1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të shmanget rutina e historizimit - Dita përkujtimore e Holokaustit

Heinz Dylong26 Janar 2007

27 janari është "dita e përkujtimit të viktimave të nacionalsocializmit". Këtë e proklamoi si ditë përkujtimore në vitin 1996 ish-presidenti Roman Hercog. Me 27 janarin ai zgjodhi pikërisht ditën e çlirimit në vitin 1945 të kampit të përqëndrimit Aushvic. Kjo është një ditë kujtimi dhe paralajëmrimi për të shmangur rezikun e historizimit rutinë.

https://p.dw.com/p/Aqxo
Dita përkujtimore e viktimave të nacionalsocializmit
Dita përkujtimore e viktimave të nacionalsocializmitFotografi: AP

Gati 62 vjet kanë kaluar qysh nga fundi i diktaturës së nacionalsocializmit, ose për ta formuluar ndryshe, përpara 62 vjetësh në Evropë iu dha fund luftës, marrëzisë racore dhe vrasjeve masive. Gjermania nacionalsocialiste u mund, kampet e përqëndrimit u çliruan, vendet e pushtuara më parë mundën që të nisnin të ardhmen me përgjegjësinë e tyre.

Ajo që pasoi në Gjermaninë (Perëndim) ishte një sukses i pamenduar ekonomik dhe një konfrontim relativisht i hapur me të shkuarën e afërt, proces ky që gjithësesi nisi ngadalë. Për këtë u zhvillua një luftë këmbëngulëse intelektuale dhe rezultati është i prekshëm: as që mund të mendohen relativizimet e Holokaustit - përgënjshtrimi i tij ndiqet penalisht - nuk ka asnjë dyshim në fajin vetëm të Gjermanisë për luftën dhe është i padiskutueshëm karakteri kriminal i regjimit nacionalsocialist. Mendimi i përhapur publik është në përputhje të plotë me provat e qarta shkencore.

E hapur megjithatë ka mbetur, nëse kjo mund të jetë një imunizim i qëndrueshëm, aq më tepër që numri i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të kohës po zvogëlohet nga dita në ditë. Faza e diktaturës nacionalsocialiste kësisoj gjithnjë e më shumë po kthehet në një pjesë thjeshtë të së shkuarës, madje ajo po historizohet, gjë që e lehtëson relativizimin. Këtij reziku mund t´i kundërvihesh me ditën zyrtare përkujtimore të Holokaustit. Sepse natyrisht që përkujtimi i vazhdueshëm është një paralajmërim i vazhdueshëm, që mban të zgjuar vetëdijen mbi rolin çnjerëzor të regjimit nacionalsocialist.

Padyshim që një gjë e tillë është e nevojshme. Sukseset e partive ekstremiste të djathta në zgjedhjet parlamentare të disa landeve e provojnë këtë. Kjo nuk është vetëm një kërkesë në adresë të shtetit dhe të politikës, ajo drejtohet më shumë ndaj qytetarëve si individë, prej të cilëve pritet kurajo civile, nëse p.sh. ata hasin parrulla ksenofobie.

Nëqoftëse duhet që dita përkujtimore e Holokaustit të mund të japë një kontribut produktiv, atëherë kjo arrihet vetëm, nëse ajo nuk ngurtësohet në një ritual të thjeshtë. Vitin e kaluar Bundestagu pati një seancë të qëlluar. Përzierja mes kontakteve me rininë dhe reflektimi analitik - këtë vit do të mbajë fjalim në Bundestag shkrimtari hungarez, nobelist në letërsi dhe i mbijetuar i Holokaustit Imre Kertezh - e kjo është rruga e duhur.

Por natyrisht që ditët përkujtimore nuk janë të mjaftueshme për t´u bërë ballë formulave të rëndomta dhe dritëshkurtra të ekstremistëve të djathtë. Tek e fundit kjo pritet nga çdo qytetar në ambjentin e tij privat. Por mbështetja përmes përkujtimit zyrtar mund të jetë e dobishme në këtë drejtim.