1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stipe Mesic: presidenti i vjetër dhe i ri i Kroacisë

Betina Burkart17 Janar 2005

Koha pas zgjedhjeve është si koha para zgjedhjeve- me fjalë të tjera presidenti i vjetër është edhe presidenti i ri. Për këtë rezultat nuk ke shumë cfarë të thuash. Kroatët vendosën në zgjedhjet e balotazhit me shumicë shumë të qartë votash prej dy të tretash, duke bërë të qartë se janë ndierë të përfaqësuar mirë vitet e fundit nga Stipe Mesici.

https://p.dw.com/p/AquN
Stipe Mesiç mbetet president i Kroacisë
Stipe Mesiç mbetet president i KroacisëFotografi: dpa

Pas fitores së qartë të partisë së ish-presidentit Franjo Tuxhman, HDZ në zgjedhjet parlamentare në dhjetor 2003, shumica e kroatëve me sa duket nuk donte që përveç kryeministrit, edhe presidenti të vinte nga kjo parti. Vërtet që në zgjedhjet e fundjavës shumica e partive të së majtës së moderuar dhe të spektrit të majtë mbështetën së bashku Mesicin, pra me një unitet, të cilin nuk e arriti pala konservatore e djathtë, me gjithsej shtatë kandidatët e saj.

Por që në këtë rast nuk kishim të bënim vetëm me zgjedhje të drejtimit politik, për këtë flet fakti që në anketimet para zgjedhjeve, një numër i madh anëtarësh të HDZ-së deklaruan se do të votonin për Stipe Mesicin dhe jo për kandidaten e partisë së tyre. Kjo mund të ketë të bëjë nga njëra anë me personin e Mesicit, por edhe me faktin se kroatët nuk dëshirojnë sërish një peizazh të tillë politik, që të përcaktohet shumë qartë vetëm nga një kamp politik. Kështu që as karta e patriotizmit që nxori në fund Jadranka Kosor-i nuk eci.

Në përgjithësi, rezultati mund të konsiderohet i mirë për një demokraci të re si ajo e Kroacisë. Megjithë këmbimin e replikave midis qeverisë dhe zyrës presidenciale, të dyja palët bashkëpunuan muajt e fundit shumë mirë në përpjekjet e vendit drejt BE.

Përmbledhtazi mund të thuhet se kishim të bënim me zgjedhje, të cilat nuk japin shkas për analiza të thella politike, por disa vërejtje mund të ishin me vend. Këtu mund të përmendet ligji i zgjedhjeve. Grupi laraman i kandidatëve në raundin e parë tregoi se ka ardhur koha që të mendohen seriozisht kriteret për kandidatët. Mund të jetë shumë demokraci e terrenit kur gati secili që ndihet i përshtatshëm, bëhet kandidat. Por posti i presidentit të vendit është shumë i rëndësishëm, sa fushata elektorale të lejohet të bëhet një shfaqje kabareje, sic ndodhi pjesërisht.

Edhe dicka tjetër tregojnë këto zgjedhje: zgjedhësit duhet të merren seriozisht. Në këtë rast, palët më të rëndësishme nuk organizuan ndonjë fushatë elektorale të ideve, e cila të merret seriozisht. Kështu, as Mesici nuk u përpoq seriozisht t'u bëjë edhe njëherë të qartë zgjedhësve se pse ai është personi i përshtatshëm për një periudhë të dytë në post. As HDZ nuk u përpoq seriozisht të bëjë të qartë se edhe ajo ka shkaqe serioze dhe të mira për të paraqitur një kandidat nga radhët e saj. Një pjesë të zgjedhësve kjo e bëri ose që të mos shkojnë fare të votojnë, ose që të cojnë gati deri në raundin e balotazhit një kandidat që nuk mund ta merrje seriozisht.

Dhe kështu, kroatët vunë para përgjegjësisë sërish Stipe Mesicin. Detyra e tij vitet e ardhshme do të jetë të japë kontribut që Kroacia të bëjë me reforma më të thella të brendshme hapa të tjerë të suksesshëm rrugës për në BE. Ndoshta atëherë ai do të arrinte me të vërtetë të bëhet presidenti, që do të përfaqësojë vendin e tij në ceremoninë e anëtarësimit në BE.