1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi i kancelares Merkel me Dalai Lamën

23 Shtator 2007

Pritja që iu bë të dielën (23.09) në zyrën e kancelarisë në Berlin kreut shpirtëror të tibetianëve, Dalai Lama, dhe reagimi i Pekinit është një temë mjaft e komentuar në shtypin e sotëm të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/Bil6
Kancelarja Angela Merkel dhe kreu shpirtëror i tibetianëve, Dalai LamaFotografi: AP

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "Reagimi nga Pekini erdhi i menjëhershëm, por nisur nga irritimi neurotik i udhëheqjes kineze, kur është fjala për Tibetin, ky reagim ishte kësaj here disi i frenuar. Një takim mbi "dialogun për shtetin ligjor" u anullua. (...) Nëse Pekini është i interesuar për marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike, ky interes do t´i bëjë ballë krizës së vogël aktuale. Ndonëse ekonomia gjermane u tregua e shqetësuar për shkak të këtij takimi (...): Në perandorinë e mesit politika konsiderohet si "hapje e portës" për tregtinë dhe bashkëpunimin. Por edhe ekonomia në thelb ecën më mirë, nëse Kina biznesin e vet nuk e vë në varësi të koniukturave të politikës, por mbi bazën e shtyllave solide të avantazheve reciproke. Marrëdhëniet e tregut tek e fundit orientohen, ashtu siç e dimë prej Adam Smithit, jo sipas qejfit, por sipas interesit vetiak."

Në gazetën e Bonit "General Anzeiger" lexojmë: "Përgjegjësia sistematike për të drejtat e njeriut mbizotëron në koalicionin e madh të kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve duke kontrastuar me periudhën e Helmut Kohlit dhe atë të Gerhard Schrëder-it. Ky zhvillim kish mbetur pasdore në Bashkimin Evropian. Rezervimi i shumë vendeve antare ndaj qëndrimit aktiv për të drejtat e njeriut ka të bëjë shumë me faktin, se Pekini konsiderohet vetëm si një partner biznesi i një tregu me rritje të shpejtë dhe ekspandues. Këto vende, të çliruar prej skrupujve, i ofrohen Kinës si një partneri joproblematik dhe të bindur. Ai që vepron në këtë mënyrë, nuk mund të mbrojë me guxim rrespektimin e të drejtave të njeriut."


Për komentatorin e "Heilbroner Stimme": "Kancelarja Angela Merkel bën mirë, që nuk përulet ndaj kërcënimeve që vijnë prej Kinës. Ajo u kundërvihet kërkesave të vendit komunist, për të ndaluar udhëtimin e Dalai Lamës. Eshtë një qëndrim normal, që të bisedosh për të drejtat e njeriut me udhëheqësin shpirtëror të tibetianëve. Shumë keq që qeveritë e mëparshme e kanë refuzuar këtë takim duke i shërbyer Pekinit. Nëse ndokush kërkon me guxim një qëndrim korrekt mes popujve, vetëm nëse nuk i rezikohen interesat e veta ekonomike, nuk mund të merret seriozisht në politikën e jashtme."

Qëndrimin e kancelares Merkel e vlerëson pozitivisht edhe e përditshmja "Augsburger Allgemeine": "Angela Merkel meriton respekt, që nuk u shqetësua prej britmave të Pekinit dhe e priti Dalai Lamën. Nuk mund të jetë e udhës që kancelarja partnerin e bisedimeve ta takonte vetëm në Lindjen e largët. Për më tepër, që kemi të bëjmë me një figurë bashkëkohore që lufton për paqen. Edhe pse tani u shty një biznes miliardash, ky është çmimi që duhet paguar, nëse i jep vlerë angazhimit për lirinë."

Së fundi edhe një citat nga komenti i së përditshmes "Frankfurter Rundschau": "Vlerësimi për Dalain Lamën në Gjermani s´është i panjohur për Pekinin, pavarësisht nga takimi me kancelaren Merkel. Aq më shumë peshë fiton fakti, që kancelarja nuk iu shmang simbolikës së këtij takimi. Edhe pse në Kinë ndihet fryma e të qenit i ofenduar, nga pala gjermane duhet t´u kushtohet rëndësi dy elemntëve: qartësisë dhe bashkëpunimit. Eshtë nderuese për qeverinë, që vepron ndryshe nga Pekini dhe nga kancelarët e mëparshëm. Kështu duhet të vazhdohet, sepse oportunizmi është gjithnjë shenjë e dobësisë."