1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Zgjedhjet në Irak dhe disktuimi për ndalimin e ekstremistëve të djathtë

VFB29 Janar 2005

Për herë të parë pas 10 vjetësh irakianët do të votojnë në zgjedhje të lira parlamentare. Kjo është një nga temat më të komentuara në gazetat gjermane të fundjavës. Nga politika e brendëshme komentohet diskutimi i shtruar së fundi për ndalimin e partisë ekstremiste të djathtë, NPD.

https://p.dw.com/p/Arwy
Fotografi: dpa

Në të përditshmen "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" shkruhet: "Që pjesa më e madhe e popullsisë do të votojë, nuk mund të shërbejë si juftikim për të të mbushur mendjen, se me këto votime ndodhemi vetëm shtatë milje larg demokracisë në Irak, apo më keq akoma në Lindjen e Mesme. A mund të jenë zgjedhjet nën një regjim pushtues qysh prej dy vjetësh, që nuk pranohet nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, baza për krijimin e një sistemi shtetëror demokratik? A mund të shërbejnë këto zgjedhje si model për shtete të tjera të Lindjes së Mesme, qofshin ato diktatura si Siria, apo mbretëri të korruptuara si Aarabia Saudite? Kurrësesi", konkludon komentatori i "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Në gazetën "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" e njëjta temë komentohet: "Tek zgjedhjet irakiane mund të vlerësohet si duhet vetëm dyanshmëria: si një eksperiment i madh politik në një vend, që nuk ka njohur formë tjetër sundimi veç diktaturës, feudalizimit dhe pushtimit të huaj. Nga ana tjetër si një parodi e demokracisë, sepse ndër kushtet e këtij eksperimenti përfshihen vrasja, bojkotimi dhe ruajtja me imponim e skeretit. (...) Por përderisa në shumë rajone mbisundon kaosi dhe dhuna dhe ende nuk ka mundur të çahet rrethi vicioz i pasigurisë dhe mungesës së stabilitetit, këto zgjedhje janë të mbuluara nga një hije e madhe. Askush nuk e di se sa legjitimitet dhe autoritet do të posedojë qeveria e re dhe nëse ajo do të t´ia dalë që ta vërë nën kontroll anarshinë që ka pllakosur", analizon "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Në artikullin e "FRANKFURTER RUNDSCHAU" trajtohet një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhur me Irakun: "Rindërtimi në Irak është jashtëzakonisht i vështirë. Megjithatë duhet ndërmarrë ky hap. Përderisa mundësi të tjera s´ka atëherë nëpërmjet zgjedhjeve. Më pas do të nevojitet ndihma ndërkombëtare. Evropianët "e vjetër", që për shumë arësye të forta iu kundërvunë luftës së Xhorxh Bushit, mund dhe duhet të ndihmojnë; sepse ato nuk janë kukulla, por janë më të besueshëm se SHBA dhe ende janë të zotët për solidaritet", vëren "FRANKFURTER RUNDSCHAU".

Lidhur me diskutimin për ndalimin e partisë nacionale gjermane NPD, një citat nga komenti i "CELLESCHE ZEITUNG": "Yshtja e popullit në parlament mund të ndiqet penalisht. Neonazistëve nuk duhet t´u jepet tribunë publike për propagandën e tyre. Partia kristjandemokrate do ta ndryshojë ligjin themelor. Kjo është e drejtë. Liria e fjalës mbaron aty ku nis qëndrimi ekstremist që cënon rendin tonë themelor të lirë dhe demokratik", tërheq vëmendjen komentatori i "CELLESCHE ZEITUNG".

Ndërsa "FINANTIAL TIMES DEUTSCHLAND" është kundër luftës juridike ndaj partisë nacionale: "Ai që bën thirrje tani për ndryshim ligjesh e kushtetute, dëshmon po të njëjtën paaftësi prej së cilës u turpëruan përpara kamerave si politikanët edhe gazetarët në mbrëmjen e suksesit të NPD-së në zgjedhjet për parlamentin e landit të Saksonisë. Republika Federale qysh në fillim është konceptuar si një "demokraci që është në gjednje të mbrohet", mjetet ligjore kundër armiqve të kushtetutës nuk mungojnë. Problemi është, se me demokracinë e shtetit ligjor nuk mund të ndalosh plotësisht parrullat që luhaten mes populizmit dhe demagogjisë për yshtjen popullore. As që nuk ka perspektivë që provokimet e kalkuluara të neonazistëve të përqeshen me ndryhsimin e ligjeve. Rrëmimi nëpër të drejtat themelore dhe rregullat e lojës së demokracisë nuk i shmang shkaqet e suksesit të NPD-së nëpër zgjedhje, përkundrazi një gjë e tillë e bën qesharak shtetin ligjor dhe vetëm sa krijon martirë politikë", komenton "FINANTIAL TIMES DEUTSCHLAND".