1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të mirët janë në burg, kurse të këqinjtë janë jashtë"

Stefan Ozsvath23 Tetor 2006

Fëmijët e pjesëmarrësve të revoltës në Hungari në vitin 1956 kujtojnë...

https://p.dw.com/p/Ar9u
Kryengritja popullore e vitit 1956 në Hungari
Kryengritja popullore e vitit 1956 në HungariFotografi: AP

Më 23 Tetor të vitit 1956 forcat e sigurimit hapën zjarr në Budapest ndaj studentëve që u shpallën në mbështetje të demonstruesve antisovjetikë në Poloni. Si pasojë qindra mijë hungarezë dolën spontanisht në demonstrata. Më 4 Nëntor tanket sovjetike u futën në kryeqytetin hungarez dhe shtypën me dhunë lëvizjen protestuese. Pas kësaj pasoi akti i hakmarrjes së Moskës dhe udhëheqësit hungarez Janosh Kadar. Më shumë se 200 vetë u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, 13 mijë njerëz u internuan, dhjetra mijëra vetëve iu bënë prapaskena, kryengritësit u quajtën "tradhëtarë". Si e kanë përjetuar humbësit vitin 1956 dhe pasojat e tij? Instituti i kërkimit të 1956-ës në Budapest ka intervistuar fëmijët e kryengritësve të cilat janë botuar tani si libër.

Vjeshtë e vitit 1956, 13 ditë që mbajnë në ankth të gjithë botën. Hungaria e vogël i kundërvihet vëllait të saj të madh në Moskë. Te rinj sulmojnë tanket ruse me koktej-molotov, por kryengritja shtypet me forcë. Rregjimi i Kadarit fillon një fushatë hakmarrjeje: më shumë se 200 vetë ekzekutohen, 13 mijë të tjerë internohen, ndërsa dhjetëra mijëra vetë ndiqen nga policia. Si ka ndikuar humbja e 1956 në familjet e kryengritësve? Këtë donte të dinte sociologia Zhuzhana Kërëshi nga instituti i 1956-ës në Budapest. Ajo intervistoi 50 pasardhës.

Zhuzhana Kërëshi: "Ata kanë parë tanke, ata kujtojnë të kenë qenë më 23 Tetor përpara godinës së parlamentit. Ose thjesht për atë që klima kishte ndryshuar, që babai ishte më rradhë në shtëpi ose që më shumë njerëz vinin për vizitë dhe që ata ishin të shqetësuar. Disa kanë parë edhe armë. Pjesë e kujtimeve janë edhe me sa kujdes perkujtohej babai ose revolucioni."

Fëmijët tregojnë se si baballarët u futën në burgje, për takimin e fundit me babanë e tyre, për burgun, për dënimin me vdekje, për luftën e përditshme për mbijetesë të mamave. Tregime për diçka të largët, për babain e idealizuar. Tregime për fushatën hakmarrëse të rregjimit të Kadarit: një ndër tre bashkëshortet e kryengritësve u largua nga puna. Të afërmit nuk merrnin as pension si jetim as si të veja. E ardhmja e këtyre njerëzve ishte e shkatërruar.

Zhuzhana Kërëshi: "Kush kërkonte të studionte në vitet 1957, 1958 nuk lejohej. Ata duhet të punonin si punëtorë krahu. Por edhe në punë kishte dredhira dhe presion. Dikush shkonte në mëngjez në fabrikë të punonte, por pasdite vinte sekretari i partisë dhe njoftonte se nuk mund të vazhdonte më. Mund të ishte shumë i mirë në punë por kjo nuk kishte vlerë. Ai nuk paguhej njësoj si të tjerët dhe nuk mund të avanconte në profesion."

Për shumë familje viti 1956 ishte viti i rënies sociale. Për më tepër fitimtarët e shkruan historinë ndryshe. Baballarët u cilësuan si "tradhëtarë" nga propoganda e Kadarit, luftëtarët e lirisë u quajtën "kundërrevolucionarë". Fëmijët u rritën në një ambient armiqësor për ta. Si e kanë përjetuar ata këtë?

"Në qoftë se mamatë ishin komunikuese dhe të ndjeshme ato edhe mund ta përpunonin humbjen. Ato mund të arrinin një zëvendësim të pjesshëm. Kështu edhe fëmijëve mund t´iu lehtësohej drama. Ata mund të thonin "Babai im është një hero, pavarësisht se çfarë thotë ambjenti përreth që i cilësonte si kriminelë". Për këta fëmijë ishte më e lehtë nëse mamatë i merrnin më vete kur shkonin në burg për vizitë. Një i intervistuar thotë se i ndan njerëzit në të mirë dhe në të ligj. Të mirët ishin në burg, kurse të ligjtë ishin jashtë. Ata që besonin atë që thoshte propaganda se 1956 ishte një kundërrevolucion dhe se baballarët e tyre ishin tradhëtarë dhe krminelë, e kanë edhe sot e kësaj dite të vështirë."

Disa nuk donin t´ i hapnin fare plagët e së kaluarës, tregon Kërëshi. Për shumë prej tyre ishte e pamundur të vajtonin deri para kthesës, pasi ata nuk e dinin se ku ishin varrosur baballarët e tyre të vdekur. "Për të përpunuar këtë traumë është shumë e vështirë. Por një gjë është e sigurtë se ky process mund të lehëtsohet duke folur dhe duke kujtuar."

Intervistat me fëmijët e kryengritësve të vitit 1956 ruhen në arkivin e historisë vokale të Institutit të 1956-ës në Budapest. Zhuzhana Kërëshi i ka përmbledhur ato në formën e një libri që është përkthyer ndërkohë edhe në gjermanisht.

(Kërëshi, Zhuzhana/Molnar, Adrienne: Të jetosh me një të fshehtë. - Historia e fëmjëve të të dënuarve të vitit 1956. Gabriele Schäfer - Verlag, 2005)