1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Konflikti në Liban; Bisedimet për Kosovën

9 Gusht 2006

Propozimi i qeverisë libaneze për dërgimin e ushtarëve të vet në kufirin jugor që t´i presin rrugën Hisbollahut, gjen jehonë me reagime të ndryshme në shtypin gjerman. Por në shtypin gjermanofon botohen edhe komente lidhur me bisedimet për Kosovën.

https://p.dw.com/p/AroX
Gazeta "Schwäbische Zeitung" për Kosovën shkruan: "Qysh nga fillimi i shkurtit ndërmjetësuesit e OKB-së gënjejnë veten duke pohuar, se është sukses që shtatë vjet pas luftës shqiptarët dhe serbët kanë filluar të flasin me njëri-tjetrin. Kjo nuk është bazë e mjaftueshme për bisedimet. Pas shtatë raundesh dhe një takimi në nivel të lartë të pasukseshëm s´është bërë asnjë hap përpara në çështjen thelbësore, nëse Kosova duhet të bëhet shtet më vete ose të mbetet një krahinë autonome e Serbisë. Përkundrazi: perspektiva për një marrëveshje është përkeqësuar." Edhe gazeta austriake "Die Presse" i kushton vëmendje bisedimeve që zhvillohen në Vjenë duke analizuar në artikullin me titull "Serbia dhe Kosova presin OKB-në". Citojmë: "Të duket sikur as Beogradi dhe as Prishtina s´duan që të bien dakord për asnjë gjë, pa folur fare këtu për statusin e ardhshëm. Të dyja palët me sa duket presin nga politika e madhe botërore, që Këshilli i Sigurimit të dekretojë të ardhmen e Kosovës. Kjo do të ishte mjaft praktike për ata që janë përgjegjës në Beograd dhe në Prishtinë. Sepse askush s´do ta nënshkruajë kompromisin dhe më pas të konsiderohet si "tradhtar i kombit", që ka "shitur djepin e tokës serbe" apo që ka humbur nga duart pavarësinë e Kosovës, tashmë që kjo duket për herë të parë si e afërt." Lidhur me Lindjen e Mesme dhe propozimin e qeverisë libaneze për dërgimin e ushtrisë në Jug, gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" është mjaft skeptike: "Izraeli nuk do t´i tërheqë kaq shpejt trupat e veta nga vendi fqinj, pavarësisht, se kryeministri Olmert nuk e ka refuzuar menjëherë planin libanez. Jeruzalemi s´ka besim ndaj ushtrisë libaneze të fuqishme, por me një përbërje të përzierë konfensioni, e aq më pak mund t´i besohet Hisbollahut që e ka bashkëmiratuar këtë plan në Bejrut. Për Izraelin ky nuk është një aksion ushtarak si dikur, në vitin 1978 operacioni Litani. Ajo që është më kryesorja fantazitë dhe kërcënimet e presidentit iranian Ahmedinexhad për asgjësimin merren shumë seriozisht." "Financial Times Deutschland" sheh një rreze shprese: "Në aspektin ushtarak në Liban s´ka asnjë shenjë çtensionimi. Por në nivel diplomatik po konturohen shenjat e një zgjidhjeje për të arritur fundin e luftës. Ushtria e Libanit mund ta plotësojë vakuumin që krijohet me tërheqjen e Izraelit. Për këtë asaj i duhet mbështetja e menjëhershme dhe e gjerë e Perëndimit, sepse ushtria është një pasqyrë e copëzimit të vendit dhe pa përvojë në luftë. Ky s´është një plan ideal, por tani për tani s´ka asgjë tjetër më të mirë." "Frankfurter Rundschau" është skeptike, por megjithatë mendon: "Propozimi nga Libani hap një shans të ri. Edhe nëse ushtria libaneze jo e aftë për luftë nuk është ideale për sigurimin e kufijve, mes alternativave ekzistuese ajo është më e mira. Aq më tepër nëse ajo do të mbështetet shpejt prej një trupe të aftë shumëkomëbshe." Një vlerësim edhe nga gazeta "Berliner Zeitung": "Vendimi i qeverisë libaneze për dislokimin e një trupe prej 15.000 forcash në Jug të vendit, mund të ketë efekt për sukses në konsultimet e Këshillit të Sigurimit. Eshtë mjaft e turpshme për BE-në, që vetëm pas një propozimi të palës arabe dhe kërcënimit të Moskës me veto ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit ofron një armëpushim praktik. Ngurrimet për të mos dërguar fillimisht trupa në fushën e minuar Lindja e Mesme, duhet që ta përshpejtojnë ndryshimin e mendimit në Berlin, Londër dhe Paris." Ndërsa gazeta "Osthüringer Zeitung" analizon gjendjen në Lindjen e Mesme: "Ushtria izraelite reagon në mënyrë tipike: ajo vepron gjithnjë e më me brutalitet, për të imponuar fitoren, konfrontohet me kritika gjithnjë e më të mëdha politike dhe involvohet ushtarakisht pikërisht në ato luftime pasuese, në të cilat ajo s´është më në gjendje që të shpalosë superioritetin dhe mobilitetin e saj duke pësuar humbje, që ia bëjnë edhe më të diskutueshëm operacionin brenda vendit të vet. Dilema ushtarake shpalos njëkohësisht edhe dimensionin politik: është gabim të besosh, se supremacia ushtarake mundëson zgjidhjen politike të konfliktit. Por përvoja historike tregon, se sa më i madh superioriteti, aq më e madhe është edhe joshja për t´i zgjidhur me dhunë konfliktet."