1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Teqja bektashiane hap sërish dyert për besimtarët nga mbarë bota

Ajete Beqiraj24 Gusht 2007

Djegjet dhe shkatërrimet gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk kursyen as objektet kulturore e fetare. Shumë prej tyre u dogjën e u shkatërruan bashkë me bibliotekat, ndër te cilat edhe Teqja e Bektashive në Gjakovë

https://p.dw.com/p/BXaW
Xhamija PrishtinësFotografi: DW/Sand

Teqja Bektashiane në Gjakovë është themeluar në vitin 1790. I vetmi objekt i këtij lloji në Kosovë, njëherit edhe seli e Gjyshatës së Kosovës, u dogj e u rrënua me themel nga forcat serbe më 1999. Maksima e
bektashizmit është: “Pa atdhe nuk ka fe!”-thotë Baba Mumin Lama. “Është shumë e vërtet që kemi kërkuar atdheun ma s’pari. Po ndalem vetëm në luftë e fundit të 99-tës kur Teqja u dogj...U dogj, pse nuk patë atdhe! Sikur ta kishim atdheun tonë“-rrëfen Baba Mumin Lama, të cilit fjalët e fundit i mbetet në grykë.

Teqja e Bektashive me këtë rast humbi edhe bibliotekën me mijëra libra e dhjetëra dorëshkrime. “Ndër to edhe 58 dorëshkrime, një dorëshkrim ka pas
100 faqe por ka pas dorëshkrime me 400 faqe. Të gjitha janë djegur!”

Por, tempulli i rrënuar para tetë vjetësh, tashmë është renovuar me ndihmën e qeverisë së Kosovës dhe sërish ka hap dyert për besimtarët. Kjo e lumturon udhëheqësin shpirtëror dhe atdhetar i cili thotë:„Ne ishim të pushtuar. Tash kemi atdheun tonë dhe tash prapë kemi Teqe!” “Bektashizmi njihet si dogmë mistike islame që merret me përsosmërinë shpirtërore të njeriut. Bektashizmi i ka rrënjët në Kuran dhe në mësimet e Profetit Muhamed e të 12 imamëve”-thotë Baba Mumin Lama, duke treguar karakteristikat e Udhës së tij.

Kujdestarja e Teqes thotë se „Në Teqe, prej ngado që vijnë, të gjithë janë vëllezër e motra. Përshembull në festat bektashiane vijnë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë…”

Dhe, jo vetëm prej andej. Sot, në hollin e Teqes Bektashiane gjejmë një grup vizitorësh nga Zvicra dhe Amerika. Shëndet Nazarko, bektashian nga Korça me banim të përkohshëm në Detroit, ka ardhur në Gjakovë me të bijën dhe dhëndërin.„Është herë e parë që vizitojmë Gjakovën dhe Teqenë, meqë jemi bektashianë. Përshtypjet janë shumë të mira“.

Ukshin Dobelanca, 42 vjeç, nga fshati i Ri i komunës së Vitisë, i cili që 20 vjet jeton në Gjenevë, është musliman sunit. “Mua më pëlqejnë shumë xhamitë. Por, edhe kjo Teqe më pëlqen shumë. Gjithnjë kam dëshiruar të vizitoj një Teqe. Kjo është herë e parë dhe përshtypjet nga kjo vizitë janë shumë të mira. Është diçka impresionuese!”

Zilja e portës së oborrit, e cila hapet orë e çast lajmëron për ardhjen e një turme tjetër besimtarësh që vizitojnë Teqen madhështore, të rrethuar me mure të larta të veshura me gjethe. Në tempullin në të djathtë, janë varret e 7 prej të nëntë baballarëve bektashian që shërbyen në këtë Teqe që prej shekullit 17-të, dy prej të cilëve për shkaqe të kohës, janë varrosur në Turqi. Të shtatë varret nga besimtarët konsiderohen shenjtëri, të cilat udhëheqin njerëzit drejt Zotit si dhe ndihmojnë në tejkalimin problemeve të jetës. Kujdestarja sjell shembuj konkret. „Uuhh, ka plot raste! Nuk di si me e përshkru. Ka lloj-lloj rastesh në jetë. E di sa njerëz vjinë këtu? Të të gjitha moshave se ju ndihmon!“ Përkundër faktit se me librin e shenjt islam, alkooli është i ndaluar, përdorimi i tij është një karakteristikë tjetër e bektashijve. „Sipas dijetarëve islamë, profeti Muhamed teksa po i shkonte në vizitë një mikut, sheh një grup njerëzish tek pinin verë…-rrëfen Shëndeti.„Teksa shkonte e i pa në qejf, iu tha: “Ju bëftë mirë!“ Kur u kthy e i gjeti duke u grindur e rrahur, e mallkoi. Mirëpo, duket bektashinjtë gjetën një mesatare dhe thanë: „Ne do pimë derisa të mos dehemi!“

Kosova është një gërshetim besimesh të ndryshme, e cila njihet për tolerancën fetare dhe harmoninë mes
besimtarëve. „Është kënaqësi të kemi besime të ndryshme me marrëdhënie të mira mes vete. Kjo tregon se të gjithë ne jemi besimtarë të vërtet të Zotit!“-thotë baba Mumin Lama.

Por, a ka shkëmbime me përfaqësues të besimit ortodoks serb, pas konfliktit të vitit 1999? “Nuk kisha pritu me kontaktu me asnjë njeri, sepse profeti thotë: “I madhi ka me fal...Ai di te fal, sepse ka çfarë të fal!” Ata po me duket janë mbyll në kishën e vet. Nëqoftëse dalin, edhe ata janë pjesë e popullit, krijesa të Zotit! Por kur ata ngrehin mure prej gjashtë metrash, ne nuk kemi si të hymë. Ne atyre s´iu bëmë asgjë! Ndodhi ajo e marsit… Por, ata duhet me hulumtu pak më thellë, sepse kujtoj se të tillët nuk kanë qenë tanët!“

Qyteti i Gjakovës, në perëndim të Kosovës, është i pasur me një sërë monumentesh të lashta kulturore e
fetare. Qarshia e Madhe, është zemër kulturore e këtij qyteti tregtie dhe artizanatesh. Teqja e Betkashive
gjendet në krye të rrugës me kalldrëm e majtas saj është Xhamia e Hadumit, e ndërtuar që në shekullin XVI. Me 1999, sikur edhe Teqja Bektashiane, një pjesë e kësaj xhamie të lashtë poashtu u dogj nga forcat paramilitare serbe, bashkë me bibliotekën që datonte që nga koha e themelimit.