1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të vdekur dhe të plagosur pas një sulmi me bombë në Indonezi

Deutsche Welle31 Dhjetor 2005

Presidenti i Indonezisë, Judhojono udhëron hetimin e atentatit

https://p.dw.com/p/AqrX
Atentate të vazhdueshme në Indonezi
Atentate të vazhdueshme në IndoneziFotografi: AP

Si pasojë e një sulmi me bombë në ishullin e Indonezisë Sulavezi të shtunën (31.12) gjetën vdekjen të paktën shtatë vetë dhe mbi 40 të tjerë u plagosën. Një bombë e improvizuar me zara dhe gozhda shpërtheu të shtunën në mëngjes në një treg mjaft të frekuentuar kryesisht prej të krishterëve në kryeqytetin e provincës, Palu.

Dëshmitarët okularë thonë, se dëgjuan një krismë shurdhuese. Më pas disa viktima u gjetën pranë stendave të tregut në qytezën Palu. Duket se destinacion i hedhjes së bombës ishte stenda e një kasapi që shiste mish derri, të cilin besimtarë myslimanë deshën t'a evitojnë për arësye fetare.

Mbi 40 vetë janë plagosur pjesërisht në gjendje të rëndë. Në televizionin e Indonezisë u shfaqën pamje tronditëse, që tregonin të plagosurit e përgjakur duke i ngarkuar npër makina të çdo lloji për t´i dërguar nëpër spitale. Sipas të dhënave të policsë bomba ishte mbushur me zara metalikë dhe me gozhdë. Lagja e qytetit ku ndodhi atentati është e populuar kryesisht prej të krishterëve.

Ishulli Sulavezi prej vitesh ka qenë epiqendër e konflikteve me bazë fetare. Palu është kryeqyteti i provincës. Indonezia banohet kryesisht nga popullsi myslimane, por në qendër të provincës Sulavezi është pothuajse i barabartë numri i popullsisë myslimane me atë të krishterë. Qysh në ditët e Krishtlindjeve autoritetet e rendit kanë vendosur kontrolle të ashpra. Veçanërisht nëpër kisha janë vendosur edhe roje. Në tetor në këtë rajon iu pre koka tri vajzave, nxënëse shkolle. Edhe për sulmin në ditën e fundit të vitit bëhen përgjegjës ekstremistët islamistë. Gjatë konflikteve midis të krishterëve dhe myslimanëve në Sulavezi kanë gjetur vdekjen të paktën 2000 vetë. Ndonëse është vendosur një marrëveshje paqeje, muajt e fundit ka pasur herë pas here konflikte. Presidenti i Indonezisë, Jodhojono, ka dhënë urdhër për hetimin e këtij atentati. Shumica e vëzhguesve, mendojnë, se sulmi ka pasur shkaqe rajonale dhe nuk ka lidhje me atentatet e mëparshme ndaj turistëve perëndimorë në Indonezi.