1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terminatori si mbrojtës i klimës

Kerstin Zilm3 Nëntor 2006

Guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger bëhet pararendës në politikën mjedisore të SHBA. Në çështjen e mbrojtjes së mjedisit, ai është distancuar gjithnjë prej presidentit Bush

https://p.dw.com/p/ArKB
Guvernatori i shtetit amerikan të Kalifornisë Arnold Schwarzenegger
Guvernatori i shtetit amerikan të Kalifornisë Arnold SchwarzeneggerFotografi: AP

Në kryeqytetin e Keniës, Nairobi, fillon këtë të hënë konferenca e Kombeve të Bashkuara për klimën. Mbi 6.000 pjesëmarrës nga e gjithë bota: shkencëtarë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe politikanë përgjegjës për mjedisin, këshillohen në "Kompleksin Gigiri" të Nairobit për dy javë mbi hapat e mëtejshëm në luftën kundër ngrohjes së Tokës. Temë e konferencës do të jetë edhe se si mund të shtyhen SHBA, emetuesi më i madh në botë i gazrave të efektit serë, që të njohin Protokollin e Kiotos. Një perarendës në çështjen e mbrojtjes së klimës vjen nga Kalifornia.

Arnold Schwarzenegger do të hyjë në historinë e Kalifornisë si "Guvernatori i mbrojtjes së mjedisit". Hap pas hapi ai po i afrohet këtij synimi. Në fund të shtatorit ish-ylli i filmave action nënshkroi ligjin më strikt në mbarë SHBA për zvogëlimin e gazrave të efektit serë. Deri në vitin 2020 emetimi i tyre duhet të ulet në nivelin e vitit 1990. Ky është një pakësim me rreth një të katërtën.

Guvernatori Schwarzenegger: "Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të ndaluar ngrohjen e Tokës përpara se të jetë tepër vonë. Ne do të jemi shembulli, të cilin do të djekin shtetet e tjera. Dikur do të na pasojë edhe qeveria në Washington. Më besoni!"

Në çështjen e mbrojtjes së mjedisit Schwarzeneggeri është distancuar gjithnjë prej presidentit Bush, jo vetëm tani në fushatën zgjedhore. Për planet e tij për ndalimin e ngrohjes së Tokës strategu i zgjuar, politik Schwarzenegger farkëton aleanca me kolegët e tij guvernatorë. Për shembull me George Patakin nga New York-u: "Një strategji konsekuente, e plotë, kombëtare do të ishte më mirë sesa të kishim shtete dhe rajone me planveprime alternative."

Edhe në rrafsh ndërkombëtar gjen guvernatori aleatë. Shtete evropiane kanë shfaqur interes për lidhjen e një marrëveshjeje me Kaliforninë për mbrojtjen e klimës. Kryeministri britanik Tony Blair, e përgëzoi përmes lidhjes me video legjislacionin udhëheqës për gazrat e efektit serë: "Dëshiroj t'ju përgëzoj ju, guvernator, për rolin tuaj të shënuar, pararendës në këtë temë. Synimi juaj ambicioz nuk është me rëndësi vetëm për Kaliforninë. Ai do të bëjë jehonë në mbarë botën."

Rezistencë has guvernatori Schwarzenegger prej sipërmarrësve. Përfaqësues të ekonomisë, të cilët kanë mbështetur shumicën e vendimeve të kryetarit të qeverisë, paralajmërojnë, se politika e tij mjedisore rrezikon klimën e investimit në Kaliforni.

David Montgomery i firmës këshilluese CRA:"Kjo është një pikë uji në shkretëtirë për sa i takon ngrohjes së Tokës. Kalifornia nuk do të kontribuojë shumë për reduktimin, por të paguaj një çmim të lartë. Ky është një problem global, i cili kërkon veprim ndërkombëtar."

Një sukses etape ka regjistruar Arnold Schwarzeneggeri për ligjin e nënshkruar prej tij në gusht për nxitjen e energjisë diellore. Me ndihmën e tij deri në 2018-ën një milion kolektorë diellorë do të vendosen mbi çatitë kaliforniane. Që prej nënshkrimit konstatohet një boom në biznesin me energjinë diellore.

Jacob Booze u specializua tre vjet më parë për furnizimin e shtëpive private me energji diellore. Ai pothuajse nuk i përballon dot porositë dhe është i entuziazmuar prej politikës mjedisore të Schwarzeneggerit:"E admiroj atë burrë. Shpresoj që ta ndryshojnë kushtetutën, në mënyrë që ai të mund të bëhet president."