1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strukurat paralele çështje politike që kërkon zgjidhje

18 Shkurt 2010

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Fitzgerald, tha se strukurat paralele në Kosovë përbëjnë kërcënim për situatën e sigurisë. Ai tha se forcat paqëruajtëse janë të gatshme të veprojnë në çfarëdo situate.

https://p.dw.com/p/M4wg
KFOR, nuk do të përdorë forcën për shpërbërjen e strukturave paralele në Kosovë.
KFOR nuk do të përdorë forcën për shpërbërjen e strukturave paralele në Kosovë.Fotografi: AP

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Fitzgerald, erdhi në Kosovë për të parë nga afër përmbylljen e fazës së parë të reduktimit të forcave paqerujatëse. I angazhuar që të menaxhojë tërë procesin e reduktimit të KFOR-it, në fazën e parë që u përmbyll në fillim të këtij muaji, ishte komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Markus Bentler.

10 mijë ushtarët do të qëndrojnë ende

Të dy ushtarakët e lartë të NATO-s, thanë në një konferencë për media se prej dhjetë mijë, numri i trupave të KFOR-it që ndodhen aktualisht në Kosovë do të mbetet edhe për një kohë, derisa Aleanca Veriatlantike të konstatojë, se situata e sigurisë ka shënuar përmirësime të mëtejme për të vazhduar më pas me zvogëlimin e trupave. “Ne do të vazhdojmë të analizojmë situatën e sigurisë bazuar në rrethanat dhe kushtet, në të cilat do të kalojë vendi. Dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se reduktimet eventuale të mëtejme do të bazohen vetëm mbi një analizë të mirëfilltë të situatës së sigurisë,” tha admirali Mark Fitzgerald.

KFOR Soldaten.jpg
Fotografi: Refki Alija

Institucionet kosovare do të marrin më shumë përgjegjësi

Ai tha se forcat paqerujatëse në muajt e ardhshëm do të vazhdojnë të bartin shumë përgjegjësi tek institucionet kosovare të sigurisë, siç janë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës. “Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, deri sa ajo të arrijë kapacitetet e plota për t`u përgjigjur në kriza të ndryshme. Kjo forcë do të angazhohet në deminimet, në ndihma mjekësore, në operacionet e shpëtimit në katastrofat natyrore, siç ishte rasti më Shqipërinë. Bartja e përgjegjësive do të ndodhë edhe tek policia e Kosovës, sa i përket ruatjes së objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat deri tash janë ruajtur nga KFOR-i,” tha admirali Mark Fitzgerald.

Strukturat paralele kërcënim për situatën e sigurisë

Institucionet e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, tashmë kanë hartuar një strategji për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, banuar me shumicë serbe. Strategjia ka për qëllim integrimin e kësaj pjese dhe rrjedhimisht edhe shuarjen e strukturave paralele serbe. Forcat paqeruajtëse nuk janë të përfshira në këtë strategji, mirëpo komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Fitzgerald, tha se strukturat paralele gjithmonë janë kërcënim për situatën e sigurisë. “Çdo strukturë paralele është kërcënim të situatën e sigurisë dhe ambientin e qetë. Kjo natyrisht nuk është në të mirë të Kosovës dhe këtë nuk e dëshirojnë as forcat paqerjatëse. Sa i përket këtyre strukturave paralele unë nuk mund të them se ne si KFOR, nuk do të përdorim forcën për shpërbërjen e tyre, sepse kjo është më shumë çështje politike, që kërkon zgjidhje. Mirëpo ne jemi këtu duke vëzhguar dhe nëse kërcënohet situata e sigurisë në atë shkallë që të nevojitet ndërhyrja jonë, atëherë ne jemi të gatshëm të veprojmë,” tha admirali Mark Fitzgerald

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama