1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Konflikti bërthamor me Iranin. Skandali i vizave gjermane në vendet e Evropës Lindore

Vilma Filaj-Ballvora17 Shkurt 2005

Në paqyrën e shtypit veçojmë komente dhe opinione lidhur me konfliktin me Iranin për programin e pasurimit të uranit si dhe për skandalin e vizave gjermane nëpër ambasadat në vendet e Evropës Lindore.

https://p.dw.com/p/Arwf
Fotografi: dpa

"FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" komenton konfliktin me Iranin: "Nëse Teherani kërkon rrespekt, motivim dhe garanci për sigurinë, gjë që është me vend, atëherë ai duhet të luajë me karta të hapura duke mos manovruar herë me ndalimin dhe herë me aktivizimin e komandës së programit të pasurimit të uranit. Në rast të kundërt çështja do të përfundojë dikur në Këshillin e Sigurimit. Një hap i tillë ndonëse nuk do të presupozonte përfundimisht konfrontimin e ashpër, aq më shumë që Irani mund të mbështetet tek disa vende që kanë të drejtën e fjalës dhe kanë interesa ekonomike, gjithësesi do ta tensiononte edhe më shumë atmosferën", komenton "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Lidhur me çështjen e Iranit gazeta "DER TAGESSPIEGEL" boton një intervistë me senatorin republikan të SHBA, Xhon McKain, sipas të cilit SHBA llogarisin me mbështetjen e Gjermanisë në konfliktin me Iranin për programin bërthamor. McKain i pohon gazetës në fjalë, se "Përfaqësues të lartë të qeverisë gjermane e kanë sigurar atë, që në rast se BE-ja nuk do të marrë garanci objektive dhe të verifikueshme nga Irani, Gjermania do të votojë bashkarisht në Këshillin e Sigurimit pro sanksioneve kundër Iranit". Më tej McKain nënvizon, se në sfondin e përvojës me Korenë e Veriut "ne duhet të sigurohemi që do të jemi në unaimitet në OKB dhe që Evropa nuk do ta lerë vetëm Amerikën në këtë forum". Senatori McKain siguron, se "SHBA janë ende shumë shumë larg opcionit ushtarak kundër Iranit". Tani për tani ka prioritet strategjia e përbashkët me Evropën. Nëse dështojnë bisedimet e Evropës me Teheranin për heqjen dorë prej programit për pasurimin e uranit, prioriteti i dytë janë sanksionet e OKB-së", nënvizon në intervistën me "TAGESSPIEGEL" senatori republikan.

Komentatori i së përditshmes "NÜRNBERGER NACHRICHTEN" tërheq vëmendjen, se çështja e Iranit mbetet shqetësuese. Citojmë: "Lajme kontradiktore nga shkretëtira iraniane do të mjaftonin për ta zhytur në turbullira bursën e aksioneve. Kursi i dollarit ra, çmimi i naftës u rrit. Më pas erdhi sinjali i çtensionimit, kurba e etheve u normalizua, tregjet e financave u qetësuan sërish. Të gjitha këto janë prova, se sa lehtë mund të tronditet bota. Të tilla pasiguri nxiten edhe prej fjalimeve të flakta dhe të pamenduara si kërcënimet e para pak javëve të presidentit amerikan në adresë të Teheranit. Edhe pse ndërkohë Uashingtoni disa herë ka siguruar, se nuk ka asnjë plan aktual për luftë shqetësimi ka lëshuar rrënjë në subkoshiencë", thekson "NÜRNBERGER NACHRICHTEN".


Temë mjaft e komentuar në shtyp vazhdon të jetë skandali i vizave gjermane në ambasadat në vendet e Evropës Lindore. Lidhur me qëndrimin e qeverisë federale ndaj kësaj çështjeje në gazetën "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" komentohet: "Koalicioni socialdemokrat-ekologjist ende nuk e ka kuptuar se sa delikate
është afera e vizave. Dhe deri tani ende nuk është hartuar një strategji bindëse, se si do t´u bëhet ballë sulmeve të unionit opozitar dhe se si duhet vepruar me dokumentat, që po shfaqen nëpër medie nga dita në ditë. Ministri i jashtëm, Joshka Fisher, tërheq vëmendjen, duke deklaruar, se fillimisht i duhet të studiojë dokumentacionin dhe më pas do të shprehet lidhur me gjendjen në ministrinë e tij përpara komisionit hetimor dhe vetëm përpara kësaj instance. Por edhe shumë gazetarë ndërkohë janë duke e studiuar dokumentacionin, siç duket këta të fundit lexojnë më shpejt se ministri", komenton "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Nga artikulli i gazetës "WESTDEUTSCHE ZEITUNG" veçojmë: "Duket se Joshka Fisher e ka humbur shansin për t´i mbijetuar aferës së vizave. Ai duhej të tregonte pendesë dhe të pranonte pjesën e vet të fajit për politikën e gabuar të dhënies së vizave gjatë viteve të shkuara. Në radhë të parë ministri i jashtëm duhej të pranonte, se në fillim të vitit 2000 ai me vetëdije synonte të etablonte një politikë më liberale për huajt, gjë që më vonë dështoi. Përse nuk e bëri ai këtë? Siç duket edhe në vitin 2005 ekologjistët e kanë më të vështirë të heqin dorë prej postulatit naiv të politikës multikulti, se sa prej figurës emblemë të partisë së tyre, Joshka Fisherit", konkludon komentatori i "WESTDEUTSCHE ZEITUNG".