1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre të vrarë nga sulmi me armë zjarri në komunën e Deçanit

Bekim Shehu
27 Nëntor 2021

Ende nuk dihet asgjë për rrethanat apo motivet e sulmit me armë zjarri drejt një autobusi në komunën e Deçanit.

https://p.dw.com/p/43YxX
Kosovo Bus Attacke
Fotografi: AP/picture alliance

Tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbi një autobus në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit, në perëndim tē Kosovës. Sipas policisë së Kosovës mbi autobusin që po qarkullonte nga Gjakova për në Deçan u qëllua me zjarri në orët e mbrëmjes. I vrarë mbeti shoferi i autobusit dhe dy nxënës të lindur më 2003 dhe 2004, njoftoi policia.

Prokuroria Speciale tha se ka filluar hetimet por tash për tash ende nuk dihet asgjë për rrethanat apo motivet e incidentit. Kryetari i komunës se Deçanit, tha se autobusi mbi të cilin u qëllua me armë zjarri dhe ku u vranë tre persona, në mesin e tyre dy nxënës ishte linjë që transportonte nxënës. Sipas zëvendësdrejtorit të policisë në rajonin e Pejës, Veton Elshani, besohet se ishte një sulmues i maskuar, i cili qëlloi mbi autobusin me të cilin po udhëtonin tetë të rinj. Ai shtoi se “nuk ka arsye për të besuar se bëhet fjalë për sulm terrorist”.

 

Kosovo Bus Attacke
Fotografi: AP/picture alliance

Osmani: Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan

Incidenti ku mbetën tre persona të vrarë u dënua nga udhëheqës institucionesh e partish politike. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi tronditës lajmin për sic tha ajo, "aktin kriminal në Gllogjan”, duke bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të incidentit dhe vënien e autorëve para drejtësisë. "Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkroi presidentja Vjosa Osmani. E kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke u shprehur ngushëllime familjeve të të vrarëve tha se "policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi”.

Edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, u shpreh “thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës! Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë! Autorët meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor!”, shkroi Meta!

Kurse Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkroi në rrjetet sociale se “jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, shkroi Rama ne Facebook!