1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmi i gjashtë brenda dy javësh në Turqi

Ulrih Pik13 Shtator 2006

Shtatë të vdekur në Dijarbakir në juglindje të Turqisë pas shpërthimit të një bombe

https://p.dw.com/p/Aqoa
Pamje nga vendi i ngjarjes
Pamje nga vendi i ngjarjesFotografi: AP

Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:00 sipas orës lokale në një stacion autobuzi në hyrjen kryesore të parkut të lojrave Kosujolu. Forca e shpërthimit ishte aq e madhe, sa disa viktima u bënë copë dhe pasojat e shpërthimit janë ndjerë deri në disa qindra metra përreth. Shumica e viktimave dhe e të plagosurve janë fëmijë. Të plagosurit u dërguan menjëherë në klinikën universitare më të afërt.

Parku Kosujolu në lagjen Baglart, e banuar kryesisht prej kurdëve në qytetin milionësh të Dijarbakirit, konsiderohet si një pikë e preferuar takimi për familjarët. Ky park është inaguruar në vitin 2002, pasi u shfuqizua gjendja e jashtëzakonshme në juglindje të Turqisë. Autoritetet turke deri tani kanë qenë të rezervuara me të dhënat lidhur me shkaqet e shpërthimit.

Shpërthimi në Dijarbakir është sulmi i gjashtë me bombë brenda dy javëve të fundit. Fillimisht u kryen pesë atentate në Stamboll si dhe në zonat turistike në jugperëndim të vendit, si pasojë gjetën vdekjen tre vetë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën, ndër ta edhe dhjetë britanikë dhe tre gjermanë. Një javë më vonë nga shpërthimi i një bombe pako në afërsi të Vanit në juglindje gjetën vdekjen tre policë.

Grupi ekstremist "fajkojtë e lirisë së Kurdistanit" ka marrë mbi vete përgjegjësinë për sulmet në Anadoll në Mesdhe dhe në Marmaris në brigjet e detit Egje. Ky grup është një fraksion i shkëputur prej Partisë Kurde të Punëtorëve dhe në shkresën e tij ai kërcënon me sulme të mëtejshme. Të hënën (11.09) partia prokurde e Shoqërisë Demokratike i bëri thirrje partisë Kurde të Punëtorëve që të ulë armët. Në luftën civile mes forcave turke të rendit dhe ekstremistëve kurdë qysh nga viti 1984 në juglindje të Turqisë kanë gjetur vdekjen rreth 35.000 vetë.