1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Lindja e Mesme dhe afera e vizave në Gjermani

V.Filaj-Ballvora28 Shkurt 2005

Në shtypin e Gjermanisë ndër temat më të komentuara sot janë gjendja në Lindjen e Mesme pas atentatit të fundit në Tel Aviv si dhe skandali i vizave gjermane në ambasadat në vendet e Evropës Lindore.

https://p.dw.com/p/ArwU
Pas atentatit të fundjavës në Tel Aviv
Pas atentatit të fundjavës në Tel AvivFotografi: AP

Lidhur me Lindjen e Mesme e përditshmja "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" në komentin e saj shkruan: "Në Lindjen e Mesme tentohet vazhdimisht kthimi në metaforën e "prapaktheut të përhershëm tek e njëjta gjendje". Presidenti palestinez Mahmut Abaz dhe kryeministri izraelit Ariel Sharon së fundi vendosën në Sharm el Sheik që t´i japin sërish një shans procesit të paqes, gjë që zgjoi shpresa të reja. Por atentati i fundit në Tel Aviv rrezikon të kthejë gjithçka prapa duke i dhënë fund fillesave për riafrimin. Izraeli thotë, se tani e ka në dorë vetë Mahmut Abazi për të treguar, nëse është i gatshëm dhe në gjendje që të asgjësojë hap pas hapi strukturat e Xhihadit Islamik që dyshohet si autor i atentatit", vë në dukje "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Në të njëjtën linjë komenton edhe "DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN": "Me sulmin brutal të atentatorit kamikac palestinez në Lindjen e Mesme u bombardua edhe filizi i sapoçelur i shpresës për paqë. Natyrisht që dëshpërimi dhe indinjata janë reagimet e para, pasi vdekja rrëmbeu të rinjtë izraelitë që deshën të festonin të gëzuar, por sidoqoftë tani kërkohet arësye dhe maturi. Nxitja e dhunës dhe anullimi i marrëveshjes së armëpushimit, janë pikërisht ajo që duan të arrijnë terroristët islamikë, të cilëve nuk u vjen përmbarë afrimi mes izraelitëve dhe palesitnezëve. (...) Por gjithçka do të varet shumë tani, se sa me konseguencë dhe efikasitet do të mund t´u kundërvihet Abazi atyre që ushtrojnë dhunë", nënvizon "DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN".

Gazeta bulevardeske e Hamburgut "BILD" analizon qëndrimin e Sharonit pas këtij atentati: "Reagimi i arësyeshëm i Izraelit ndaj sulmit burracak terrorist të fundjavës është i mençur dhe të jep shpresë. Duke hequr dorë prej hakmarrjes kryeministri i Izraelit Sharon tregon forcë. Por njëkohësisht ky është edhe një sinjal i qartë në adresë të palestinezëve. Tani frenat i ka në dorë kreu i ri i OÇP-së Mahmut Abaz. Ky duhet t´u presë hovin terroristëve, nëse dëshiron paqen", shkuran "BILD".

Gazeta "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" boton një koment lidhur me skandalin e vizave në ambasadat gjermane në vendet e Evropës Lindore. Lidhur me rolin e ministrit të jashtëm Fisher komentatori vëren: "Fisheri ka gabuar në çështjen e vizave, për këtë s´ka dyshim. Por qysh prej marrjes së postit në vitin 1998 ai e ka përmbushur detyrën e tij kryesisht vetëm në dobi të vendit duke nisur që nga lufta në Kosovë, duke vazhduar me vitet e terrorit, luftën në Irak e deri tek ndihmat për zonat e prekura nga tsunami. Në raport me të gjitha këto qëndrimi i tij në aferën e vizave është indinjues, por sidoqoftë jo arësye e mjaftueshme për të dhënë dorëheqjen", thekson "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Në komentin e së përditshmes "MÜNCHENER MERKUR" autori ka një mendim tjetër: "Pranimi i fajit prej Fisherit vjen me shumë vonësë dhe ai është me gjysmë zëri. të heshtësh pë rnjë kohë të gjatë, t´i mohosh të gjitha dhe më në fund të pranosh diçka duke shtrënguar dhëmbët e duke bërë hipokrizi, të duket sikur gjeniu i politikës Fisher po përpiqet të fshihet si një hajdut pulash. Me këtë ai nuk do t´ia hedhë dot. Hisotria e vizave është shumë më tepër se sa një pakujdesi e vogël. Kjo aferë cënon dy çështje kapitale të politikës gjermane: tregun e punës dhe sigurinë e brendëshme", tërheq vëmendjen "MÜNCHENER MERKUR".

"STUTTGARTER ZEITUNG" nënvizon: "Pranimi i Fisherit është hapi i parë, ndonëse ai nuk ka shpëtuar me këtë. Afera e vizave është më e rrezikshme tani për socialdemokratë se sa për ekologjistët e Fisherit. Klientela e socialdemokratëve është mjaft e ndjeshme, nëse konfrontimit politik për papunësinë rekord në vend i shtohet tani edhe nxitja përmes vizave e emigracionit dhe punës ilegale. Në komisionin hetimor parlamentar duhet të sqarohen dy gjëra: përmasat e aferës dhe koha e reagimit. Sa të rënda janë pasojat faktike negative prej kësaj afere? Dhe sa shpejt ka reaguar ministria dhe ministri Fisher ndaj paralajmërimeve dhe thirrjeve për ndihmë? përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve tek e fundit do të vendosin edhe për fatin e Fisherit si dhe për shanset e koalicionit socialdemokrat-ekologjist në zgjedhje. Rezultati mbetet i hapur, pavarësisht nga ndonjë gjykim i parakohshëm", komenton "STUTTGARTER ZEITUNG".