1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO Gipfel Strategie

20 Nëntor 2010

NATO në samitin e saj përgatitet për detyra të reja. Sekretari i përgjitshmën i NATO-s Rasmussen e quan atë në zhargon kompjuterik, NATO-Version 3.0. Cila është përmbajtja e strategjisë së re?

https://p.dw.com/p/QEDq
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen me kryeministrin portugez Socrates dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, LisbonëFotografi: picture alliance/dpa

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen në hapje të samitit nuk u kursye me fjalët e mëdha. "Në Lisbonë po pagëzohet NATO-ja e re", tha ai. Ky samit mund të bëhet një nga më të rëndësishmit në historinë e aleancës, e cila krahas SHBA dhe Kanadasë përfshin 26 vende evropiane. Aleanca e Mbrojtjes miraton një strategji të re, që përbën një vazhdim të strategjisë së vjetër të vitit 1999. Të reja janë krijimi i një mbrojtjeje antiraketore, mundësisht me Rusinë dhe një përqëndrim i fortë kundër piraterisë në internet, si dhe operacionet në mbarë botën.

NATO Generalsekretär Anders Fogh Rasmussen in Lissabon
Paraqet strategjinë e re, Rasmussen në LisbonëFotografi: AP

E re është edhe klima më miqësore ndërmjet fuqisë së padiskutueshme drejtuese të NATO-s, SHBA-së dhe aleatëve evropianë. Interesimi i Presidentit të SHBA-së Barack Obama për partneritet është më i madh se i paraardhësit të tij George W. Bush, i cili e konsideronte NATO-n si "vegël" për arritjen e qëllimeve të veta ushtarake. Sekretari i përgjithshëm danez Rasmussen synon që me strategjinë e re të ridefinojë edhe marrëdhëniet me BE dhe me shumë partnerë në mbarë botën, si OKB-në. Gjithashtu organizata ushtarake duhet të zvogëlohet dhe të bëhet më e lirë. Në strukturat komanduese të NATO-s do të shkurtohen qindra vende. "Na duhen më pak dhjam dhe më shumë muskuj", tha Rasmusen. Se cili vend anëtar duhet të heqë dorë nga cili post, nuk është negociuar ende.

Mbrojtja antiraketore duhet ta bashkojë NATO-n

NATO Gipfeltreffen in Lissabon
Të një mendimi: Presidenti amerikan Obama, presidenti Sarkozi, kancelarja Merkel dhe kryeministri Cameron, Lisbonë (19.11.2010)Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania dhe Franca ranë dakord për një formulë kompromisi për çarmatimin. Kështu frikësimi nuklear nga fuqitë bërthamore të NATO-s, SHBA, Franca dhe Britania e Madhe do të vazhdojë për aq kohë, sa shtetet e tjera të kenë, apo të përpiqen të prodhojnë armë bërthamore. Në të njëjtën kohë NATO i përmbahet objektivit të çarmatimit dhe të një bote pa armë bërthamore në të ardhmen. Kësaj i ka kushtuar rëndësi të posaçme ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Me shqetësim partnerët e NATO-s hetojnë, që senati amerikan mund të ndalojë ratifikimin e traktatit të ri të çarmatimit të negociuar me Rusinë, START. Kjo dobësi e brendshme politike e Presidentit Obama në politikën e brendshme mund të dëmtonte përpjekjet për të lidhur më ngushtë Rusinë me NATO-n. Presidenti i Rusisë, Dmitri Medwedew, i cili pritet të shtunën (20.11.2010) në Lisbonë, ka pohuar, se ai do ta marrë në konsideratë pjesëmarrjen në një sistem antiraketor në Evropë. Mbrojtja antiraketarore në bazë të ideve të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, do të përbëhet nga një sistem prej sistemit tashmë ekzistues të mbrojtjes mobile me raketa me rreze të shkurtër veprimi. Këto sisteme mbrojtëse të tipit "Patriot" i ka edhe Bundesveri. Anders Fogh Rasmussen e sheh mbrojtjen nga raketat një projekt të rëndësishëm, ku NATO dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta, sepse gjenden përballë të njëjtit kërcënim.

Barack Obama und Dmitry Medwedew beim APEC-Gipfel in Japan
NATO dhe Rusia kanë interesa të përbashkëtaFotografi: AP

"Mbrojtja antiraketore do ta bashkojë NATO-n. Duke i afruar bashkëpunim Rusisë, ne kemi një shans për të krijuar një sistem sigurie për të gjithë zonën euroatlantike", tha Rasmussen.

Mbrojtje antiraketore e reduktuar

Me Rusinë po punohet prej shumë kohësh për mbrojtje antiraketore për rreze të shkurtra veprimi. Këto sisteme do të shtrihen kudo. Përveç kësaj do të ketë një sistem të mbrojtjes antiraketarore për Amerikën e Veriut. Nga sistemi antiraketor global, i cili është në gjendje të presë raketa interkontinentale, SHBA dhe NATO janë distancuar. Komponentët përkatës në Poloni dhe Çeki nuk do të ndërtohen më. Mbrojtja antiraketore globale u zhvillua nga Presidenti amerikan Bill Klinton dhe u vazhdua nga pasuesi i tij George W. Bush. Nga testet u kuptua shpejt se sistemi ishte shumë i shtrenjtë dhe relativisht i pasigurtë. Kundër këtij sistemi pati protestuar Rusia, sepse gjoja ai do të kishte pritur edhe armë bërthamore ruse. Sistemi i ri i mbrojtjes antiraketore drejtohet tani kundër 30 shteteve, në radhë të parë Iranit, që zhvillojnë dhe blejnë armë me rreze të mesme veprimi. Turqia e miratoi më së fundi sistemin antiraketor, por pretendon të marrë një post të lartë komandues në sistemin e mbrojtjes antiraketore.

Flash-Galerie NATO Gipfel Portugal Lissabon 2010
Fotografi në grup e kryetarëve të shteteve anëtare të NATO-sFotografi: AP

Lufta virtuale

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, vuri në dukje se aleanca ka ndërkohë rreth 100 000 ushtarë të dislokuar jashtë vendi, që nga Afganistani deri në Kosovë. Në të ardhmen veç ushtarëve prej mishi dhe gjaku do të shtohet edhe lufta virtuale. Një pikërëndesë në strategjinë e re përbën edhe lufta kundër piraterisë në internet. U tha se shoqëritë janë krejtësisht të varura nga komunikimi elektronik dhe interneti. Prandaj mbrojtja e këtyre sistemeve është një detyrë e re për NATO-n. "Cyber-War" po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. NATO do të ngrejë kapacitete të reja në këtë fushë.

Autor: Bernd Riegert/Angjelina Verbica

Redaktion: Eliana Xhani