1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Nuk duam karrige pushteti, duam dije të jetojmë në vend"

18 Dhjetor 2018

Vazhdojnë protestat e studentëve në Tiranë. Tani ata kërkojnë që opozita të kthehet në Parlament për një Ligj të ri Arsimit të Lartë. 

https://p.dw.com/p/3AISQ
Studenten protestieren in Tirana Albanien
Fotografi: DW/A. Ruci

Protesta e studentëve të Universitetit Publik të Tiranës hyri të martën (18.12.) në javën e saj të tretë me bojkot total të auditoreve. Shirat dhe ftohja e motit, që nisën të hënën nuk po i mbrapsin studentët që të vazhdojnë protestën e tyre para Kryeministrisë, të bllokojnë për disa orë trafikun e automjeteve në nyje kyҫe të Tiranës. Java e tretë e protestës shënon edhe një fazë të re të saj:  braktisjen e gjithe auditoreve, pjesëmarrjen e gjithë studentëve në protestë. 

Autonomia e Universitetit dështoi. Pedagogët humbën klientët e tyre

Silvi Dollani, studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, thotë për DW se protestës së tyre nuk u janë bashkuar në mënyrë masive pedagogë, dekanë apo edhe rektorë. „Ku janë ata? A i përgjigjen dot pyetjes pse auditoret janë bosh? Nuk duam të studiojmë më në auditore pa kushtet normale, në biblioteka dhe labaratorë me sipërfaqje 4 metra katrorë ku ka literaturë dhe instrumenta të 60 viteve më parë. Braktisja e auditoreve është një klithmë për pedagogët, dekanët, rektorët, qeverinë dhe opozitën. Nuk na bashkohen në protestë, se na kanë parë si klientë të biznesit të tyre ilegal, e shndërruan universitetin në vjelje parash nga studentët jo dhënie të dijes për  jetesën. 

Silvi Dollani shpreh shqetësimin e studentëve për mungesën e perspektivës, megjithë praninë në sallat e universiteteve. "Çdo ditë në universitet ne pyesim vehten: Mos po humbim kohën kot se në auditore dhe laboratorë nuk po na mësojnë asgjë? Ka dështuar autonomia e universitetit dhe ligji për arsimin e lartë. Nuk dua të largohem nga Shqipëria për të studiuar. Dua të qëndroj në vendin tim. Shqipëria po ndryshon, kjo protestë është shenjë e ndryshimit. Dua të jem pjesë e ndryshimit. Po e sjellim ndryshimin- jemi lider të protestës sonë”.

Studenten protestieren in Tirana Albanien
Silvi DollaniFotografi: DW/A. Ruci

Lider i protestës - Media sociale

Proteta e studentëve vazhdon në javën e saj të tretë pa emra drejtuesish. Lider të saj janë vetë studentët. Ata komunikojnë me njëri-tjetrin përmes medias sociale dhe teknologjisë së informacionit dhe vendosin sesi do të jetë dita e protestës. Po në kaosin potencial që mund të shkaktojë mungesa e drejtuesve, studentët kanë të qartë që protesta e tyre nuk ka kërkesa politike. 

“Nuk duam karrige pushteti. Duam dije. Opozita kërkon ta përdorë protestën tonë për qëllimet e veta. Le të kthehet më mirë në parlament, le të marrë në dorë Ligjin e falimentuar të Arsimit të lartë dhe  të punojë që ai të zëvendësohet me një ligj të ri, që të riparojë gjithë shkatërrimin e arsimit të lartë që ligji ekzistues ka sjellë” thotë për Dë, Silvi Dollani.

Ajo  bën pjesë në atë grup të madh të studentëve protestues që nuk pranojnë të dialogojnë me kryeministrin Rama.“Kryeministri Rama ka pranuar që kërkesat tona janë të drejta. Ne nuk jemi ekspertë financash publike, as dimë sesi drejtohet shteti. Kërkesat tona janë të qarta: duam kushte normale studimi dhe jetese në konvikte. Duam dije dhe jo të jemi pjesë e biznesit dhe korrupsionit  në universitet“, thekson Silvi Dollani.

Hapet rruga drejt dialogut me kryeministrin Rama

Studenten protestieren in Tirana Albanien
Don PjetriFotografi: DW/A. Ruci

Por rrugën e dialogut me kryeministrin Rama e kanë hapur në mbrëmjen e të hënës studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Gjeologjisë. Që nga mbrëmja e djeshme në rrjetet  sociale qarkullon një video, ku të dyja palët flasin për situatën dhe nga duhet të fillojë ndryshimi.Vetë Kryeministri Rama bën me dije në median sociale se takimi është zhvilluar. “Patëm një bashkëbisedim të dobishëm për dialogun. Mësova gjëra të reja prej tyre. Ndofta edhe ata e kuptuan se ku e kam hallin, neser vazhdojmë “bën me dije Rama. Këmbëngulja e kryeministrit Rama për rikthimin e vlerave univesitare, përtej plotësimit të kushteve të studimit dhe jetesës në konvikte ka hasur në një kundërshtim të fortë të studentëve protestues, që refuzojnë dialogun me kryeministrin Rama.

Greva e urisë- opsion i protestuesve

Dy javët e protestës u kanë sjellë studentëve disa fitore: protesta i ka bërë skanerin sistemit  të kalbur të arsimit të lartë në Shqipëri. Skaneri tregon se sa keq ky sistem është brejtur nga korrupsioni, nepotizmi, paaftësia për t’u dhënë studentëve dije për jetën dhe tregun e punës. Skaneri tregon neglizhencën ndaj rinisë, kushteve të mësimit në auditore dhe jetesës në konvikte të rinisë studentore per rreth 3 dekada. Protesta ia doli të heqë tarifën për provimet e mbartura, përgjysmoi atë të studimit, bëri që të miratohet fondi për ristrukturimin e konvikteve në qytetin „Studenti”. 

Por kërkesa që shpenzimet për arsimin e lartë  të jenë në masën e 5% të Prodhimit të Brendshëm Brutto është e papranueshme dhe e papërballueshme për qeverinë. Opsioni i grevës së urisë vazhdon të qëndrojë në strategjinë e protestës pa lider të studentëve. Don Pjetri, student në Fakultetin re Inxhinjerisë Mekanike, në Universitetin Politeknik të Tiranës, thotë për Dë: “Do kalojmë në grevë urie. Mos të na detyrojë kryeministri të shkojmë drejt grevës së urisë, kërkojmë plotësimin e kërkesave tona. Do të qëndrojmë këtu nesër, pasnesër, deri në fund të dhjetorit, do ta rinisim në janar, shkurt deri sa qeveria të plotësojë kërkesat tona. Pastaj flasim me kryeministrin për kthimin e vlerave universitare”.


 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana