1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Themelko: në Shqipëri politika ndaj minoriteteve nuk ka ndryshuar që nga koha e komunizmit

13 Tetor 2011

Edmond Themelko, kryetar i partisë aleanca maqedonase për integrimin evropian dhe kryetar bashkie i komunës së Prespës, flet për procesin e rregjistrimit të popullsisë në Shqipëri dhe ankesat e minoritetit maqedonas.

https://p.dw.com/p/12rSQ
Fotografi: DW 100

DW: Për tri javë rresht në Shqipëri zhvillohet regjistrimi i popullsisë dhe i banesave. Në formularët e INSTAT-it janë përfshirë si fakultative edhe pyetjet për etninë dhe fenë. Sa reale i shihni ju si përfaqësues i pakicës maqedonase mundësitë për vetëdeklarim në këtë regjistrim?

Themelko: Ne sa herë si organizata për mbrojtjen e të drejtave të maqedonasve në Shqipëri e kemi ngritur zërin dhe kemi bërë kërkesë në kontinuitet, që të ketë një regjistrim të popullsisë, ku të ketë paragraf për përkatësinë etnike dhe të gjithë maqedonasit që nuk janë të njohur nga sistemi komunist i mëparshëm që të kenë mundësi që të njihen në kushtet e sotme të demokracisë, gjë që u tregua se në Shqipëri lidhur me politikën ndaj minoretetit maqedonas nuk ka ndryshuar sistemi, akoma po vazhdohet me politikat e sistemit komunist të Enver Hoxhës.

DW: A i redukton ndryshimi i nenit 20 të ligjit për censusin, sipas të cilit refuzimi, ose deklarimi i rremë dënohet me gjobë, shpresat tuaja për të deklaruar etninë në census?

Themelko: Në bazë të ligjit të censusit neni 20 aty është e qartë, se kur ndonjëri jep dëshmi të rreme dhe në konsultimet, që janë bërë edhe nëpërmjet medias, dëshmi të rreme quhen edhe në qoftë se në gjendje civile nuk je shënuar si minoritar, do të ketë gjobë rreth 1000 dollarë. Pra ekziston frika e gjobës tek maqedonasit, të cilët nuk janë regjistruar si maqedonas, u është ndërruar, apo nuk janë regjistruar si maqedonas nga sistemi i kaluar. Prandaj ne si minoritet maqedonas dolëm bashkë me minoritetet e tjera në një deklaratë të përbashkët, që ky ligj për censusin nuk është me frymë demokratike dhe nuk do të tregojë realitetin e minoritetit maqedonas në Shqipëri, prandaj ne që në fillim bëmë thirrje për ndryshime, por nuk pati vullnet nga politika shqiptare, që të bëjë një ligj të mirë.

DW: Pra ju mendoni që secili të deklarohet si të dojë?

Themelko: Të deklarohet siç është në të vertetë, unë flas në emër të minoritetit maqedonas. Minoritetit maqedonas në Shqipëri i është njohur vetëm pesë përqind e numrit të tyre real, vetëm në komunën në zonën e Prespës. Në zonat e tjera që janë të banuara 100% me maqedonas, siç janë 17 fshatra në zonën e Gollobordës dhe fshatra në Gorë të Kukësit, ata nuk njihen. Megjithatë edhe këtu, ku njihemi si maqedonas në Prespë, në qoftë se njëri nga Prespa gjatë kohës së komunizmit apo edhe tani largohet, punon, ose merr vendbanim në një qytet tjetër, kjo e drejtë i mohohet, sepse njihen maqedonas vetëm në territorin e komunës së zonës së Prespës. Ka një numër të mjaftueshëm nga këto tri zona, që janë nëpër qytete, si në Korçë, në Pogradec, në Elbasan, të cilët nuk kanë mundësinë përmes këtij ligji të deklarohen ashtu siç janë në të vërtetë, që janë maqedonas.

DW: Mendoni se ka njerëz, që janë të gatshëm për të paguar gjobën, për të marrë kombësinë?

Themelko: Absolutisht nuk e besoj, se ndonjëri do të paguajë gjobë. Ne prisnim të kishte një politikë tjetër, duhej të kishte një klimë më të mirë nga ana e politikës.

DW: E keni fjalën nga ana e qeverisë?

Themelko: Jo vetëm nga ana e qeverisë, por edhe nga aktorë të tjerë, që janë në shoqërinë shqiptare. Ne nuk e mendonim se mohimi i së drejtës, që është bërë nga sistemi komunist do të vazhdojë sot me presionet  nga Aleanca Kuq e Zi dhe partia e Çamëve PDU, që nëpërmjet deklarimeve të tyre bëjnë ditë për ditë presion psikologjik ndaj minoriteteve, që të mos deklarohen lirshëm, se do të ketë gjoba, ose do të ketë pasoja. Domethënë politika dhe shoqëria shqiptare akoma nuk na shikon ne minoritetet si pjesë, si pasuri e shoqërisë shqiptare, por akoma ka stereotipe, ka një frikë, që akoma nuk e kuptojmë. Pra nuk është e keqe e Shqipërisë, në qoftë se numri i maqedonasve tregohet  aq sa është. Përkundrazi do të jetë diçka plus diçka më e mirë, sepse secili qytetar, taksapagues i rregullt i shtetit shqiptar, secili maqedonas do të ndihet i lirë dhe do të zhvillohet më mirë edhe shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar.

DW: Çfarë qëndrimi do të mbani ndaj rezultatit të censusit?

Themelko: Para se të fillojë censusi bëmë takim me të gjitha minoritetet edhe me minoritetin tonë me përfaqësuesit e Misionit të Këshillit, përmes tij ia bëmë të njohura këto shqetësime Këshillit të Evropës. Besoj që ne nuk do t'i njohim rezultatet e këtij regjistrimi, sepse nuk janë reale, janë të detyrueshme dhe të dirigjurara. S'kishte nevojë të kishte paragraf me përkatësi etnike, kur janë regjistrat e gjendjes civile, le të dilnin me ato numra, që janë në gjendjen civile. S'kishte nevojë të bëhej një regjistrim i popullsisë në Shqipëri. Prandaj kërkojmë të bëhet një regjistrim i ri, ku me të vertetë secili shtetas i republikës së Shqiperisë lirshëm të deklarojë veten e vet ashtu siç e ndien në realitet dhe jo i imponuar.

Intervistoi: Angjelina Verbica

Redaktoi: E. Xhani