1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim mbarëfetarë i nivelit të lartë në Moskë

Hermann Krause4 Korrik 2006

150 përfaqësues kryesorë të fesë së krishterë, të judaizimit, fesë islame dhe buduzimit janë mbledhur që prej së hënës në Moskë për të diskutuar tri ditë me radhë për problemet e botës dhe rolin e feve. Ky takimi, deri më sot i vetmi i llojit të vet, realizohet me nismën e patriarkut të fesë ortodokse ruse Alekseji i II.

https://p.dw.com/p/AqpN
Fotografi: AP

Mbi njëqind përfaqësues të feve më të mëdha të botës janë mbledhur në Moskë në një takim të nivelit të lartë të fesë. Por Kremlini nuk i ka thirrur përfaqësuesit e fesë që të luten dhe të falen bashkarisht, por u ka vënë përpara një detyrë. Përfaqësuesit e mbledhur në hotelin e presidentit në Moskë, duhet të përgatisin një rezolutë në prag të takimit të nivelit të lartë të G-8 në Shën Peterburg.

"Terrorizimi dhe ekstremizimi, ksenofobia dhe toleranca janë temat me të cilat po merremi. Ç'mund të bëjnë fetë për të zgjidhur tensionet ekzistuese. Të gjitha fetë kanë një bazë të përbashkët, prandaj mesazhi ynë duhet të ketë karakter etiko-moral dhe nuk duhet të jetë një deklaratë politike." - shpjegon metropoliti Kyril, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë të patrikanës së Moskës.

Por përfaqësuesit e fesë duhet të përmbushin edhe një mision politik. Përpara takimit të G-8 në St. Peterburg ata dëshirojnë të demonstrojnë, që presidenti rus përpiqet për dialogun ndërfetar. Gjatë periudhës komuniste të Bshkimit Sovjetik besimtarët përndiqeshin, kurse sot ata duhet të ndihmojnë për paqen dhe mirëqënien e Rusisë së re.

Ftesa për këtë takim u bë prej këshillit ndërfetar të Rusisë, në të cilin bëjnë pjesë përveç kishës ortodokse ruse edhe budistë, myslimanë dhe herbrenj.

Aser Alijev, një ndër përfaqësuesuesit kryesorë të muslimanëve rusë, thotë:

"Në fenë islame ka një mësim themelor, pikërisht rregulla sjelljeje kundrejt kulturave të tjera, p.sh. respekti kur hyn në një manastir. Detyra kryesore e edukimit është që të krijojë një shtëpi të përbashkët për të gjitha fetë."

Terroristët çeçenë që aksionet e tyre terroriste i justifikojnë me kuranin, nuk kanë mundur të fitojnë deri më sot asnjë përkrahës nga radhët e rreth 20 milionë myslimanëve që jetojnë në Rusi. Pikërisht për shkak të këtij numri Kremlini është mjaft i interesuar për raporte të balancuara me shtetet islamike fqinjë.

Diferencat me fetë e tjera, p.sh. me kishën katolike, nuk janë temë e takimit, por përzgjedhja e të ftuarve ishte peshuar mirë.

"Papës nuk i drejtuam ftesë personale. Vizita e Papës do të ishte diçka e jashtëzakonshme dhe lidhja e një vizite të tillë me një ngjarje tjetër historike, pra me këtë takim të nivelit të lartë të feve të botës, nuk do të ishte një gje e drejtë." - sqaron metropiliti Kiril.

Edhe një personalitet tjetër nuk merr pjesë në takim, Dalai Lama. Edhe atij nuk i ishte dërguar ftesë personale, sepse organizatorët mendonin, se Ministria ruse e Punëve të Jashtme nuk do t'i jepte vizë nisur prej reagimeve të mundshme të palës kineze.

Nga Vatikani në këtë takim merr pjesë një delegacion kardinalësh, i cili viziton për herë të parë Moskën ortodokse. Pas shugurimit si papë të Bendektit të 16-të marrëdhëniet mes kishës ortodokse ruse dhe Vatikanit janë përmirësuar. Në shumë pika, si p.sh. refuzimi i homoseksualitetit apo i abordeve të dyja kishat janë të një mendimi. Në këtë pikë ato do të gjejnë mbështetje edhe prej palës muslimane.
Në takim merr pjesë edhe kryetari i kishave protestante të Gjermanisë, peshkopi Wolfgang Huber. Gjithsesi mund të thuhet se takimi dominohet prej përfaqësuesve konservatorë të feve.

Dorën e tij mbrojtëse ndaj këtij takimi nuk e ka shtrirë vetëm Zoti apo Allahu, por edhe Vladimir Putini. Ky i fundit e di shumë mirë se sa e rëndësishme është feja në një vend si Rusia.