1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Termi pavarësi nuk përmendet, por pavarësia nuk përjashtohet

Mimoza Cika-Kelmendi4 Shkurt 2007

Interviste eksluzive me kryeministrin e Kosoves, Agim Çeku

https://p.dw.com/p/ArZ0
Kryeministri i Kosoves, Agim Çeku
Kryeministri i Kosoves, Agim ÇekuFotografi: dpa-Bildfunk

Pyetje:Zoti Çeku, si e vleresoni paketen e Ahtisarit dhe a eshte kjo nje dite historike per Kosoven ?

Përgjigje: Unë nuk do ta kisha quajtur ditë historike, por nje ditë shumë të rëndësishme për Kosovën si dhe ditë gëzimi për ne. Dokumenti në fjalë e përshkruan Kosovën si shtet sovran , të pavarur dhe i jep Kosovës të gjitha atributet e një shteti demokratik. Dhe ajo që është më e rëndësihme është se nuk parasheh asnjë lidhje politike me Serbinë. Si i tillë , dokumenti është pozitiv , megjithse nuk është e tëra ajo që ne kemi kërkuar, që na takon, për arsye se edhe vetë nuk ishim në gjendje ti definojmë modalitetet e rregullimit të brëndshëm të shtetit tonë, por tani këto modalitete janë rregulluar përmes këtij dokumenti.

Pyetje:Pra jeni optimist për paketën e Ahtisarit edhe pse nuk përmendet pavarësia?

Përgjigje: Propozimi është pozitiv edhe pse termi pavarësi nuk përmendet, pavarësia nuk përjashtohet. Gjithsesi ky dokument nuk e përjashton një gjë të tillë , sepse ajo që nuk përmendet, normalisht që vetëkuptohet. Dokumenti e përshkruan Kosovën si shtet të pavarur. Shkëputja e sovranietit të Serbisë mbi Kosovën , është ngjarje historike , pasi për këtë ne kemi vuajtur , kemi sakrifikuar, kemi bërë përpjekje .Populli i Kosovës më në fund do ta marrë fatin e vet në duart e veta. Për një periudhë kohore, natyrisht ne do të kemi këtu edhe praninë e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo mund të ngjajë si një ushtrim i përbashkët i sovranitetit për një periudhë. Eshtë po ashtu normale që Bashkësia ndërkombëtare të ketë ndroje për mbarëvajtjen e shtetit të ri të Kosovës , por me punën tonë ne do të tregojmë se jemi plotësisht të aftë të administrojmë shtetin që do ta kemi shumë shpejt.

Pyetje: Zoti Çeku, sipas jush, cilat nga pikat e paketës Ahtisari janë më të diskutueshme?A mos ka shkuar larg decenti në peshën e komunave , kam parasysh 6 komuna të pastra serbe me lidhje dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Beogradin?

Përgjigje: Decentralizimi është një pjesë e reformës së pushtetit lokal , e bazuar plotësisht në kartën evropiane për reformën e pushtetit lokal . Ne edhe si shtet demokratik që pretendojmë të jemi, na duhet ti aplikojmë standartet më të larta , për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve edhe të komuniteteve. Ky decentralizim e afron qytetarin me vendimarrjen dhe kontribon në plotësimin më të mirë të nevojave të qytetarit. Ajo që duhet të theksohet është se dokumenti i prezantuar dhe decentarilizimi, siç parashihet, ka tre të mira. Në rradhë të parë i jep fund strukturave paralele , pasi ne me këtë vetadministrim duhet ta pranojmë se, qysh tani jo ç'dokund në Kosovë shtrihet pushteti i qeverisë së Kosovës, jo ç'dokund vlejnë ligjet e Kosovës.Me këtë decentralizim , kjo bëhet, sepse zbatimin e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës dhe komunat që janë me përbërje serbe do të udhëhiqen në bazë të ligjeve të Kosovës.Gjithashtu, kjo është në formë të riintegrimit të Kosovës. Dokumenti i Ahtisarit përmban në një masë shumë të madhe rekomandimet tona.Eshtë bazuar në parimet më të avancuara, siç thashë evropiane.Serbët e Kosovës nuk rrezikojnë më Kosovën. kjo është e vërtetë , dhe këtë duhet ta pranojmë që komuniteti serb i kosovës ka shumë të drejta në krahasim me pakicat në vendet e tjera të rajonit. Mirëpo ne duhet të përpiqemi ti japim atyre sigurinë e nevojshme se asgjë e keqe nuk do t'ju vijë nga pavarësia e Kosovës, përkundrazi do jetojnë shumë më mirë nga ç'kanë jetuar më herët, apo nëse do të jetonin në Serbi.


Pyetje:Zoti Çeku, analistët gjermanë mendojnë se në të ardhmen, në Kosovë, do të krijohet një demokraci proporcionale , ku vendin e aftësive do ta zerë përkatësia etnike .Pra do të thotë kjo që në Kosovë mund të kemi një model të ngjashëm si në Bosnjë?


Përgjigje: Nuk jam dakord. Për një periudhë kohore do të aplikohet ajo që quhet afirmim pozitiv ose diskrimin pozitiv. Por në kuptimine rregullimit administrativ qëndror dhe lokal nuk mund të hiqet asnjë paralele me modelin boshnjak. Pikërisht, Bashkësia ndërkombëtare e ka parë se modeli boshnjak nuk është funksional dhe nuk zgjidhte shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e komuniteteve , duke u adresuar përmes krijimit të etnitetve . Ne kemi aplikuar këtu një model që shqetësimet të aplikohen përmes pushtetit lokal .Pra jo krijimin e etniteteve, sepse etnitetet duhet të kenë organet e tyre vendimarrëse, ekzekutive dhe legjislative.Pika ku ka ngjashmëri me Bosnjën është ajo e prezencës së ardhëshme civile. Ky është kompromisi i vërtetë për të cilën flet presidenti Ahtisari. Jo decentarlizimi, por prania civile e ardhëshme është kompromisi që po bëjmë për tj'u ofruar pakicave të gjitha siguritë e nevojshme që të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë , të bëhen pjesë e proceseve.

