1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Humbjet e klubit Borusia Dortmund në bursë dhe skandali i vizave gjermane

Vilma Filaj-Ballvora18 Shkurt 2005

Dy tema të brendëshme dominojnë sot në komentet e gazetave gjermane. Klubi i futbollit Borusia Dortmund, ekip i ligës së parë dhe i vetmi i futur në bursë rrezikon të falimentojë. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2004 klubi ka pasur një humbje prej 27 milionë eurosh. Temë tjetër që vazhdon të jetë qysh prej ditësh në fokusin e kryartikujve është afera e vizave dhe mbledhja të enjten e komisionit hetimor parlamentar.

https://p.dw.com/p/Arwe
Topi i shfryrë i Borusia Dortmund - klubi po asfiksohet
Topi i shfryrë i Borusia Dortmund - klubi po asfiksohetFotografi: dpa

Lidhur me Borusia Dortmund "FRANKFURTER RUNDSCHAU" shkruan: "Donatorët e shtrënguar kanë arësye për të qenë skeptikë. Paaftësia komerciale e kryesisë së vjetër të klubit duket sheshit. Me truke, me gjysmë të vërteta dhe me mashtrime dy kokat e kryesisë janë kacavjerrë për ta mbajtur me thonj pushtetin, derisa erdhi çasti që atyre u rrëshqiti toka nën këmbë. Ndaj duket se është e vështirë që të besosh në një shërim të shpejtë të pacientit me simptomat e komës Borusia Dortmund", analizon "FRANKFURTER RUNDSCHAU".

Gazeta "DIE WELT" komenton: "As Borusia Dortmund, klubi i vetëm sportiv në Gjermani që hyri në bursë, nuk mundi që t´i zgjidhë interesat kontradiktore në vazhdimësi: ndërsa aksionerët janë të interesuar në radhë të parë për fitimin, sipërmarrësit e futbollit e kanë vëmendjen të përqëndruar tek suksesi sportiv. Janë shumë të paktë klubet që ia dalin t´i rifinacojnë prej të ardhurave duke pasur edhe fitim të majmë fondet e investuara për titullin sportiv. Ndërsa kryesia menaxhuese e klubit të Dortmundit e ndjente veten të detyruar më shumë kundrejt delirit të saj të madhështisë se sa kundrejt aksionerëve. Hisotira që iu shit aksionerëve me daljen në bursë, se kemi të bëjmë gjoja me një firmë të shumëanshme dhe jo vetëm të varur prej meritave sportive, rezultoi tani se paska qenë një përrallë", nënvizon "DIE WELT".

E përditshmja "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" thekson: "Një gjë mbetet: Borusia Dortmund nuk do të rëzohet. Himni kryeneç i klubit të futbollit të Vestfalisë që së shpejti do të shënojë historinë 100 vjeçare nuk ka tingëlluar kurrë kaq larg realitetit sa sot. (...) Kryesuesja në tabelën e klasifikimit po bëhet gjithnjë e më e pavarur prej fatit sportiv, duke u marrë më shumë me strategjitë afatgjata të marketingut. (...) Borusia, sot e sëmurë për vdekje, në vitet 60 ka qenë simboli i mirëqenies ekonomike të Gjermanisë. Asokohe motoja e këtij klubi ishte fitore të arritura me ndershmëri. Por qysh prej kohësh kjo nuk vlen më, vendimtar është bilanci", vëren "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Lidhur me aferën e vizave gazeta "KÖLNER STADT-ANZEIGER" komenton: "Me çdo copëz informacioni shtesë lidhur me dhënien dorëlëshuar të vizave ministri i jashtëm Joshka Fisher zhytet edhe më thellë në qorrsokakun e montuar prej tij. Figura më me personalitet e partisë ekologjike ka deklaruar, se vetëm kohët e fundit është marrë me problemin e vizave. Ai pretendon, se nuk ka pasur pothuajse asnjë informacion përpara vitit 2003 lidhur me veprimtarinë e ambasdës gjermane në Kjev. Nëse kjo është e vërtetë atëherë Fisher duhet të durojë kritikën, se nuk e ka nën kontroll kabinetin e tij. Por kjo nuk mjafton si argument për dorëheqje, ndonëse emri i tij po shkon drejt kësaj të fundit", vë në dukje "KÖLNER STADT-ANZEIGER".

Gazeta "BERLINER ZEITUNG" analizon: "Atij që vëzhgon kronologjinë e aferës së vizave, mund t´i krijohet përshtypja se edhe portieri i ministrisë së jashtme ka pasur dijeni më shumë për gjendjen në ambasadën gjermane në Kjev se sa ministri, kapaciteti perceptues i të cilit është i përqëndruar tek thelbi i mendimit të politikës ndërkombëtare. Fisher në këtë mënyrë është viktimë e një mekanizmi brutal të seleksionimit, që informacionet nga e gjithë bota, me përjashtim të atyre me vlerë, të rëndomtat çdo ditë duke i anashkaluar pamëshirë prej kabinetit të shefit i derdh nëpër tryezat e sekretarëve të shtetit, apo të drejtorëve të seksioneve. Ministri tani si i pafajshëm, ky rol mund t´i besohej çdo nëpunësi të ministrisë, por jo Fisherit. Virtyti prepotent i njeritu që i di të gjitha, siç ka preferuar ai vetë, është ngulitur tani kaq thellë në vetëdijen kolektive, saqë sado i paditur të tregohet Fisheri, askush nuk e beson", vëren "BERLINER ZEITUNG".