1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeieri përfundon vizitën në Azinë Qëndrore

5 Nëntor 2006

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Steinmeier përfundoi në fundjavë udhëtimin e tij njëjavor në Azinë Qendrore. Në prag të presidencës gjermane në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, ministri i jashtëm gjerman shqyrtoi mundësitë e një strategjie të re të BE përballë këtij rajoni

https://p.dw.com/p/AqoD
Steinmeier në Turkmeni
Steinmeier në TurkmeniFotografi: picture-alliance/ dpa

Në vizitën e tij në pesë shtetet e Azisë Qendrore, ai dëshiron të provojë mundësinë, nëse mund të zhvillohet një strategji gjithëpërfshirëse e Bashkimit Evropian për këtë rajon që bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, pati deklaruar para fillimit të udhëtimit të tij ministri i jashtëm, Frank Valter Steinmeier. Sepse Azija Qendrore konsiderohet si rajon kyç me potencial të madh dhe ndodhet në një fushë të tendosur interesash midis fuqive të mëdha, Kinë dhe Rusi dhe veç kësaj në fqinjësi të drejtpërdrejtë me vatra krize si Afganistani dhe Irani.

Azia Qendrore njollë e bardhë për Europën

Po kaq e çuditshme është që ky rajon deri tani ka mbetur për Evropën një njollë e bardhë. Që të ndryshohet një gjë e tillë do të ishte një nga detyrat më të rëndësishme të presidencës së Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm, tha Steinmeieri edhe në përfundim të udhëtimit të tij në Bishek, kryeqyteti i Kirgizisë:

"Nevoja e një iniciative për Azinë Qendrore nga ana e Bashkimit Evropian nuk më është bërë kurrë më e qartë sa pas këtij udhëtimi. Udhëtimi në një rajon, që në 70 vjet përkatësi tek Bashkimi Sovjetik është shkëputur nga perceptimi i Evropës dhe ndoshta nga ai i botës. Prandaj jam i kënaqur, që e ndërmorëm këtë udhëtim në të pesë shtetet e Azisë Qendrore dhe ku konstatuam se sa të ndryshme janë me të vërtetë këto shtete. Dhe kur them të ndryshëm, kjo nuk ka të bëjë vetëm me parakushtet e natyrshme. Midis tyre ka disa vende, që janë shumë të pasura me burime, të cilat në aspekte thjesht ekonomike nuk do të kishin vështirësi të gjenin rrugën e tyre drejt përparimit ekonomik. Por ndryshime ka edhe aty, ku bëhet fjalë për zhvillim të shtetit juridik, një zhvillim në drejtim të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Këtu mund të konstatosh me të vërtetë ndryshime të mëdha."

Edhe kryetarja e Grupit të Parlamentarëve për Azinë Qendrore, Hedi Hegener, e cila e shoqëroi Shtajnmajerin në udhëtimin e saj, e mbështet vlerësimin e ministrit se për Azinë qendrore nuk mund të ketë një strategji unike:"Besoj, se të gjithë e kemi ndier se këto vende janë shumë të ndryshme nga njeri-tjetri. Megjithëse unë e njoh këtë rajon, në këtë udhëtim më ra në sy se edhe zhvillimet janë të ndryshme. Këto vende kanë përjetuar zhvillime të ndryshme- jo vetëm përsa i përket demokracisë dhe ekonomisë, por edhe përsa i përket zhvillimit të parlamenteve."

Vendet janë të ndryshme!?

Një vëmendje të posaçme Shtajnmajeri i kushtoi edhe gjendjes së vështirë të të drejtave të njeriut në ish- republikat sovjetike të drejtuara në mënyrë autokratike. Veçanërisht në bisedimet me presidentët e Turkmenistanit dhe Uzbekistanit ministri i jashtëm gjerman bëri thirrje për forcim të shtetit juridik. Por më shumë se një gatishmëri për dialog ai megjithatë nuk mundi të konstatojë, tha Shtajnmajeri.