1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategjia për Veriun e Kosovës drejt zbatimit

15 Mars 2010

Strategjinë për Veriun, qeveria e Kosovës e quan projekt nacional. Grupet e punës për zbatimin e strategjisë për Veriun mund të kenë sukses në punën e tyre, sepse kanë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/MTdk
Integrimi i Veriut të Kosovës - detyrë e vështirë
Integrimi i Veriut të Kosovës - detyrë e vështirë

Janë formuar grupet e punës për integrimin e Veriut

Qeveria e Kosovës kërkon nga të gjitha faktorët relevantë në Kosovë që të ndihmojnë në zbatimin e strategjisë për integrimin e Veriut të Kosovës, në mënyrë që edhe në këtë pjesë të shtrihet autoriteti i institucioneve të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi këtë strategji e quan projekt nacional ku, sipas tij, duhet të përfshihen edhe opozita dhe shoqëria civile. Qeveria tashmë ka formuar grupet e punës, që do të angazhohen në katër fusha të cilësuara të rëndësisë së veçantë. Grupi për sundimin e ligjit, ai për formimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore si dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në tri komuna të veriut, Zvecan, Zubin Potok dhe Leposaviq si dhe grupi që do të punojë në planin socioekonomik.

“Presim përkrahje të fuqishme për implementimin e këtij projekti, një projekt ky integrues, i shpresës, i besimit të qytetarëve edhe në Veri, por edhe i shtrirjes së autoritetit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës në të gjithë territorin e vendit”, thotë kryeministri Thaçi.

Strategjia e qeverisë mbështetet edhe nga partitë politike opozitare. Megjithatë ato ndihen të anashkaluara nga qeveria, e cila sipas tyre, pos deklarimeve nëpër media, nuk i ka ftuar ata zyrtarisht që të jenë pjesë e punës së grupeve të punës. Kështu shprehet Naim Maloku, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë.

“Ne e mbështesim dhe e përkrahim strategjinë, por nuk kemi marrë ndonjë ftesë konkrete. Nuk dimë kujt t'i drejtohemi, kush i udhëheq ato grupe, si janë formuar. Pra, është dashur të kemi një ftesë. Në grupe të shkojnë përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dhe aty të ndahen përgjegjësitë”, thotë Naim Maloku.

Opozita kërkon përfshirje në diskutime

Edhe kryetari i grupit parlamentar të partisë opozitare Aleanca për Kosovën e Re, Ibrahim Makolli, thotë se qeveria duhet ta diskutojë strategjinë me opozitën, sepse në të kundërtën ai thotë se partia e tij nuk dëshiron që të jetë vetëm dekor në grupet e punës.

“Nuk jemi të gatshëm që të jemi vetëm dekor dhe të plotësojmë numrat në çfarëdo lloj grupi. Angazhimi ynë është dhe do të jetë në zbatimin e detyrave, të cilat ne i marrim përsipër, mirëpo përderisa nuk e kemi të ofruar strategjinë në vetëm mund të flasim kot”, thotë Ibrahim Makolli. Zyrtarë të qeverisë nga ana e tyre thonë se ekzekutivi i ka hapur dyert për bashkëpunim, ndërsa deklarimet e opozitës i quan më shumë marketing politik, sesa gatishmëri serioze të tyre për t'u përfshirë në punë.

Mbështetja ndërkombëtare do të ndihmojë integrimin

Analistët e pavarur nga ana e tyre shprehen optimist se strategjia për integrimin e Veriut të Kosovës mund të zbatohet, sepse tashmë e ka edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, pavarësisht nga kundërshtimi i Beogradit. Ramush Tahiri, analist i pavarur thotë se strukturat paralele serbe në Veri kanë ndihmën e Beogradit, por ato mund të kthehen nga institucionet e Kosovës.

“KUINT-i, përfaqësuesit në Kosovë të vendeve më të industrializuara, patën deklaruar se Kosova është shtet unik dhe integriteti i Kosovës nuk vihet në pikëpyetje. Në Veri kemi strukturat paralele që kanë ndihmën e Serbisë por, megjithatë, janë struktura të qytetarëve lokalë. Kjo strategji nuk ka alternativë tjetër, është në të mirë në rend të parë të qytetarëve serbë, siguron mirëqenien e qytetarëve serbë dhe siguron inkuadrimin e tyre në strukturat e Kosovës”, thotë Ramush Tahiri.

Sidoqoftë, grupet punuese për implementimin e strategjisë integruese për Veriun e Kosovës akoma nuk kanë nisur punën në teren. Kjo sipas qeverisë pritet të ndodhë së shpejti dhe hapi i parë do të jetë formimi i komunës më shumicë serbe në veri të Mitrovicës. Data e zgjedhjeve akoma nuk është caktuar por, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, kjo do të ndodhë në pranverë të këtij viti.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi