1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Ministri gjerman i Punëve të Brendshme Otto Schily i propozon parlamentit paketën e tretë të ligjeve për sigurinë

PP12 Maj 2005

Ndërkohë shtypi gjerman i kushton vëmendje edhe reagimeve rreth centralëve atomikë dhe energjisë bërthamore në Gjermani pas mbylljes së centralit atomik në Obrigheim. Temë tjetër: Sot pritet marrëveshja për ngritjen e rrogave punëtorëve të industrisë së çelikut

https://p.dw.com/p/ArvZ
Ministri i Ambientit Jürgen Trittin përpara centralit atomik në Obrigheim
Ministri i Ambientit Jürgen Trittin përpara centralit atomik në ObrigheimFotografi: dpa - Bildfunk

MPB Otto Schily dëshiron që ligjet për luftimin e terrorizmit që u aprovuan në Gjermani pas 11 shtatorit të vitit 2001 për një periudhë trivjeçare të vazhdojnë të mbeten në fuqi, sepse kanë qenë mjaft efektive. Fjala është për krijimin e bankave me ADN-në e personave të dyshimtë, kontrollimin e llogarive bankare si dhe për zgjerimin e kompetencave të shërbimeve sekrete, të Entit Federal për Kriminalistikën dhe të Komandave për Mbrojtjen Kufitare.

Gazeta "Braunschweiger Zeitung" e sheh me sy kritik ashpërsimin e ligjeve për sigurinë:

"Në rajonet e policisë do të shtohet pa masë konsumi i pambukut për të marrë provat e pështymës. Laboratorët do të mbushen me prova pështyme, flokësh apo zbokthi. Ai që në vitet e rinisë vjedh biçikleta, shet radio të vjedhura apo rrihet nëpër lokale është kandidat për bankën e të dhënave të policisë. Po hyre një herë në listë nuk del dot dhe mbetesh aty për gjithë jetën duke e ndjerë veten të kontrolluar dhe përgjuar. Po punët mund të shkonin edhe më keq, sepse po të ishte marrë parasysh vetëm dëshira e zotit Schily dhe e partive të djathta, për marrjen e kampionëve për një analizë gjenetike do të mjaftonte edhe thjesht një dyshim. Pasoja, edhe më shumë banka me të dhëna gjenetike të qytetarëve, madje edhe të të pafajshmëve. Në këtë rast shtrohet pyetja, pse s'i regjistrojnë një herë e mirë të dhënat gjenetike për të gjithë?

Kalojmë në temën tjetër, diskutimet për heqjen dorë nga energjia atomike në Gjermani, ide kjo që mbrohet me fanatizëm prej ekologjistëve.

Nga gazeta "Ostsee-Zeitung" që botohet në Rostok lexojmë:

"Pasioni me të cilën diskutohej për heqjen dorë prej energjisë bërthamore pas katastrofës së Çernobilit në vitin 1986 ka kohë që është tretur. 70% e gjermanëve janë sot të bindur se vendi do të ketë nevojë edhe për shumë vjet për energjinë atomike. Gjermania dhe Belgjika janë të vetmet që i lejojnë vetes luksin e heqjes dorë prej kësaj energjie. Gjermania do të bënte mirë që të mendohej edhe një herë për këtë hap. Shkaqet janë të shumta. Sipas studimeve të fundit në rast se centralet atomikë nuk do të rinovoheshin, në vend do të kishte probleme me furnizimin me energji elektrike. Nga ana tjetër çmimet e naftës janë ngritur tmerrësisht. Rezervat e gazit dhe të naftës në brigjet veriore të Britanisë së Madhe po i afrohen fundit. Rezistenca ndaj zgjerimit të mullinjve për shfrytëzimin e energjisë së erës po shtohet. Për këtë qeveria gjermane e përbërë prej social-demokratëve dhe ekologjistëve nuk ka pse të tregohet më e mençur se pjesa tjetër e botës."

Kurse në gazetën "Kieler Nachrichten" lexojmë:

"Partitë opozitare mendojnë që ta zgjatin afatin e përdorimit për 17 centralët atomikë që kanë mbetur në Gjermani në rast se vijnë në pushtet në vitin 2006. Për këtë ka disa shkaqe. Më i rëndësishmi është se koalicioni aktual qeveritar nuk ka mundur deri tani të shpjegojë qartë se si duhet zëvendësuar prodhimi i energjisë që sigurohet deri tani prej centraleve atomike. Përmes kursimit të energjisë dhe zgjerimit të kapaciteteve për energjitë e riciklueshme nuk mund të përmbushen të gjitha nevojat. Gjendja bëhet edhe më e vështirë prej rritjes së çmimeve të gazit, të qymyrit dhe të naftës. Vende të tjera planifikojnë madje ndërtimin e centraleve të mëtejshëm atomikë. Për sa kohë nuk është sqaruar problemi i depozitimit të mbeturinave atomike në Gjermani me të drejtë nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë. Gjithsesi si mundësi për të fituar kohë do të ishte zgjatja e periudhës së mbajtjes në funksion të centraleve ekzistues."


Temë tjetër e rëndësishme e komenteve të gazetave gjermane është edhe debati i tarifave në industrinë gjermanë të çelikut, i cili përfundon ditën e sotme.

Frankfurter Rundschau vëren: Me sa duket nuk do të ketë grevë. Sepse kjo do të dëmtonte rëndë këtë fushë të ekonomisë. Përfundimi i debatit mbi tarifat e rrogave i bën mirë edhe moralit të punëtorëve. Më në fund ata kanë arritur një sukses, që nuk mund të transportohet në raportin 1:1 në degët e tjera. Industria e çelikut ndodhet në gjendje më të mirë se sa fusha të tjera të ekonomisë. Për këtë arsye nuk mund të pritet që marrëveshja mbi tarifat të arrihet edhe në degë të tjera.