1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim i Shefit të politikës së jashtme të BE me kryeministrin serb Koshtunica

Viron Gjymshana23 Mars 2004

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana pohoi sot në Bruksel se ngjarjet e fundit në Kosovë dëshmojnë se të drejtat e pakicave atje nuk respektohen.

https://p.dw.com/p/AqvS
Havier Solana, shefi i diplomacisë evropiane
Havier Solana, shefi i diplomacisë evropianeFotografi: AP


Solana theksoi se ne jemi të detyruar të
mendojmë se çfarë duhet të ndërmarrim, çfarë
mënyra të tjera duhet të gjejmë për ta
ndryshuar këtë gjendje. Këto deklarata të
përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së
u bënë menjëherë pas takimit që ai zhvilloi me
kryeministrin serb Vojsllav Koshtunica. Nga ana
e tij ky i fundit u shpreh se nuk ka ardhur
ende koha për zgjidhjen e statusit të Kosovës
dhe se ai është kundër ndarjes apo copëzimit të
Kosovës, por në favor të një autonomie për
popullsinë serbe që jeton atje.
Si Solana ashtu edhe Koshtunica pohuan sot se
njëra nga çështjet më të rëndësishme që ata
diskutuan së bashku ishin situata në Kosovë pas
ngjarjeve të fundit atje. Shefi i politikës
europiane theksoi me këtë rast se gjatë vizitës
së tij të nesërme në Kosovë do të përpiqet të
gjejë mundësitë e rifillimit të dialogut
ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim që
të rifitohet besimi i ndërsjelltë si dhe të
rivihen në vend vlerat themelore të politikës
së BE-së atje, siç është e drejta e
minoriteteve për të jetuar të sigurta dhe të
lira. Për këto arsye ngjarjet që kemi përjetuar
këto ditë nuk duhet të përsëriten më – theksoi
Solana. Ai shtoi se është fakt që të drejtat e
pakicës serbe në Kosovë nuk janë të siguruara.
Prandaj duhet të mendojmë se çfarë duhet të
ndërmarrim për ta ndryshuar këtë gjendje.
Gjithmonë kemi kërkuar që pakicat që jetojnë në
Kosovë ta ndjejnë veten të lirë dhe të sigurtë.
Dhe në rast se kjo nuk arrihet atëhere jemi të
detyruar të shohim se si mund ta arrijmë këtë
qëllim me mënyra të tjera… – deklaroi shefi i
diplomacisë europiane.

Nga ana e tij kryeministri serb Koshtunica e
vuri theksin në nevojën e gjetjes së një një
zgjidhjeje politike që të sigurojë të drejtat e
të gjithëve, siç mund të jetë decentralizimit i
pushtetit në Kosovë si njëra nga mundësitë që
do të garantonte të drejtat e popullsisë serbe
atje.

Koshtunica deklaroi se ai nuk mund të jetë
kurrsesi i kënaqur me situatën në Kosovë ku po
vriten serbët dhe po u digjen pronat si dhe po
shkatërrohen kishat dhe manastiret e tyre. Në
prani të Solanës ai madje paralajmëroi se çdo
përpjekje për të minimizuar atë që ka ngjarë
këto ditë në Kosovë nuk është e ndershme.

Por gjuha diplomatike dhe properëndimore e
Koshtunicës u bë edhe më e ashpër kur ai iu
përgjigj në serbisht pyetjes së një gazetari të
agjencisë « Beta ». Ai krahasoi ngjarjet e 17 –
18 marsit në Kosovë me ato të 11 shtatorit në
Nju Jork dhe 11 marsit në Madrid. Por
diversioni i Koshtunicës nuk u kuptua nga një
pjesë e madhe e gazetarëve europianë, por po
ashtu edhe nga Solana, për shkak të mungesës së
përkthimit në anglisht. Prandaj më shumë se
Solanës, dukej se retorika e Koshtunicës i
drejtohej kësaj rradhe nga Brukseli opinionit
publik serb.

Duke u ndalur gjithmonë në situatën në Kosovë
Koshtunica shtoi se qeveria serbe mendon se
tani nuk është koha e përshtatshme për të
biseduar për statusin final të Kosovës, siç
është po ashtu kundër çdo lloj ndarjeje apo
copëtimi të Kosovës. Por po flasim për një lloj
autonomie që do të ndihmonte mbijetesën e
serbëve atje, - deklaroi në selinë e Këshillit
të Ministrave të Bashkimit Europian
kryeministri serb.