1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna gjinore në Kosovën e luftës

Aida Cama
30 Nëntor 2018

Të mbijetuarit e dhunës gjinore në Kosovën e luftës kërkojnë të njihen si objektiva të pastrimit etnik. Profesorja Anna di Lellio flet për DW mbi studimin e fundit për viktimat e dhunës gjinore gjatë luftës në Kosovë.

https://p.dw.com/p/39Akh
Kunstinstallation Thinking of You zum Gedenken an Opfer sexueller Gewalt im Kosovo-Krieg
Thinking of you- Artistja Alketa Xhafa Mripa me instalacionin e 5000 teshave të nderura në stadiumin e Prishtinës, 2015Fotografi: AFP/Getty Images

Ishte viti 2016 kur në një nga kampet e azilkërkuesve në Berlin një grua ishte përpjekur të hidhej nga dritarja. Punonjësja sociale e mori rastin në dorë dhe mësoi se gruaja ishte nga Kosova. Gruaja kishte ardhur në Gjermani së bashku me të shoqin dhe një fëmijë. Punonjësja sociale mësoi se gruaja i kishte mbijetuar një dhunimi gjinor në Kosovë gjatë luftës, së bashku me të motrën. E motra kishte vrarë veten. Gruaja u dërgua në një nga qendrat në Berlin, ku disa gra nga Kosova, me përvoja të ngjashme trajtohen nga punonjës të specializuar.

Kjo është një nga historitë, që tregon se si vuajnë shumë gra që përjetuan dhunimin gjinor në Kosovë gjatë luftës dhe si e zgjidhën ose nuk e zgjidhën mënyrën për të jetuar me të.

Strategjia as heshtje, as dalje hapur

Në të njëjtin vit, më 2016, Anna di Lellio, profesoreshë në Universitetin e Nju Jorkut, shkruajti një artikull me titull: Duke kërkuar drejtësi për të mbijetuarit e dhunimeve gjinore në periudhën e luftës në Kosovë. "Grupet e organizuara të grave dhe Kosova jozyrtare e trajtoi në mënyra të ndryshme dhunën gjinore të luftës, ato ndoqën një strategji që nuk ishte as heshtje as dalje hapur”, shkruante ajo.

Prof. Anna Di Lellio
Prof. Anna Di LellioFotografi: privat

Të gjithë e dinin çfarë kishte ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Dhunimet gjinore kishin filluar që në vitet nëntëdhjetë, kur KMLDNJ pati mbledhur shumë herët dëshmi për dhjetëra raste. Gjatë narrativës së luftës, njerëzit flisnin hapur për dhunimet gjinore, por për të flitej në përgjithësi, si një nga gjërat që ndodhin zakonisht në luftë. Institucionet e Kosovës, si UNMIK ashtu edhe qeveria e Kosovës, i lanë gratë vetëm, si ato që i kishin mbijetuar dhunës ashtu edhe ato që ishin aktive në kërkimin e të drejtësisë për to. Sevdije Ahmeti, shkoi tek UNMIK-u me evidencat e 37 rasteve të dokumentuara, me shpresën se do të merrte ndihmën e duhur, por rastet u futën në sirtaret e zyrave të UNMIK-ut dhe kurrkush nuk u morr me to. Vetëm organizatat e grave vazhduan mbështetjen për të mbijetuarat e dhunës gjinore. Për ato që kërkuan ndihmë, në një nga katër qendrat e specializuara të Kosovës.

Luftimi i paragjykimeve institucionale

Protestmarsch Be My Voice zum Gedenken an Opfer sexueller Gewalt im Kosovo-Krieg
Be My Voice- Në mbështetje të grave që i kanë mbijetuar dhunës seksualeFotografi: AFP/Getty Images/A. Nimani

Mbështetja institucionale filloi në Kosovë kur gratë aktiviste kërkuan mbështetjen e Atifete Jahjagës, në atë kohë presidente e Kosovës, e cila e ktheu çështjen në kauzë të saj dhe punon me të edhe sot.

Në një kontekst më të gjërë, rrjetet e grave në vende të ndryshme të botës punuan që dhunimet gjinore në luftë, të njihen si krime nga Gjykata Ndërkombëtare, e cila për herë të parë në vitin 2014, njohu në procesin e zhvilluar kundër gjeneralit serb, që kryesoi forcat serbe në Kosovë, gjeneralit Nebosha Pavkovic, se ai "duhet të kishte pasur dijeni që forcat e tij përdornin dhunimet gjinore si armë në luftë, sepse ushtria i raportonte, por ai nuk ndërhyri për t'i ndaluar ato”. Që nga ky moment, dhunimet gjinore në luftë pranohen nga Gjykata Ndërkombëtare, si krim, krim kundër njerëzimit dhe në disa raste si genocid. Kjo u vjen në ndihmë grave të Bosnjës, Kosovës, Ruandës dhe miliona grave sot, që përdoren në luftërat e botës si objekte sulmi gjinor. "Rasti i Kosovës, shkruan Anna di Lellio, tregon se lobimi i rrjeteve të grave është shumë i pazëvendësueshëm për drejtësinë ndërkombëtare”.

20 deri 50 mijë gra mendohet të kenë përjetuar dhunë gjinore në Kosovë dhe Bosnjë. Për fat të keq, të dhëna qendrore ku të jenë mbledhur të gjitha rastet nuk ekzistojnë. Vetëm grupe grash të organizuara kanë të dhënat që kanë mbledhur në punën e tyre prej disa dekadash. Një nga to është Medica në Gjakovë. Me disa nga të dhënat e kësaj qendre kanë punuar Mirlinda Sada, Garentina Kraja dhe Anna di Lellio, për të bërë një studim që është publikuar pak ditë më parë.

Dhunimet gjinore janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Në studimin e tyre ato janë bazuar në 280 raste, 278 raste grash dhe 2 raste burrash, që kanë përjetuar dhunë gjinore, pjesë e historisë së luftës së Kosovës nga marsi 1998 deri qershor 1999.

"Ne kemi këto 280 raste dhe informacionet përkatëse. Ne jemi në gjendje të tregojmë se këta persona janë dhunuar saktësisht në të njëjtat vende dhe në të njëjtat data, që kanë ndodhur edhe vrasje masive. Kështu ne kemi tani një imazh të qartë, ku shihet vrasja e disa dhjetëra, deri disa qindra burrave, dhe numër i njëjtë dhunimesh gjinore, shihet djegie shtëpish dhe dëbime masive. Kjo është pamja e qartë e një pastrimi etnik, ku shkatërrohen shtëpitë, ndahen burrat nga gratë, vriten burrat, dhunohen gratë, dhunohen burrat.” Kështu e përshkruan për Deutsche Wellen, Anna di Lellio përfundimin e studimit, që sjell evidenca të reja të pastrimit etnik.

Thinking of You
Fotografi: AFP/Getty Images

"Ato janë dhunuar sepse ishin me origjinë shqiptare. Ajo që policia, ushtria dhe paramilitarët serbë u bënë shqiptarëve gjatë luftës ishte pastrim etnik dhe dhunim gjinor si instrument i strategjisë së tyre të luftës", thotë Anna di Lellio. "Dhunimet gjinore të bëra nga forcat serbe të sigurisë janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.” 

Për të dhunuarit e luftës, lufta nuk ka marrë fund. "Dhe nuk do të marrë fund kurrë, sa kohë që ata të jetojnë,” thotë Anna di Lellio. "Por ne mund t' i ndihmojmë ata duke e ditur çfarë kanë hequr dhe duke i mbështetur. Kjo është ajo, për të cilën ata kanë nevojë.