1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier bën thirrje për mbështetjen e Kosovës dhe qytetarëve të saj

Anila Shuka20 Shkurt 2008

Pas njohjes së Kosovës nga Gjermania, ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer u bëri thirrje deputetëve në Bundestag, që ta mbështesin shtetin e ri dhe implementimin e vlerave demokratike atje.

https://p.dw.com/p/DAMl
Kosova falenderon Gjermaninë për njohjen zyrtare të pavarësisëFotografi: AP

Ministri i punëve të jashtme Frank Valter Steinmeieri ishte i pari që e hapi debatin parlamentar në Bundestag: bëri dy apele: Një të drejtpërdrejtë, drejtuar deputetëve: Që të mbështesin Kosovën dhe njerëzit e saj. Dhe tjetri ishte drejtuar udhëheqjes kosovare, që të mbajë premtimin për t'iu përmbajtur planit të Ahtisaarit, dhe për të mbështetur misionin e ri EULEX. "Këto dy pika do t'i ndjekim me vëmendje tha Shtajnmajeri para parlamentit gjerman.

Ai bëri thirrje për mbështetje të shtetit të ri kosovar: "Duhet të përpiqemi së bashku me të gjitha forcat që të mbështesim Kosovën dhe njerzit e saj dhe të bëjmë më të mirën, që mundemi dhe me e mira eshte te ngremë nje shtet juridik e te implementojme vlerat demokratike, jo vetem në Kosovë por ne te gjithe Ballkanin", tha Shtajnmajer të mërkurën, 20.02. në hapje të një seance të jashtëzakonshme të parlamentit gjerman për Kosovën.

Më parë, në mbledhjen e rregullt të kabinetit, qeveria gjermane kishte marrë vendim, për ta njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Formalisht ky vendim i qeverisë gjermane u shoqërua nga një letër e presidentit Horst Këler (Koehler), e cila që të mërkurën iu dërgua Prishtinës me faks. Origjinali i saj është gjithashtu me korrier rrugës për në kryeqytetin e Kosovës, u bë e ditur nga zëdhënësi i qeverisë.

Në letrën që presidenti Këler drejtuar atij kosovar, Fatmir Sejdiu, këshillohet edhe rifillimi i marrëdhënieve diplomatike. Teknikisht kjo do të thotë, që zyra ndërlidhëse gjermane në Prishtinë do të shndërrohet në ditët e ardhshme në ambasadë, u bë e ditur në Berlin.

Ndërsa presidenti Këler po formulonte letrën për Prishtinë, ambasadori serb në Berlin Ognjen Pribiçeviç ishte duke paketuar valixhet për në Beograd. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Martin Jeger, tha se bën pjesë në "praktikat e zakonshme" të diplomacisë. "Askush nuk ka interes ta izolojë Serbinë dhe ne nuk e kemi këtë synim", tha Jeger më tej. "Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm për shkak të sjelljes së qeverisë serbe," tha ai. Jeger tha se hë për hë nuk ka ngrirje të marrëdhënieve diplomatike mes Serbisë dhe Gjermanisë.

Deputetët e parlamentit gjerman (Bundestag) qendrojnë në përgjithësi mbas vendimit të qeverisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Dyshime ata kanë kryesisht për shkak të bazës juridike të misionit të BE-së, EULEX-it, si dhe kontingjentit gjerman të KFOR-it. Gjermania ka të stacionuar në Kosovë afro 2500 ushtarë. Për një vizitë të papritur në Prishtinë është nisur edhe ministri mbrojtjes Franz Jozef Jung. Mbas takimeve me përfaqësues të Kfor-it gjerman, të bashkësisë ndërkombëtare, si edhe presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi. Më parë në lidhje me situatën në kufirin Serbi-Kosovë ministria e jashtme gjermane i pat thënë Deutsche Welles se gjendja duhet marrë seriozisht, por jo me alarm.

Gjermania do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në kuadër të misionit të EULEX-it, i cili do të merret me ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë. Nga 1829 vetë që parashikohen të dërgohen në Kosovë, 210 janë gjermanë, prej tyre 131 policë. Posti më i lartë i gjermanëve në këtë mision është ai i drejtuesit të shërbimit policor, Rainer Kyn (Reiner Kuehn).