1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestag Afghanistan

17 Dhjetor 2010

Qeveria gjermane paraqiti për të parën herë këtë javë një raport të hollësishëm për Afganistanin. Ministri i jashtëm Guido Westerwelle (FDP) i shpjegoi dje rezultatet në një deklaratë qeveritare.

https://p.dw.com/p/QdJ8
Ministri i jashtëm Guido Westerwelle dhe kancelarja Angela Merkel në parlament.Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i jashtëm Guido Westerwelle u mundua ta shmangte përshtypjen e zbukurimit të gjendjes. Raporti i qeverisë gjermane për Afganistanin nuk kursen asgjë, është i ndershëm dhe realist, tha ai.

"Nuk duam të zbukurojmë asgjë. Njoftime për goditje prapësuese ka ende tepër shumë. Ka korrupsion dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur parregullsi. Megjithatë, është shenjë inkurajuese, që afganët nuk kanë reshtur së ndjekuri rastet e manipulimit zgjedhor."

Përparim në shumë fusha

"Raport progresi" e quan qeveria gjermane dokumentin 108-faqësh, i cili duhet t'iu shërbejë deputetëve si bazë informacioni para zgjatjes së mandatit në janar. Si përparim e vlerëson ministri i Jashtëm përgatitjen e shpejtë të forcave afgane të sigurisë, ndërtimin e shkollave, të rrugëve dhe të urave. Në sektorë të tjerë qeveria gjermane i ka ulur pritjet e veta, për shembull te tema e mirëqeverisjes.

"Mirëqeverisja mbetet një parametër i duhur, por po të jemi realistë, në të ardhmen e afërt në Afganistan është e arritshme vetëm një 'mirëqeverisje e mjaftueshme'".

Ushtarët gjermanë nuk janë "punëtorë në uniforma të ndihmës për zhvillim", ky imazh nuk ka qenë asnjëherë i saktë, tha Westerwelle në deklaratën e tij qeveritare. Ata, shtoi ai, gjenden në betejë në Afganistan, në një betejë, që nuk duhet të zgjasë pambarimisht. Ministri i Jashtëm u përcaktua, se tërheqja do të fillojë në fund të vitit të ardhshëm. Në 2014-ën do t'ua dorëzojmë përgjegjësinë për sigurinë plotësisht afganëve, atëherë nuk do të ketë më trupa luftarake gjermane në mision në Hindukush, tha ministri.

E Majta mbetet skeptike

Ky formulim zgjoi vëmendjen e parlamentarit të fraksionit të Majtë Jan van Aken."Kjo është taktikë mjegullimi! Sepse do të thotë, që në vend qëndrokan ushtarë të tjerë gjermanë. Ju nuk doni të dilni tërësisht nga Afganistani!"

Edhe socialdemokratët kërkojnë qartësi në lidhje me datën e tërheqjes. Opozita përshëndeti faktin, që për të parën herë qeveria paraqiti një raport të plotë mbi gjendjen në Afganistan, por asaj i mungon analiza autokritike e angazhimit gjerman. Pjesa dërrmuese e opozitës nuk iu bashkua as vlerësimit të ministrit të jashtëm, se sivjet u arrit kthesa në Afganistan.

Autor: Nina Werkhäuser / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi