1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrori mbërrin në Afrikën e Veriut

Jan Tussing, Rabat14 Prill 2007

Shumë vëzhgues tani shtrojnë pyetjen, se a ka ndonjë lidhje ndërmjet sulmeve të parandaluara në Marok dhe organizatës terroriste algjeriane.

https://p.dw.com/p/ArIs
Mbas atentatit të 11 prillit në Algjer
Mbas atentatit të 11 prillit në AlgjerFotografi: picture alliance/dpa

Në Kazabanka të Marokut, gjatë një bastisjeje kundër-terrorit, më 11 prill u hodhën në erë tre atentatorë vetëvrasës. Pak më vonë, në Algjeri, dy sulme terroriste masakruan një numër të madh njerëzish. Pas këtyre dy ngjarjeve u deklarua organizata "El Kaida në Magrebin islamik". Njerëzit në Algjeri dhe Marok janë të shqetësuar. Mbas sulmeve ata i ka kapur frika nga përhapja e dhunës në të gjithë Afrikën e Veriut.

Terrori mbërrin në Afrikën e Veriut, thotë shumica e vëzhguesve. Me futjen e organizatës terroriste algjeriane "Grupi Salafist për Predikim dhe Luftë" (GSPC) në strukturat e El Kaidës botërore, terrorizmi ndërkombëtar ka hyrë në një fazë të re. GSPC-ja lufton kundër regjimit në Algjeri që nga përfundimi i luftës civile. Në janar ajo e ktheu emrin nga "Grupi Salafist për Predikim dhe Luftë" në "Organizatën e El Kaidës për Magrebin Islamik". Tani ajo i ka zgjatur tentakulat e saj në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, paralajmëron politologu Louis Martinez nga qendra studimore franceze Ceri. "Ajo që mund të vëzhgohet sot është ngritja e një fronti të përbashkët, i cili ndoshta tani është ende i lëkundur, por që gjithsesi është i bashkuar dhe mund të zgjatet nga Tangeri e gjer në Kajro. Ata përpiqen të destabilizojnë një rajon të tërë, shoqërinë dhe ekonominë e tij, që në fakt synon të integrohen në Bashkimin Evropian."

Data 11 prill u zgjodh enkas, sipas stilit të El Kaidës, për të kujtuar me vetëdije 11 shtatorin në Nju Jork dhe 11 Marsin në Madrid dhe shumë sulme të tjera të zhvilluara në datën 11. Por, se cilat janë synimet e El Kaidës së re të Magrebit, është ende e paqartë. Ajo që dihet janë armiqtë e shpallur, të cilët udhëheqësit të saj, Abu Musab al Vudud, i numëron në një mesazh të regjistruar në një video që ua dërgoi myslimanëve në janar të këtij viti: Në krye të listës janë ata që mendojnë ndryshe, që janë larguar nga besimi, pastaj vijnë ish-kolonalistët francezë, dhe shtetasit e Shteteve të Bashkuara dhe në vendin e tretë është qeveria algjeriane. A do të ketë sulme të tjera ndaj këtyre tani në Afrikën e Veriut? A do të prekin këto sulme tani edhe turistët, që bëjnë pushime në Marok dhe Tunizi? Hasni Abidi nga insituti i studimeve CERNAM i shikon ngjarjet e Algjerit dhe Kazablankës të ndërlidhura: "Të dy këto atentate vijnë në Marok dhe Algjeri në një periudhë të vështirë. Në vend ekziston frika e ardhjes në pushtet të islamistëve, në se zgjedhjet mbahen tërësisht të lira dhe PJD-ja del fituese."

PJD-ja është fantazma e frikshme për qeverinë marokane. "Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit" është krahu politik i islamistëve të moderuar, që sipas pyetësimeve më të fundit, mund të marrë deri në 70 për qind të votave. Zgjedhjet e reja në Marok do të mbahen në shtator. Edhe pse ajo nuk mbështet në asnjë mënyrë aksione militantësh, në popull ata gëzojnë reputacionin e një opozite të përligjshme. Monarkia vetë sheh tek ata një kërcënim të madh, konstaton Hasni Abidi. Qendra kërkimore e tij merret me zhvillimet politike në botën arabe dhe mesdhetare. Ai thotë se edhe në Algjeri shenjat nuk janë të mira: "Mbas ndalimit që iu bë një partie të rëndësishme, partisë së zotit Xherbala, flitet për një kthim të funksionarëve të Frontit të Shpëtimit Islamik dhe të ndryshimit të elektoratit. Unë besoj se situata politike luan një rol tek të dy këto atentate dhe se ato do të lënë gjurmë në hartën politike të Marokut dhe Algjerisë".

Kjo ndihet që tani: Klima politike ka ndryshuar edhe në Marok dhe Tunizi. Autoritetet zyrtare janë në gjendje të lartë alarmi dhe po thellojnë luftën kundër gjithçkaje islamiste. Të dy këto vende jetojnë nga turizmi. Mjaftojnë titujt negativë nëpër media për t’ua hequr evropianëve dëshirën e udhëtimeve. Prandaj nuk është për t’u nënvleftësuar fakti, që edhe vetë mbreti marokan shpreh solidaritetin me presidentin algjerian, Bouteflika, i cili në përgjithësi nuk është shumë i dëshiruar: "Ne jemi të gatshëm", thotë Mohammed VI, "të bashkëpunojmë me të gjithë udhëheqësit e pesë shteteve të Magrebit për të mbrojtur popujt dhe vendet tona dhe për të shmangur rreziqet e terrorizmit dinak dhe të përçmueshëm." Nisur nga fakti, që marrëdhëniet mes Marokut dhe Algjerisë prej kohësh janë të akullta, këto fjalë tregojnë se në fatkeqësi edhe kundërshtarët politikë dinë si t’i shtrëngojnë radhët.