1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Synimi për zgjedhjet e reja parlamentare, alternativat politike në Gjermani, pasoja në rast të ndryshimit politik

Herbert Peckmann29 Maj 2005

Shtypi i huaj është përqëndruar këtë javë në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani. Gazetat evropiane kanë ndriçuar alternativat e mundshme politike në Gjermani si edhe pasojat në rast të një ndryshimi politik në vend

https://p.dw.com/p/ArvL
Gazeta të ndryshme në një kioskë në Berlin
Gazeta të ndryshme në një kioskë në BerlinFotografi: dpa zb


Në Paris, gazeta e njohur LE FIGARO mbi pozitën e kancelarit gjerman pas zgjedhjeve në landin e Renanisë veriore dhe Vestfalisë:

Me njoftimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda katër muajsh, ai shkaktoi një habi të përgjithshme. Çudia madje ja kaloi edhe humbjes në zgjedhjet e landit të Renanisë veriore dhe Vestfalisë. Në të vërtetë do të kishte qenë më llogjike, të pritej njëherë përmirësimi i konjukturës, para se të dalësh përballë zgjedhësve. Populariteti i rrëzuar i Shrëderit nuk mund të shpëtohet brenda katër muajsh. Duke lënë mënjanë efektin-çudi të zgjedhjeve të paralajmëruara, është e vështirë të përfytyrosh, se arratia e Shrëderit më drejtim përpara, të mund t'a shpëtojë atë nga një katastrofë e paralajmëruar."

Po kështu komentoi edhe gazeta e Londrës THE GUARDIAN:

"Shrëder është një artist kur bie fjala se si të mbijetojë.Por kombinimi i mosardhjes së rritjes ekonomike së bashku me rezervat që kanë vetë përkrahësit e tij kundër paketës së tij urgjente për reforma në tregun e punës - do të bëhet më sa duket gracka e tij."
Ndërsa gazeta konkurente THE DAILY TELEGRAPH u shpreh qartë për dhënien fund të koalicionit të socialdemokratëve dhe ekologjistëve:

"Dështimi i partisë socialdemokrate në landin e Renanisë veriore dhe Vestfalisë shënon një kthesë të rëndësishme në historinë gjermane të
pasluftës. Kështu nuk është aq e çuditshme, që kancelari Shrëder ka vendosur për afrimin me një vit të zgjedhjeve parlamentare.
Ai do t'i akuzojë ndoshta kristiandemokratët gjatë fushatës zgjedhore si theçeristë, që duan të shkatërrojnë shtetin social në Gjermani. Kjo akuzë kundër konservativëve gjermanë do të ishte absurde. Është e mundshme që ata t'i çojnë përpara reformat me më shumë tempo se sa ka bërë partia socialdemokrate deri më tani, por kjo nuk do të thotë radikalizëm."

Edhe NEW YORK TIMES trajton zgjedhjet e parakohshme në Gjermani:

"Për vite me radhë shefja e opozitës, Angela Merkel, nuk ka paraqitur ndonjë program alternativ përballë koalicionit të majtë të Shrëderit. Ajo thotë, ajo e di, se si mund të rigjallërohet sërish ekonomia gjermane, ajo e ka akuzuar Shrëderin se ai e ka izoluar Gjermaninë me politikën e tij të jashtme. Por asnjëherë nuk është shpjeguar, se si mund të dallojë programi i Merkelit nga pozita.
Megjithatë me vështrim nga politika e jashtme, pritet përgjithësisht, që një kancelare Merkel, do të jete më proamerikane, se sa Shrëderi."

Ndërsa gazeta moskovite, ISWESTIJA, i trembet disavantazheve për Rusinë, në rast të një humbjeje të kancelarit:

"Me Shrëderin, Moska, Berlini dhe Parisi ndërtuan një front të përbashkët kundër luftës në Irak. Shrëder njihej si lobisti i interesave ruse në Bashkimin Evropian. Më Shrëderin, të dy shtetet kanë pasur kontaktin më intensiv se kurrë më parë në historinë e tyre. Kancelarja e re nuk do të ketë një kontakt të tillë, kaq të afërt dhe të shpeshtë me Putinin."

Gazeta çeke HOSPODARSKE NOVINY numëron një radhë arsyesh për gjendjen aktuale në Gjermani:

"Evropa mund të nxjerrë pesë mësime nga zhvillimet në Gjermani. Së pari: Kush paralajmëron reforma bombastike, zgjon tek gjysma e zgjedhësve shpresa, ndërsa tek gjysma tjetër frikë. Nuk duhet premtuar ajo që nuk mund të mbahet dot. Së dyti: Vetëm shkurtimi i asistencës sociale nuk është zgjidhje- aty ku nuk ka punë, nuk ka as motivim. Së treti: tregu gjerman i punës është mjaft rigoroz dhe punësimi në Gjermani shumë i shtrenjtë. Së katërti: një valë ligjesh federativ, rregulla dhe direktiva të BE-së. Por shumë burokraci dëmton çdo lloj ekonomie. Së pesti: mundësia teorike e pakthyeshmërisë së kësaj situate. Aty ku janë të çimentuara shpenzime të larta dhe norma të vendit të punës, duket se asnjë lloj force politike nuk mund t'i mënjanojë ato."

Gazeta hungareze NEPSZABADSAG analizon:

"Po qe se shoqëria gjermane do të zgjedhë kristiandemokratët, atëherë dështon përfundimisht e ashtuquajtura 'rrugë e tretë' e socialdemokratëve. Atëherë koalicionit nuk i mbetet asnjë mundësi tjetër veçse, ajo që nga pozita e rehatshme e opozitës, të përpilojë një politikë, e cila të mund të mbajë në kandar solidaritetin social dhe pritshmëritë e tregut. Ose të kthehen në rolin e tyre të mëparshëm të antikapitalizmit. Në këtë rast është e rrezikshme që jo vetëm koalicioni i socialdemokratëve kryen harakiri, por e tërë Gjermania."

Gazeta e Vjenës DIE PRESSE vlerëson pozitivisht faktin që në Gjermani parashikohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare:

"Është mjaft e qartë që qeveria e Shrëderit nuk është në gjendje t'i japë vendit motivimin e duhur përpara, gjë që është mjaft e nevojshme. Gjermania është rrëzuar, sepse njerëzit atje nuk kanë më besim, sepse ata e kursejnë paranë, në vend që të harxhojnë atë. Kabineti i të kuqve dhe të gjelbërve, në tre vitet e fundit ka iniciiuar hapat e duhur të reformave, por nuk mundi të sillte entuziazmin, dhe momentin e ndryshimit.

Në fund gazeta zvicerane NEUE ZÜRICHER ZEITUNG e cila pyet:

Çfarë mund t'a nxjerrë Gjermaninë nga kriza? Në këto kohë nuk duket se janë të nevojshme idetë e reja. Diagnozat janë prej vitesh të qarta, edhe recetat e shërimit gjithashtu. Vetëm një e mirë duhet: Kurajoja. Pa kurajo dhe vullnetin e pathyer për të paraqitur gjendjen ashtu siç është nuk mund të shkohet përpara. Një qeveri e ardhshme do të vendosë si prioritet absolut krijimin e vendeve të reja të punës dhe kryerjen e një politike të pastër financiare.