1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trazira dhe bllokime paqësore me ulje

Monika Dittrich7 Qershor 2007

Kundërshtarët e globalizimit vazhdojnë të bllokojnë rrugën për në Heiligendamm

https://p.dw.com/p/AqwQ
Policia shikon se si protestuesit bllokojnë një rrugë drejt Heiligendamm-it.
Policia shikon se si protestuesit bllokojnë një rrugë drejt Heiligendamm-it.Fotografi: picture-alliance/dpa

Mbrëmë nisi me një darkë jozyrtare në vendin bregdetar të kurimit Heiligendamm samiti triditor i G8-ës. Krerët e shteteve dhe të qeverive të shteteve të industrializuara më të fuqishme do të trajtojnë ndër të tjera temën e ndryshimit të klimës, ekonominë botërore dhe varfërinë në Afrikë. Samiti është halë në sy të kundërshtarëve të globalizimit, të cilët nuk e konsiderojnë atë të ligjshëm. Edhe për këtë arsye demonstruesit kanë bllokuar rrugët që çojnë në Heiligendamm.

'Është definitivisht taktikë frikësimi. Që të mos ndihesh mirë, është fare e qartë. Është zhurmë e madhe dhe ata gjenden mbi ty. Je si i pambrojtur.'

Disa helikopterë fluturojnë në qiellin e kaltër, por demonstruesit nuk largohen. Mijëra vetë marshojnë përgjatë fushave të gjelbra midis Bad Doberan-it dhe Heiligendamm-it. Që me mengjes kanë dalënga kampet e fushimit dhe janë nisur. Synimi i tyrë është të bllokojnë rrugët që çojnë për në vendin e mbledhjes së samitit të G8-ës në Heiligendamm.

Herë pas here grupe të vogla demonstruesish shkëputen nga masa duke iu shmangur kështu pikave të kontrollit të policisë dhe duke shpërqendruar policët:

'Kjo që shihni këtu është taktika e pesë gishtërinjve. Policia vjen me helikopterë, lëshon njëqind policë dhe ne shfrytëzojmë hapësirën e lëndinave, shpërndahemi dhe depërtojmë në këtë mënyrë policinë. Tri herë kemi pasur sukses. Tani jemi ulur në rrugë dhe nuk largohemi.'

Policët përpiqen t'i ndalin demonstruesit. Nën diellin e drekës ata djerësijnë me uniformat e tyre të zeza dhe helmetat e rënda. Ndërkaq kritikët e globalizimit ia dalin vazhdimisht të thyejnë bllokimet e policisë; dikur mijëra demonstrues gjenden mu përpara gardhit të sigurisë, i cili duhet të izolojë për kilometra të tëra territorin e mbledhjes rreth Heiligendamm-it.

Është një fitore e demonstruesve dhe një provokim për policinë. Në fund të fundit kjo është zona e ndaluar e samitit të G8-ës, këtu nuk lejohet të demonstrohet - edhe gjykata kushtetuese e rikonfirmoi. Policia i zbraps bllokuesit me makina ujëhedhëse, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Megjithatë strategjia e saj është shtensionimi, siç thotë zëdhënësi i policisë Axel Falkenberg:

'Ne mundemi dhe duam ta mbështesim protestën paqësore duke e mbrojtur atë, sepse ky është synimi dhe detyra jonë. Këtë e arrijmë me mënyrën sesi sillemi me demonstruesit. Me masat tona përpiqemi të kontribuojmë në shtensionimin e gjendjes, që protesta të regjistrohet edhe nga jashtë. As më shumë e as më pak.'

Por jo të gjithë demonstruesit i përmbahen marrëveshjes për protestë paqësore. Të ashtuquajtur autonomë të veçantë qëllojnë me gurë daj policëve. Dhuna është pjesë e protestës thotë njëri prej tyre.

Deri tani në aksionet kryesisht paqësore të bllokimit përreth Heiligendamm-it kanë marrë pjesë rreth 10.000 vetë. Për kundërshtarët e samitit ky është një sukses i gëzueshëm dhe mënyra e tyre për të shprehur se nuk pajtohen me politikën e shteteve të G8-ës.