1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tone të ashpra duke tejkaluar thelbin - Me spote agresive politikanët e ShBA nisin luftën elektorale

Jens Borchers30 Shtator 2006

Përpara pak ditësh gazeta "New York Times" publikoi një anketim, që i përkëdhel disi sedrën kongresit të ShBA: 25% e të pyeturve janë të bindur, që përfaqësuesit e popullit punojnë mirë. Shumica dërmuese mendon, se antarët aktualë të kongresit nuk duhet të rizgjidhen. Vetë politikanët e shohin këtë ndryshe. Ata po bëjnë ç´është e mundur që të rifitojnë mandatin në zgjedhjet e ardhëshme. Në luftën elektorale në radhë të parë synohet të dëmtohet imazhi i kundërshtarit politik, duke mos marrë parasysh aspak mënyrën se si bëhet kjo.

https://p.dw.com/p/ArKL

Zëri në spotin elektoral ngjall frikë për terrorizëm dhe në fund shtron pyetjen, nëse duhet t´i dëgjojë qeveria telefonatat e dyshimta. Spoti elektoral është i Nansi Xhonsonit. Qysh prej 24 vjetësh ajo është antare e kongresit për republikanët. Ajo është, që presidenti Bush të udhëzojë përgjimin e telefonave në Amerikë pa marrë paraprakisht lejen e ligjshme. Kundërshtari i saj Kris Mërfi i demokratëve është kundër kësaj. Për këtë arësye Nensi Xhonson në spotin e saj thotë: Mërfi ka qëndrim të gabuar për sigurinë kombëtare, ndaj ai nuk është njeriu i duhur për Amerikën. Një ditë më vonë vjen përgjigja e Kris Mërfit përmes radios dhe televizonit. Akuza e tij: Nensi Xhonson rrezikon sigurinë kombëtare. Dëshmia e tij për këtë është, se ajo mbështet politikën e Irakut të Xhorxh Bushit. Analiza më e fundit e shërbimit sekret tregon, se lufta e Irakut e ka bërë më të pasigurtë Amerikën. Dhe për këtë është Xhonson bashkëfajtore.

Nensi Xhonson është e gatshme të bëjë gjithçka, thotë zëri në spot, vetëm që të ruajë kolltukun në kongres. Përmbajtja e spoteve radifonike, televizive dhe atyre në internet është e ashpër dhe shpesh herë aspak në përputhje me çështjen. Kandidatët republikanë pjesërisht kanë nisur qysh vitin e kaluar të hulumtojnë mbi jetën e rivalëve të mundshëm demokratë. Ky ka qenë si të thuash një rekomandim nga qendra e partisë së republikanëve. Një hulumtim për kundërshtarin politik mund të kushtojë deri në 20.000 dollarë, por shprehimisht: "këto janë para të investuara mirë." Korrespondenti prej shumë vjetësh në Uashington, Huan Uilliams thotë: "Këto janë atakime ndaj sfondit personal të kundërshtarit politik. S´kemi të bëjmë me luftën e Irakut, dhe as me tema kombëtare. Çështja është, nëse mund të bllokosh kundërshtarin politik dhe ta përlyesh atë."

Mesazhi në qarqet elektorale ka mbërritur. Steve Kagan, kandidat demokrat në shtetin federal Viskonsin, sulmohet, sepse ai ka paditur pacientin që s´ka paguar faturën mjekësore. Republikanët e damkosin atë tani si "Dr. milioner". Por kandidatët e partisë demokrate punojnë në të njëjtën mënyrë. Hidhër Uillson, republikane nga Arizona, bëhet përgjegjëse për çmimet e larta të benzinës. Tek e fundit ajo ka marrë donacione prej industrisë së naftës.

Duket se këto fushata negative funksionojnë, thonë këshilltarët e politikanëve. Nëse nuk do të ishte kështu, argumentojnë ata, atëherë kandidatët me paratë e donacioneve me siguri që do të paguanin për mesazhe të tjera. Në fokus janë personat, tiparet e karakterit, kredibiliteti dhe imazhi publik. Ky imazh i kundërshtarit synohet të përlyhet sa më shumë të jetë e mundur. Eshtë disi e çuditshme që kongresistët e bëjnë veten të padëshirueshëm prej zgjedhësve kur vetëm 25% e tyre e vlerësojnë pozitivisht punën e antarëve të kongresit.