1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të punosh me një opozitë të fortë - Merkel pas rizgjedhjes në shënjestër të kritikave

29 Tetor 2009

Urimet për kancelaren Angela Merkel nuk zgjatën shumë. Menjëherë pas rizgjedhjes ajo korri shumë kritika nga opozita, për stilin e saj drejtues.

https://p.dw.com/p/KIRe
Kancelarja Angela Merkel në Bundestag më 28 tetor 2009, përpara fillimit të seancës për zgjedhjen e kancelares.
Kancelarja Angela Merkel në Bundestag më 28 tetor 2009, përpara fillimit të seancës për zgjedhjen e kancelares.Fotografi: AP

"Në më ndihmoftë Zoti!" - Një fjali që Angela Merkel do ta shqiptonte për herë të dytë në fund të betimit të saj para presidentit të parlamentit gjerman.

Dy orë më parë kishte përfunduar procesi i votimit dhe Norbert Lammert, kryetari i Bundestagut kishte prezantuar rezultatin: "612 vota janë dorëzuar, asnjë e pavlefshme 323 me anëtarë të parlamentit kanë votuar pro, 285 kundër, dhe katër kanë abstenuar".

Një rezultat jo shumë i kënaqshëm, sepse sipas përllogaritjes, nëntë anëtarë të koalicionit qeverisës nuk ia dhanë votën 55-vjeçares me origjinë nga Gjermania Lindore dhe konfesion protestant.

Mbasdite Merkel prezantoi para deputetëve dhe qeverinë e re të koalicionit të qendrës së djathtë. 15 ministra janë anëtarë të saj, 7 kristiandemokratë, 5 liberalë dhe 3 kristiansocialë. Qeveria nisi menjëherë nga puna qysh të mërkurën, por vetëm më 10 nëntor, Merkel do të dalë për herë të parë para deputetëve për të dhënë deklaratën e zakonshme zyrtare për punën e saj në katër vitet e ardhshme. Një fakt ky që i ka zemëruar anëtarët e opozitës: "Kjo do të thotë se deri atëherë për politikën e jashtme të qeverisë gjermane do të diskutohet në Bruksel dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është e drejtë, ne si opozitë në parlament kemi të drejtë të sqarohemi për ato pika që nuk janë sqaruar në marrëveshjen e koalicionit dhe të mësojmë se deri ku shkon udhëtimi", u ankua ish-ministri i jashtëm, sot kryetar i grupit parlamentar të socialdemokratëve Frank Walter Steinmeier, në një konferencë shtypi, vetëm disa minuta pasi e kishte uruar ish shefen e tij për rizgjedhjen e saj.

Nga takimi i kancelares Angela Merkel me presidentin francez Nicolas Sarkozy në Elysee Palace, në mbrëmjen e 28 tetorit 2009 në Paris
Nga takimi i kancelares Angela Merkel me presidentin francez Nicolas Sarkozy në Elysee Palace, në mbrëmjen e 28 tetorit 2009 në ParisFotografi: dpa

Merkel u nis më pas për në Paris për t'u takuar (28.10.) me presidentin Nikola Sarkozy e më pas vazhdoi rrugën për në Bruksel, ku merr pjesë (29.10) në samitin e Bashkimit Evropian. Në fillim të javës së ardhshme, kancelarja e rizgjedhur do të vazhdojë udhëtimin për në Uashington.

Oskar Lafontaine dhe Gregor Gysi drejtues të partisë "E Majta"
Oskar Lafontaine dhe Gregor Gysi drejtues të partisë "E Majta"Fotografi: dpa

Kritikës së socialdmeokratëve i bashkangjiten edhe "Të Gjelbrit" dhe "E Majta"

Por edhe Gregor Gysi, kryetari i grupit parlamentar tëpartisë "E Majta", nuk i kurseu fjalët kritikuese ndaj kancelares së porsazgjedhur: "Zonja Merkel është në gjendje të ndërmjetësojë por jo të qeverisë. Asaj i mungon vullneti për të marrë vendime. Marrëveshja e koalicionit e dëshmon gjithashtu se mungon kurajoja dhe vullneti për drejtësi tatimore. Parashikohet ulja e tatimeve, por jo rritja për shtresat që fitojnë mirë. Kjo do ta rrisë edhe më shumë përçarjen sociale", thotë Gysi.

Këto kritika të opozitës i dhanë kancelares përshtypjen e parë se si është të punosh me një opozitë të fortë. Sepse, megjithë mosmarrëveshjet mes tyre, tri partitë opozitare e kanë një gjë të përbashkët: Ato të gjitha i përkasin kampit të majtë. E kjo është një risi për kancelaren Merkel.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora