtetit Steinberg pohoi se ka parasysh dallimet sa i përket çështjes së statusit, por ato sipas tij mund të bisedojnë për çështje teknike me interes të përbashkët

https://p.dw.com/p/Mqaq
Steinberg me ministrin e Jashtëm britanik, David Miliband dhe atë norvegjez, Jonas Gahr StoreFotografi: AP

Nënsekretari amerikan i Shtetit, James Stainberg, tha në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë për çështje të interesit të përbashkët dhe në këtë mënyrë të relaksojnë marrëdheniet. Këtë deklaratë diplomati amerikan e bëri pas një takimi, që zhvilloi me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaci dhe ministrin e jashtëm Skender Hyseni. Ai tha se është i inkurajuar që Kosova tashmë ka ndërtuar institucionet e saj, të cilat po punojnë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike.

Kosovo Außenminister Skender Hyseni
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender HyseniFotografi: AP

“Jam shumë i inkurajuar për atë çka dëgjova nga presidenti dhe kryeministri për angazhimin e qeverisë për ndërtimin e institucioneve, që punojnë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që në vend të ketë rend dhe ligj dhe të luftohen dukuritë negative. SHBA-ja është mike e Kosovës dhe do të nxisë Bashkimin Evropian të mbështesë Kosovën që të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave ,që do t'i mundësojë qytetarëve të saj depërtimin në BE-së”, tha James Stainberg.

Steinberg: SHBA mbështet të gjitha vendet e rajonit në rrugën drejt Evropës.

“Në po ashtu mbështesim fuqishëm të ardhmen e Serbisë si pjesë e komunitetit evropian dhe po ashtu këtë të ardhme e dëshirojmë për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, që së bashku të ecin përpara”, tha nënsekretari amerikan i shtetit, James Stainberg. Ai tha se është i vetëdijshëm për dallimet, që ka Serbia dhe Kosova për statusin e Kosovës, mirëpo ai u angazhua që Serbia dhe Kosova të gjejnë mënyrë për relaksimin e marrëdhënieve. Këtë mesazh diplomati amerikan tha se ua ka përcjellë edhe krerëve të shtetit serb gjatë vizitës në Beograd.

Fatmir Sejdiu
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.Fotografi: AP

“E theksova se është e rëndësishme, që të provohet të zgjidhen shumë çështje pragmatike dhe të lëvizet shpejt në relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Unë kam parasysh dallimet e thella rreth statusit, mirëpo Serbia dhe Kosova mund të bisedojnë për luftën kundër krimit, korrupsionit, sigurisë dhe të zgjidhin çështjen e doganave”, tha James Stainberg.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, presidenti dhe kryeministri, thanë se Kosova angazhohet për marredhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit. Presidenti Fatmir Sejdiu.

“Kosova angazhohet për një fqinjësi të mirë në radhë të parë me të gjitha vendet e rajonit dhe një dëshirë tonën të shprehur që të kemi relacione të mira me Republikën e Serbisë”, tha Presidenti Fatmir Sejdiu.

Nënsekretari amerikan i shtetit, James Stainberg, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë në orët e mbrëmjes takon edhe udhëheqësit fetarë serbë të Kosovës me një vizitë në manastirin e Gracanicës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica