1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Surprizë në Bagdad

Jörg Kaminski13 Qershor 2006

Presidenti amerikan Georg Bush zhvilloi të martën një vizitë surprizë në Irak. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Bushi dëshironte të njihte personalisht kryeministrin e ri irakian Nuri Al-Maliki dhe t'i sinjalizonte qeverisë së re iraniane mbështetjen e tij.

https://p.dw.com/p/ArLG
Fotografi: AP

Fillimisht ishte deklaruar se Bushi do të zhvillonte të martën me kryeministrin e ri irakian al-Maliki një videokonferencë, kur papritur presidenti amerikan u shfaq vetë në Bagdad. Ky njoftim ishte bërë me sa duket për ta maskuar vizitën e Bushit në Irak.

"Good to see you" - sa mirë që po ju shoh, me këto fjalë e përshëndeti al-Maliki presidentin amerikan për vizitën e të cilit kishte marrë vesh vetëm pesë minuta para takimit. Për vizitën e tij në Irak nuk dinin as shumica e anëtarëve të kabinetit të tij me të cilët ai kishte diskutuar para nisjes për gjendjen në Irak.

Në përfundim të takimit të tij me al-Malikin Bushi tha:

"Së bashku me kryeministrin dhe kabinetin e tij dhe me anëtarë të kabinetit tim diskutuam për strategjinë që do të jetë e nevojshme në mënyrë që vendi t'u përgjigjet nevojave të qytetarëve të tij. Në këtë mes bëjnë pjesë strategjia e sigurisë, e ekonomisë dhe e rindërtimit. E gjitha kjo më duket shumë e arsyeshme. Për mua ishte e rëndësishme që të vija personalisht për t'ju thënë se Amerika e mban fjalën."

Megjithë temat për të cilat foli Bushi politika e sigurisë duket se është qartë në plan të parë. Gjashtë ditë pas vdekjes së terroristit të Al Kaidës Al-Sarkavi amerikanët dhe irakianët duan të sigurojnë se lufta e përbashkët kundër dhunës në vend po shkon përpara.

Për këtë arsye duke filluar nga data 14 qershor një kontigjent prej 40.000 apo 70.000 vetësh, një numër ky i paparë deri më sot, do të bëjnë për disa ditë me radhë bastisje nëpër Bagdad duke krehur çdo cep të qytetit. Se për sa kohë do të vazhdojë ky aksion që ka si qëllim vendosjen e qetësisë në kryeqytet nuk mund të thuhet me saktësi.

Temë tjetër e diskutimeve të Bushit me Al-Malikin ishte çështja e tërheqjes së mundshme të trupave amerikane nga Iraku. Qeveria e re irakiane ka theksuar disa herë se do të jetë së shpejti në gjendje që ta drejtojë vendin edhe pa praninë e trupave ndërkombëtare. Këshillitari kombëtar për çështjet e sigurisë, Mufak al-Rubbai sqaroi se: "Deri në fund të vitit të ardhshëm nga vendi do të jenë tërhequr shumica e trupave multinacionale, deri në mes të vitit 2008 nuk do të shihet thuajse asnjë prej tyre as në qytete as nëpër fshatra."

Para nisjes për në Bagdad Bushi deklaroi se në shenjestër të SHBA-ve janë edhe terroristë të tjerë pasues të al-Sarkavit. Sikurse presidenti amerikan edhe al-Maliki është përkrahës i një politike të dorës së fortë. Por ky i fundit mezi arriti që ta bindte paralamentin të miratonte të enjten e kaluar ministrin për sigurinë.