Talibanët kanë një makinë propagande shumë efektive
25 Korrik 2008Rezistenca ndaj qeverisë kombëtare dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë te populli afgan ka gjasa të jetë në rritje, thekson raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili argumenton se lufta e propagandës të talibanëve po bëhet gjithnjë e më shumë e sofistikuar dhe më efektive në Afganistan.
Nik Grono, zëvendëspresident i Grupit Ndërkombëtar të Krizave tha: "Talibanët kanë një makinë shumë efektive propagande dhe ajo po bën një punë shumë të mirë në përcjelljen e mesazhit të saj te populli afgan përmes llojeve të ndryshme të mediave, prej DVD-ve, kasetave të radios dhe pamfleteve. Dhe po i përdor këto mënyra për ta portretizuar veten si një organizatë shumë efektive, ndoshta edhe më efektive se ç'është në të vërtetë."
Mesazhet e talibanëve po gjejnë më shumë jehonë se përpara
GNK argumenton se mesazhet e talibanëve po gjejnë më shumë jehonë se gjenin përpara, meqenëse ankesat te afganët e zakonshëm janë shtuar edhe më tej. Niko Grono: "Kemi të bëjmë me ankesa legjitime të popullit afgan. Çështje si bombardime nga ana e forcave të koalicionit, kërkimet dhe hyrjet në shtëpitë e afganëve, lënë përshtypje shumë të këqia te afganët, të cilët i kundërshtojnë depërtimet e të huajve. Çështje si Guantanamo luajnë një rol shumë të keq në Afganistan, sepse krijohen shqetësime për trajtimin e afganëve, kështu që talibanët mbështeten në këto cështje dhe i shfrytëzojnë ato në mënyrë shumë efektive."
GNK kërkon ndryshim sinjifikativ të politikës së qeverisë afgane
Raporti analizon gjithashtu edhe punën e qeverisë afgane dhe të forcave ndërkombëtare të sigurisë në tregimin e versionit të tyre të ngjarjeve. Krahasuar me depërtimin e talibanëve, Grupi Ndërkombëtar i Krizave mendon se këtu ka shumë punë për të bërë. Nuk është vetëm një çështje e të luftuarit të propagandës me propagandë, por kërkohet një ndryshim signifikativ i politikës: "Natyrisht që nuk është vetëm çështja e mesazhit, por bëhet fjalër për trajtimin e ankesave legjitime dhe korrupsionin në qeverinë e Afganistanit, për rolin shumë destruktiv të Pakistanit në Afganistan, të gjitha këto janë çështje substanciale."
Raporti thotë më tej se talibanët kanë një faqe interneti në pesë apo gjashtë gjuhë, kryesisht në pashtu, dari, urdu, si dhe në anglisht e arabisht. Ata përdorin pamflete, dvd, kaseta, zile telefoni me muzikë patriotike etj.
Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave vjen në një moment me rëndësi të madhe, kur republikani Xhon Mekkein dhe demokrati Barak Obama po luftojnë për postin e presidentit. Në të dyja anët e Atlantikut ka diskutime nëse duhen dërguar më shumë trupa në Afganistan. Por ekziston konsensus se Afganistani ka nevojë për shumë më tepër se zgjidhje politike.