1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Korrupsioni në nivel të lartë në prag të hetimit të

13 Dhjetor 2018

Ngrihen KLGJ dhe KLP, në vijim Struktura Speciale Antikorrupsion dhe Byroja e Hetimit. Krijimi i KLGJ dhe KLP vlerësohet si themeli i funksionimit në Shqipëri të drejtësisë së reformuar.

https://p.dw.com/p/3A3Nr
Symbolbild - polizeiliche Festnahme
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Zinken

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, (KLP) , dy institucione kyҫ për zbatimin e reformës në drejtësi, u formuan këtë javë. Gjyqtarë dhe Prokurorë, që kaluan sitën e vettingut, u zgjodhën të martën (11.12) dhe të mërkurën (12.12) për qënë anëtarë të këtyre këshillave . Ngritja e tyre u bë e mundur pas përfundimit të procesit të vettingut të rreth 800 gjykatësve dhe prokurorëve dhe identifikimit të atyre që mbetën në sistemin e ri të drejtësisë.

Krijimi i KLGJ dhe KLP vlerësohet si themeli i funksionimit në Shqipëri të drejtësisë së reformuar. Ambasadorët e vendeve të BE në Tiranë, OSBE, dhe SHBA e përshëndetën në mbrëmjen e të mërkurës (12.12) ngritjen e këtyre dy institucioneve  dhe e konsideruan  "vendimtare për zbatimin e reformës në drejtësi” duke i cilësuar ato si "dy shtylla të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor”. Sipas ambasadorëve të vendeve të BE ngritja e dy institucioneve: ”konfirmon pakthyeshmërinë e reformës dhe suksesin e procesit të vettingut, si një bazë e domosdoshme për krijimin e të gjitha institucioneve të reja gjyqësore”.
Ambasada e SHBA në Tiranë, e sheh ngritjen e KLGJ dhe KLP, si "një hap që do ndryshojë historinë e Shqipërisë, si një hap vendimtar në zëvendësimin e një sistemi të prishur drejtësie me një sistem me integritet, që përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë dhe rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. OSBE vlerëson KLGJ dhe KLP  si "dy institucione themelore për një sistem drejtësie plotësisht funksional, të pavarur, profesional dhe të besueshëm”

Drejtësia e re përballë korrupsionit në nivel të lartë

Ngritja e KLP i hap rrugën krijimit të Strukturës së Posaҫme Anti Korrupsion ( SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit edhe zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përhershëm, institucione shumë të rëndësishme në funksionimin e Drejtësisë së Reformuar. Ndërsa KLGJ zhbllokon stanjacionin e krijuar në emërimet dhe transferimet në gjykata për shkak të vakuumit që ka krijuar dalja jashtë sistemit prej vettingut të një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh. Ky institucion i hap rrugën ngritjes së një institrucioni tjetër të ri, si Gjykata e Posaҫme Antikorrupsion,   plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilat aktualisht nuk funksionojnë për shkak të mungesës së numrit të anëtarëve, të parashikuar në ligj. Institucionet kushtetuese të drejtësisë së reformuar po shkojnë drejt krijimit të tyre. Vetëm  kur ato të funksiononjnë mund të thuhet se ka filluar zbatimi  i reformës në drejtësi.

Qytetarët e Shqipërisë kanë pritshmëri të larta nga strukturat e reja të drejtësisë. Ata presin që SPAK; Gjykata Speciale Antikorrupsion dhe byroja Kombëtare e Hetimit të hetojnë dhe gjykojnë korrupsionin në nivel të lartë, politikanë dhe ish-politikanë. Byroja Kombëtare e Hetimit ka si mandat kryesor të aktivitetit të saj hetimin e zyrtarëve të lartë, sipas modelit të FBI amerikane si edhe detyra specifike.

Mbështetja nga BE dhe SHBA në funksionimin e këtyre strukturave do të jetë e rëndësishme. Burime zyrtare thanë për DW, se në strukturën e SPAK do të kenë zyrat e  tyre ekspertë nga BE-ja dhe SHBA-ja.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana