1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat e pasqyrës së shtypit: Vizita e kancelarit Shrëder në Kinë dhe studimi krahasues i OECD-së për nivelin e arsimit

8 Dhjetor 2004

Analistët kritikojnë qëndrimin oportunist ndaj Kinës për hir të interesave ekonomike. Sa i përket studimit të OECD-së, PISA, tërhiqet vëmendja për reformimin e sistemit arsimor në Gjermani, por kritikohet edhe mënyra e përpilimit të raprotit krahasues PISA.

https://p.dw.com/p/Arxf
Fotografi: dpa

Kancelari Shrëder parashikon një zhvillim të vrullshëm të tregtisë më Kinën. Qëllimi është dyfishimi i volumit të tregtisë me republikën popullore, deklaroi Shrëder në një forum ekonomik në Pekin. Lidhur me këtë gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "...Çështja është nëse Evropa do të nxisë ngjitjen e Kinës jo vetëm në aspektin ekonomik, por synon edhe të jetë aktive si një furnitore e armatimeve për një regjim me ndjenja ekspansioniste, që shpesh herë kërcënon të godasë Tajvanin. Udhëheqja e Pekinit, e cila ndjek fare qartë politikën e interesave (...), do të dijë ta shfrytëzojë konkurrencën brenda evropiane për të përfituar nga bashkëpunimi me Kinën. Kancelari dëgjoi, se pala kineze "mbështet dëshirën e Gjermanisë pë rnjë përgjegjësi më të madhe në OKB". Presidenti i Italisë, gjithashtu për vizitë në Kinë, beson se ka dëgjuar të njëjtën gjë për Romën, qe nga ana e saj është kundër ambicjeve të Berlinit per në OKB. Por e vërteta është: se Pekini nuk bën fjalë as pë rtë drejtën e vetos dhe as për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Ai vetëm përpiqet të joshë, të flirtojë dhe t´i veshë politikës së tij për tregtinë me jashtë një perspektivë strategjike. E pra duhet të mësosh prej Pekinit", nënvizon "Frankfurter Allgeimeine zeitung".

E përditshmja "Handelsblatt" shënon: "Gjermania ende nuk ka një politikë, e cila të jetë në përputhje me faktin që Kina është një diktaturë. Edhe diktaturat me zhvillim ekonomik kanë tendencë për agresivitet dhe nuk janë të stabilizuara. Aftësia e tyre për kompensimin e interesave mund të provokojë trazira të rënda. Nuk duhet përjashtuar që Kina me tranzicionin në ekonominë e tregut gradualisht po demokratizohet. Por as nuk mund të përjashtohet që kjo shpresë mund të shuhet. Ndaj nuk ka përse t´i bëhet sot një lëshim Kinës duke mos e trazuar lidhur me shtetin ligjor dhe duke e konsideruar atë si një partner të stabilizuar. Pavarësisht nga të gjitha bizneset qëllimi politik duhet të jetë bllokimi: Kina kërcënon Tajvanin dhe krahas forcimit të pushtetit ekonomik në rritje, ajo synon edhe armatimin, gjë që e bën atë edhe më të rrezikshme. Vetëm SHBA qëndrojnë kundër këtij kolosi të pabesë. Ndaj vendi i Gjermanisë është në krah të SHBA dhe jo përkrah Kinës", vëren "Handelsblatt".

Opinioni në Gjermani është i preokupuar dhe po rreh mendime për arësyet përse renditen nxënësit gjermanë krahasuar me ato të vendeve të tjera në një nivel mesatar. Shkas për këtë debat shoqëror dhe politik është publikimi i studimit të dytë krahasues të OECD-së për nivelin e nxënësve në rang ndërkombëtar. Ky raport përpilohet nga programi i OECD-së, PISA. Ja se ç´shkruan gazeta "Nordkurier": "Edhe kësaj radhe sic duket asnjë funksionari ose politikani nuk do t´i bjerë ndëmrend të dëgjojnë me vëmendje ato që diskutohen nëpër klasat e mësimit. Por pikërisht këtu ndodhen ekspertët e vërtetë, që ndjejnë çdo ditë, se ç´ndodh në shkollë dhe cilat janë problemet e së përditshmes. Kushdo që do t´i hapë veshët do ta kuptojë, se problemi janë klasat e mëdha me fëmijë që kanë probleme në sjellje, kushtet e mjerueshme materiale dhe pozicioni i keq i mësuesve në shoqëri, gjë që i deprimon shumë pedagogë", tërheq vëmendjen "Nordkurier".

"Ostthüringer Zeitung" komenton: "Niveli i arsimit në Gjermani nuk është përkeqësuar. Ky vazhdon jetë një vend i fuqishëm i arsimit. Por janë vendet e tjera ato që e kanë marrë veten, sepse kanë investuar më shumë dhe kanë përcaktuar të tjera prioritete. ne kemi nevojë për më shumë mbështetje financiare dhe për një elitë të mëvonshme. (...) Por për aq kohë sa do të vazhdojnë grindjet mbi ndarjen e komptenecave mes landeve dhe federatës duke injoruar cilësinë, sistemi i arsimit më shumë do të përkeqësohet se sa do të përmirësohet", mendon komentatori i "Ostthüringer Zeitung".

Së fundi edhe një citat nga artikulli i "Fränkischer Tag": "Përpara se të fillojmë të përmbysim sistemin gjerman të arsimit dhe të zhytemi në një debat ideologjik lidhur me federalizimin e arsimit, do të ishte më e udhës t´i hedhim një vështrim vetë programit krahasues PISA. Dallgët e mëdha të rezonancës që shkakton shpesh herë krahasimi ndërkombëtar nuk kanë të bëjnë me aq me metodën hulumtimit, se sa me mënyrën se si shitet ajo" nënvizon "Fränkischer Tag".