1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Vizita e Kondoliza Rajsit në Lindjen e Mesme dhe debati politik në Gjermani për partinë ekstremiste të djathtë NPD

8 Shkurt 2005

Turi i vizitave të kryediplomates së SHBA në Evropë dhe në Lindjen e Mesme është një temë mjaft e komentuar në shtypin e sotëm gjerman. Nga politika e brendëshme analistët kanë në fokus debatin që ka shpërthyer mes pozitës dhe opozitës lidhur me partinë ekstremiste të djathtë NPD.

https://p.dw.com/p/Arwo
Kondoliza Rajs dhe Mahmut Abaz
Kondoliza Rajs dhe Mahmut AbazFotografi: AP

Gazeta "DIE WELT" lidhur me projekjet e ministres së re të SHBA të punëve të jashtme Kondoliza Rajs në konfliktin e Lindjes së Mesme vëren: "Xhorxh Bushi, e ka marrë me seriozitet Lindjen e Memse, për këtë nuk ka më asnjë dyshim tani, pas prezantimit të shkëlqyeshëm të ministres së jashtme Kondoliza Rajs në Ramallah dhe Jeruzalem. Më në fund u emërua një i ngarkuar i përhershëm i Uashingtonit për sigurinë në Lindjen e Mesme, gjë që ishte premtuar prej kohësh. Gjenerali Uard do të ndihmojë për t´i mbajtur gjallë bisedimet e paqes edhe pse është mëse e sigurt që ekstremistët palestinezë do të synojnë t´i minojnë ato. (...) Ndërsa presidenti palestinez Abaz ndryshe nga parardhësi i tij Arafat ka kredi në Uashington, ndaj fillimisht Bushi do insistojë që Izraeli ta mbështesë zotërinë nga Ramallahu", thekson "DIE WELT".

Në të përditshmen "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" komentohet: "Rrethanat e reja janë komode. Por shkaqet e konfliktit të Lindjes së Mesme nuk mund të evitohen vetëm nëpërmjet fytyrave dhe formulave të reja. Territoret palestineze mbeten të pushtuara, siguria e izraelitëve është vazhdimisht në shënjestrën e shteteve fqinjë arabë, ndërsa SHBA vazhdojnë të ushtrojnë pak presion ndaj Izraelit. Ndonëse Kondoliza Rajs bëri të ditur, se Izraeli duhet të marrë "disa vendime të vështira", ajo nuk mund t´ia arrijë të deklarojë, p.sh. se fundi i "politikës së ngulimeve hebreje", që minimozohet si marrje e tokave palesitnezëve, është kusht themelor për paqen e qëndrueshme në rajon. Përse nuk e bën ajo këtë?", shtron pyetjen komentatori i "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".


Lidhur me debatin e ndezur në politikën e brendëshme të Gjermanisë mes pozitës dhe opozitës për partinë ekstremiste të djathtë NPD, partia nacional-demokrate, gazeta "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" tërheq vëmendjen, se nuk është vetëm papunësia shkas për forcimin e partive ekstremiste: "Nëse realiteti do të ishte kaq i thjeshtë dhe papunësia do të forconte mbështetjen për partitë ekstremiste të djathta, atëherë NPD-ja në zgjehdjet e shtatorit vitin e kaluar do të kish fituar në Gërlic, apo në Hojersverda, Lëbau apo Citau. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. (...) Po t´i vëzhgosh rajonet me papunësinë më të madhe jo vetëm duke përdorur NPD-në e djathtë si njësi matëse, por edhe partinë e majtë PDS, atëherë kemi të bëjmë me një panoramë që të kujton Republikën e Vajmarit", tërheq vëmendjen analisti i "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Shkas debatit për ndalimin, ose kufizimin e së drejtës së protestës për partinë ekstremiste të djathtë i dha edhe kërkesa e saj për të demonstruar përpara portës së Brandenburgut në Berlin në ditën e përvjetorit të bombardimit të Drezdenit nga aleatët e Luftës e Luftës së Dytë Botërore. Lidhur me këtë aspekt gazeta "OSTSEE ZEITUNG" shkruan: "Jo pa qëllim ekstremistët e djathtë të stërvitur me provokime kanë zgjedhur përvejtorin e bombardimit të Drezdenit për marshimin e tyre të protetstës. Këtu ata duan të luajnë një lojë perfide. Synohet që të shfrytëzohet si çelës për hapjen e portave propagandës së NPD-së zemërimi i përhapur në Drezden ndaj bombardimit të aleatëve, gjë që pa dyshim është krim. Kujtimi i natës së bombardimit të Drezdenit në shkurt të vitit 1945 ka për qëllim të relativizojë krimet e diktaturës naziste. Por sidoqoftë vetëdija e përbashkët demokratike është në gjendje të mbrohet nga përpjekjet e atyre që synojnë të shtrembërojnë historinë. Eshtë shumë e rëndësishme që pikërisht tani të jepet një sinjal i qartë kundër tendencave të ekstremistëve të djathtë, duke ezauruar të gjitha mjetet juridike për të ndaluar forcimin e së djathtës", vëren "OSTSEE ZEITUNG".