1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Themelimi i një OPEC-u të gazit?

Esther Hartbrich23 Dhjetor 2008

Shtetet eksportuese të gazit duan të bashkëpunojnë më ngushtë

https://p.dw.com/p/GM2G
Pamja simbolizon gazin nga Rusia, Katari dhe Irani.Fotografi: AP/picture-alliance/dpa/DW

Themelimi i një karteli për gazin në bazë të organizatës së shteteve eksportuese të naftës (OPEC) po merr formë. Moska ka ftuar sot (23.12) shtete të ndryshme për takimin themelues, pjesëmarrës janë ministrat e energjisë të katërmbëdhjetë vendeve eksportuese të gazit. SHBA dhe BE shprehën paraprakisht rezerva se karteli i ri mund të ngrejë me marrëveshje çmimet, njësoj si OPEC-u.


Forumi i themeluar në vitin 2001 i shteteve eksportuese të gazit do të shndërrohet në një organizatë më kompakte, me më shumë ndikim. Me nënshkrimin e tyre nën një statut të ri, ministrat e energjisë të 14 vendeve pjesëmarrëse, midis tyre Algjeria, Libia, Venezuela dhe Indonezia vënë gurin e themelit. Rusia, Irani dhe Katari, të cilat së bashku zotërojnë më shumë se gjysmën e rezervave të përbotshme të gazit e iniciuan në tetor themelimin e kësaj organizate.


Organizata e vendeve eksportuese të gazit do të koordinojë politikën e gazit, do të përmirësojë këmbimin e informacionit midis vendeve dhe do të bashkërendojë strategjitë e nxjerrjes dhe të tregtimit të gazit.


Aleksandër Medvedjev, zëvendëskryetari i kryesisë së monopolistit rus të gazit Gazprom tha se nuk mund të bëhet fjalë për një kartel gazi sipas modelit të OPEC-ut:


"Mekanizmat e OPEC-ut nuk mund t'i përdorësh në tregun e gazit. Mekanizmi bazë i OPEC-ut bazohet në kuotëzimin e prodhimit, për të ndikuar çmimet. Në rastin tonë kjo nuk bëhet, sepse biznesi ynë bazohet në marrëveshje afatgjata. Shpresoj që kjo edhe të mbetet kështu. Marrëveshjet përmbajnë detyrime reciproke, të përcaktuara me përpikmëri të furnizuesve dhe klientëve."


Me koncernin energjetik gjerman E.On dhe bijën e BASF-së Wintershall, Gazpromi ka lidhur për shembull marrëveshje deri në vitin 2036 përkatësisht 2043. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se gazi arrin te marrësi përmes tubacioneve, të ashtuquajturave pipeline. Ai nuk mund të transportohet si nafta me tren ose anije. Prandaj nuk ka një treg botëror për gazin dhe çmimi i tij është i lidhur me çmimin e naftës.


Gazi i lëngshëm, i cili është i transportueshëm edhe me anije, mund t'i ndryshojë këto raporte. Por lëngëzimi i gazit kushton shumë. Gati një e katërta e energjisë së dërguar është e nevojshme, për ta ftohur gazin në minus 162 gradë celsius dhe për ta ruajtuar këtë temperaturë gjatë transportit. Prandaj tregu i gazit të lëngshëm është ende i vogël.


Rusia kontrollon 22 për qind të tregut botëror të gazit. Në organizatën e re ajo do të jetë në këtë mënyrë shteti më i rëndësishëm dhe përcaktues i drejtimit. Interesi i saj është që të lidhë pas vetes shtete të tjera eksportuese të rëndësishme të gazit, si Irani, Katari dhe shtetet e Azisë qendrore dhe që të kontrollojë eksportin e tyre dhe rrugët e eksportit. Moska synon që me këtë t'u dalë përpara SHBA dhe BE, të cilët kërkojnë furnizues alternativë të gazit dhe rrugë transporti jashtë Rusisë.


AUD / Aj