Pyetje:Zoti Çeku, ju vetë keni qenë edhe Komandant i TMK-s për një kohë të gjatë. Si e komentoni ju faktin për shpërbërjen e TMK-s dhe formimin e një force mbrojtëse në Kosove ?

Përgjigje: Kjo ka qenë një pikë që unë kam pasur vërejtjen kryesore.Dua të them se këtë aneks , Ahtisari nuk e ka negociaur me ne, por me anëtarët e Grupit të Kontaktit , të cilët, dhe ne duhet ta pranojmë se në fillim të këtij procesi ,formimin i kesaj forcave per disa ka qenë shumë hezitues dhe biles per disa te tjere ka qenë kundërshtues që Kosova ta ketë forcën e saj të mbrojtjes. Eshtë nje fakt i mirë që tani Kosova , pa dyshim do ta ketë forcën e vet ushtarake. Për shkaqe politike , të arsyeshme apo të paarsyeshme,Ahtisari ka përdorur një gjuhë që kur e lexon nënkupton se TMK-ja do të përjashtohet nga kjo forcë. Nuk është e vërtetë .Fillimi i krijimit të kësaj force tani ka filluar.Përgjegjësit e krijimit të kësaj force janë KFOR-i dhe TMK-ja Janë hartuar planet konkrete racionale dhe nuk ka asnjë dilemë që kjo forcë nuk do të dalë nga TMK-ja. Ku do ti marrin ne kapacitetet e nevojshme, kuadrot e nevojshme për këtë forcë , përveçse tek TMK-ja? Këtu përmendet në mënyrë shume decisive.TMK-ja pasi ta përmbushë objektivin e vet , brënda një viti do të shpërbëhet .Dhe objektivi i vetëm i TMK-s ka qenë që të shnndërrohet në forcë ushtarake.Gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm që jo çdo pjesëtar i TMK nuk mund ti përmbushë kriteret shumë rigoroze të një ushtrie moderne të NATO-s .Pra nuk ka arsye të kemi dy forca, por vetëm Forcën e Sigurisë së Kosovës e ndërtuar mbi përvojën dhe si vazhdimësi e TMK apo më herët edhe e UÇK-s.

Pyetje: Zoti Çeku, Paketa e ofruar nga Ahtisari vlerësohet si një proces në vijim drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës. Deri në statusin final , juve ju mbetet shumë punë për të bërë, apo jo, kam parasysh këtu edhe reagimet e ndryshme?

Përgjigje: Ne në rradhë të parë presim OK nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë. Ne gjatë këtij muaji do të kemi mundësinë që në takimet e veçanta me zotin Ahtisarin në Vjene ti japim komentet tona, vërejtjet, sygjerimet që ky propozim final të shprehë dhe ti përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës. Pas kësaj, Ahtisari në fillim të muajit mars, pra propozimin e tij final do ta dorëzojë në KS dhe ky propozim do të jetë bazë e adoptimit të një rezolute të re të KS , e cila do ta ndryshojë statusin e Kosovës , dmth.do ta definojë Kosovën si shtet të pavarur .Reagimet e mundshme , unë mendoj se pakicat ,perveç atyre serbe, janë plotësisht dakord me këtë që është propozuar dhe e gjejnë vehten dhe të ardhmen e tyre brënda Kosvës , me garancat që shteti i Kosovës i ofron. Garancat që i ofrojmë pakcës serbe gjithashtu janë të avancuara , bazuar në standartet më të larta dhe serbët e Kosovës nuk do të kenë asnjë arsye që të gjejnë ndonjë argument që nuk mund të jetojnë në këtë Kosovë . Pra nuk do të jetë punë e vështirë . Megjithatë , dihet që serbët e Kosovës sot kanë një agjendë politike të imponuar nga Beogradi , nuk janë të lejuar të vendosin vetë për fatin e vet, sepse kanë shumë paqartësi , kanë shumë brenga për pavarësinë . Por , sapo Kosova të shpallet e pavarur , atëhere, kjo pavarësi atyre do t'ua heqë shumë dilema dhe do ta kuptojnë se ajo çka iu ofron Kosova është më e mirë se sa ajo që iu ofron Serbia.

Pyetje: Zoti Çeku, cili është vlerësimi juaj për kontributin e Gjermanisë në realizimin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës?

Përgjigje: Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në Kosovë qysh në vitin 1999, por edhe më herët. Me prezencën e saj ushtarake këtu në Kosovë dhe me atë civile , Gjermania ka qenë një mbështetëse e fuqishme edhe në ringjalljen , rimëkëmbjen e Kosovës , të ekonomisë së Kosovës .Edhe tani në procesin e statusit , ka luajtur një rol shumë konstruktiv . Tani si udhëheqëse e rradhës e BE është duke luajtur një rol shumë pozitiv duke i bindur apo duke i mobilizuar të gjitha vendet e Unionit evropian që ta kenë një qëndrim dhe të flasin në një zë dhe në mbështetje të zotit Ahtisari .Mendoj që qëndrimi unanim , mbështetja pa rezerve e unionit evropian ndaj Ahtisarit është meritë edhe e Gjermanisë.