1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi përforcon se do të padisë Dick Marty-n për akuzat e ngritura ndaj tij

21 Dhjetor 2010

Dick Marty duhet të përgatisë avokatë të mirë, nëse do të arrijë të gjejë dikë që ta mbrojë, sepse ai nuk do t'i shpëtojë drejtësisë për shpifjet e tij, i tha Thaçi agjencisë së lajmeve Reuters.

https://p.dw.com/p/QhJ8
Hashim Thaçi
Hashim ThaçiFotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha të hënën (20.12), se do të padisë për shpifje raportuesin e Këshillit të Evropës, i cili e ka akuzuar atë të jetë bos i kriminalitetit të organizuar i përfshirë në tregti droge dhe organesh njerëzore.

Dick Marty duhet të përgatisë avokatë të mirë, nëse do të arrijë të gjejë dikë që ta mbrojë, sepse ai nuk do t'i shpëtojë drejtësisë për shpifjet e tij, i tha Thaçi agjencisë së lajmeve Reuters në një intervistë. Ai nuk dha hollësi të tjera. Thaçi është shprehur, se rasti në fjalë është hetuar tri herë: prej misionit të OKB-së në Kosovë, më pas prej institucionesh të tjera lokale dhe Tribunalit të Hagës dhe më vonë prej EULEX-it.

Raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty
Raportuesi i Këshillit të Evropës Dick MartyFotografi: picture alliance/dpa

EULEX kërkon nga Marty dëshmi

Qëllimi i këtij raporti është dëmtimi i imazhit të Kosovës, i popullit të saj dhe i tërë shqiptarëve në rajon, të ngadalësojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, të bllokojë nisjen e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe të vonojë krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq misioni i BE-së për drejtësi në Kosovë, EULEX, i ka kërkuar Martyt, t'u dërgojë prokurorëve në Prishtinë dëshmitë që ka.

Autor: Elert Ajazaj (rtr, dpa)

Redaktoi: Lindita Arapi