1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tepër vonë dhe me arsye të gabuar

Marcel Fürstenau6 Shtator 2006

U bë shumë shpejt dhe papritur. Pas një grindjeje disavjeçare ministrat e brendshëm të landeve hapën të hënën rrugën për bankën e përbashkët të të dhënave kundër terrorizmit për policinë dhe shërbimin sekret. Sipas vendimit do të ketë një bankë të dhënash, në të cilën përfshihet identiteti i secilit person.

https://p.dw.com/p/AqzV
Fotografi: AP

Një bankë tjetër e fshehtë duhet të përmbajë përkatësinë fetare, udhëtimet jashtë shtetit dhe posedimin e armëve. Ministri gjerman i brendshem Wolfgang Schäuble premton zbatimin e shpejtë të kompromisit të gjetur. Brenda katër javëve të ardhshme projektligji duhet të aprovohet nga kabineti.

Sido që të jetë puna me bankën e të dhënave për të dyshuarit për terrorizëm, në një pikë ajo duhet t´i bëjë të mendohen mbështetësit e kësaj ideje, në mënyrën se si u krijua. Nën ndikimin e atentateve të dështuara të valixheve me bomba. Diskutimi që rrodhi pastaj u zhvillua sipas modelit të njohur: politikanët bëjnë thirrje për ligje gjithnjë e më të forta.

Duke e ditur mirë se asnjë ligj i botës nuk mund ta pengojë një terrorist të vendosur, që të kryejë sulme me pasoja ndoshta vdekjeprurëse. Ministri i brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble (CDU) vetë pohoi, se atentatet e dështuara në trenat rajonalë gjermanë nuk do të ishin zbuluar edhe sikur të ekzistonte banka e të dhënash për terrorizmin.

Megjithatë ata janë shkaku, për thirrjen e konferencës së ministrave të brendshëm gjermanë. E menduar nga politikanë të shqetesuar, që veprojnë pjesërisht me menyra populiste. Ata shfrytëzuan momentin, për të krijuar një bankë të diskutueshme, për të cilën janë grindur në pesë vjetet që prej atentateve vetëvrasëse të 11 shtatorit 2001.

Pesë vjet, kur në mbarë botën ka patur shumë atentate vetëvrasëse. Pesë vjet, në të cilët politikanët dhe ekspertet e sigurisë kanë folur vazhdimisht për "zonën e rrezikut, Gjermaninë", pa mundur të lokalizojnë, apo të identifikojnë një rrezik konkret.
Që të shmangim keqkuptimet. Sigurisht që terrorizmi nderkombetar duhet marrë seriozisht.

Edhe në Gjermani, e cila ndodhet poshtë në skalën e vendeve pikësynim të atentatorëve islamistë, por që si e ashtuquajtur zonë e qetë ka qenë shumë atraktive në të kalurën dhe ka mundësi që të jetë persëri. Siç dihet atentatorët vetëvrasës të 11 shtatorit 2001 i kanë planifikuar këtu atentatet e tyre vetëvrasëse.

Një argument i mirë, i kuptueshëm bindës për një bankë të dhënash antiterror. Por në momentin, që rreziku nuk ishte vetëm teorik, por tragjikisht edhe praktik, kur në Amerikën gjeografikisht të largët, por të afërt për gjermanët u vranë në mënyrë bestiale më shumë se 3000 vetë, në këtë situatë politikanët gjermanë ishin të pazotë, që të ndërtonin një bankë të dhënash anti-terror.

Sepse kampi i unionit megjithë pengesat kushtetuese donte të anullonte ndarjen e policisë nga shërbimi sekret. Dhe meqenese kampi tjetër të majtët, të gjelbrit, liberalët për kohë të gjatë në çdo formë të pasjes në dispozicion të të dhënave shihnin fundin e shtetit ligjor.


Të dy pozicionet ishin jashtë mase të ekzagjeruara. Kompromisi do të kishte qenë i mundshëm dhe i domosdoshëm edhe pak pas 11 shtatorit dhe pikërisht në kuadrin ndërkombëtar. Tani pajtimi për bankën antiterror ndodh në një atmosferë, që është një përzierje e rrezikut real, të cilin e mishërojnë atentatorët e valixheve me bomba dhe nga ana tjetër reagimet histerike të disa politikanëve, të cilët duhet të jenë mirënjohës, që në Gjermani gjatë kohës së humbur që prej 2001 askush nuk ka rënë viktimë e ndonjë atentati. Po të kishte ndodhur kështu, do të kishte patur një grindje të tmerrshme, se si mund të pengohej një atentat i tillë. Sikur një ditë të ketë humbje në njerëz, do të ketë përsëri grindje dhe fajësime. Dhe të gjithë e dinë se nuk ka siguri absolute.

Por ajo që duhet bërë, është të transmetohet një ndjenjë sigurie dhe përshtypja, se rrezikut i duhet dalë përballë me vendosmeri. Një bankë të dhënash kundër terrorit e përpiluar me shpejtësi shkakton më shumë konfuzion. Dhe nëqoftëse krijuesit e saj kanë fat të keq, arma e re do të çaktivizohet, sepse bie në kundërshtim me kushtetutën.