1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Synime për 2007-ën

Monika Dittrich8 Janar 2007

Pas takimit të fillimvitit të Partisë Socialdemokrate në Bremen

https://p.dw.com/p/Aqy5
Stema e Partisë Socialdemokrate Gjermane
Stema e Partisë Socialdemokrate Gjermane

Partia Socialdemokrate ka shumë sunime të mira për vitin 2007. Ajo do të bëhet përsëri ca më sociale, të krijojë një profil më të qartë brenda koalicionit dhe të dalë më në fund nga vlerat e dobëta të sondazheve në publik. Tregu i punës dhe politika kundrejt familjes: këto janë dy fushat ku duan të shquhen në të ardhmen socialdemokratët. Sipas vullnetit të tyre, duke filluar nga viti 2010 do të ekzistojë e drejta ligjore për përkujdesje të plotë ditore për çdo fëmijë që nga mbushur një vit. Një plan i kushtueshëm ky, por ja që duhen vendosur prioritete, thotë kryetari i Partisë Socialdemokrate Kurt Beck:

"Natyrisht, uroj që landet dhe komunat financiarisht të dobëta të ndihmohen nga federata. Ne gjykojmë që për sa i takon financimit hapësirat nuk duhen shfrytëzuar për rritjen me tetë apo dhjetë euro të mbështetjes së familjeve për fëmijët, por për tu investuar në oferta të tilla përkujdesjeje."

Më parë kryesia e partisë kishte miratuar strategjitë e reja për tregun e punës. Partia Socialdemokrate planifikon t'i mbështesë me avantazhe fiskale të papunët për një kohë të gjatë dhe njerëzit që fitojnë pak. Sipas këtij përfytyrimi, ai që pranon një punë të paguar keq nuk do të paguaj taksa nëse të ardhurat nuk i kalojnë 750 eurot në muaj. "Bonus për Punën" e quan Partia Socialdemokrate këtë model page të kombinuar. Në fund të fundit ka më shumë kuptim të financosh punën sesa papunësinë, thotë partia. Kjo shkon edhe me imazhin e individit që kanë soacialdemokratët, thotë kryetari i partisë:

"Ky është imazhi ynë; ai ka si pikënisje njeriun. Jo duke e mbuluar atë me pekule, por duke pasur besim tek ai. Këtu të fortët dhe të aftët do të vlerësohen veçanërisht, në të njëjtën kohë do të garantohet që njerëzit nuk do të lihen buzë rruge por do të ndihmohen."

Kryesia e partisë miratoi në Bremen gjithashtu projektprogramin bazë. Ide kryesore e programit të ri është i ashtuquajturi shtet social. Kryebashkiaku i Bremenit Jens Böhrnsen shpjegon konceptin që fshihet pas këtij programi:

"Kjo do të thotë që ne nuk jemi ndërmarrje riparimi për problemet e shoqërisë. Kur ato kanë lindur, atëherë jemi edhe e tillë, por në radhë të parë nga ne kërkohet që probleme të tilla të mos lindin. Nga ne kërkohet një politike e pjesëmarrjes dhe e shanseve të barabarta, dhe që të garantojmë një jetë të përcaktuar vetë nga individi."

Pra shteti social parandalues duhet të shmangë përpara se të lindin rreziqe si varfëria dhe papunësia; për shmebull nëpërmjet ofertave për shkollim gjatë gjithë jetës. Përveç kësaj, në planin afatgjatë Partia Socialdemokrate do ta financojë shtetin social më shumë me anë të taksave dhe në masë më të vogël përmes tatimit të punës jo të pavarur.