1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre vjet pas ngjarjeve të 11 Shtatorit

Miodrag Zoriç10 Shtator 2004

Në 11 shtator 2001 u vranë në Shtetet e Bashkuara, në aktin terrorist më të tmerrshëm në historinë e terrorizmit, rreth 3000 vetë. Terrorristët i përkisnin rrjetit të Al-Kaidës. Pak pas vrasjes masive në Nju Jork, presidenti amerikan Xhorxh Bush i hapi luftë të hapur terrorizmit ndërkombëtar, luftë kjo, që askush nuk ja di fundin

https://p.dw.com/p/ArSM
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush
Presidenti amerikan, Xhorxh BushFotografi: AP

Amerika është një vend në luftë, deklaron presidenti amerikan Xhorxh Bush herë pas here. Dhe me të vërtetë tre vjet pas atentateve të 11-shtatorit, fuqia botërore i paraqitet njerëzimit me të gjithë fuqinë e saj ushtarake. Megjithatë superfuqia e botës, Amerika mund të plagoset si kurrë më parë. Në Irak janë vrarë me mijëra ushtarë, Në Afganistan vazhdon lufta kundër terrorizmit, vetë në Amerikë lëshohet herë pas here alarmi i terrorit.
Mbrojtje 100% nga sulmet terroriste nuk ka. Kjo aq më tepër kur sulmet terroriste inicohen nga grupe fanatikësh dhe nga rrjete, të cilat funksionojnë në disa shtete dhe nuk janë të lidhura me ndonjë lloj hirearkie me njëra tjetrën. Ajo çfarë i bashkon këto grupe është përzierja e urrejtjes me refuzimin ndaj qeverive të korruptuara të vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë kundër perëndimit qe i mbështet ato. Në të njëjtën kohë me urrejtjen ndaj politikës perëndimore urrehet edhe kultura dhe feja e këtyre vendeve.
Megjithëse ky fenomen nuk është i ri,- e re është vetëm rritja e dhunës- amerikanët pyesin veten nga vjen kjo urrejtje ndaj tyre, duke mos parë këtu se vetë ata kanë kontribuar në këtë pikë. Përmes aleancave me diktaturat e Botës së tretë dhe mungesën e interesit për ecurinë në pjesën më të madhe të vendeve të pazhvilluara. Mjafton një vështrim në lajmet kryesore të mbrëmjes të kanaleve amerikane për të kuptuar se temat ndërkombëtare gati nuk trajtohen në median televizive amerikane. Opinionit amerikan i mjafton vetvetja, imazhi i tij mbi pjesën e mbetur te botës është i ngulitur tashmë në mendje dhe gati i paluhatshëm.

Madje vetë Evropa preket nga ky fenomen: Vështrimi i Sh.B.A ndaj Evropës nënkupton: kur të vijë puna anglezët janë gjithmonë me amerikanët, ndërsa francezët më shumë kundër Shteteve të bashkuara. Në këtë hartë mendore të amerikanëve Gjermania është diku mes Anglisë dhe Francës. Që disa vende evropianoperëndimore nuk qëndruan në anën e Shteteve të Bashkuara në çështjen e Luftës së Irakut, i zhgënjeu amerikanët dhe kjo ka lënë gjurmët e saj në administratën e Bushit. Deri në pikën e vlerës së vërtetë të Natos. Që Shtetet e Bashkuara diskutojnë rëndësinë dhe vlerën e Natos, tregon se sa kanë ndryshuar kohët.

Tre vjet pas ngjarjeve të 11 shtatorit është bërë e qartë se: 11.9 ishte një datë me përmasë historike, një datë që ndyshon epokat. Politika botërore ka ndryshuar në mënyrë dramatike. 15 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë botës i kërcënohet një tjetër ndarje më dysh, ndarje kjo, në të cilën kanë pjesën e tyre edhe Shtetet e Bashkuara. Përmes formulës mjaft të thjeshtë por edhe mjaft të rrezikshme: Kush nuk është me ne, është kundër nesh.
Shtrohet pyetja sa e besueshme është politika amerikane, kur nga njëra anë ajo ngre pretendimin e mbrojtjes së demokracisë dhe të drejtave njerëzore, dhe nga ana tjetër krijon aleanca me diktaturat?
Sa mund t'a bindin botën amerikanët se ata janë shembull kur vetë i shkelin ato synime për të cilat thonë se luftojnë? Kujtojmë këtu Guantanamon dhe Abu Graibin.

Tre vjet pas fillimit të luftës kundër terrorizmit, bota nuk është bërë më e sigurtë. Përkundrazi. Në Afganistan janë akoma aktivë talibanët. Superterroristi Bin Laden është akoma i lirë, dhe përkrahësit e tij shtohen, madje edhe në Irak. E njëjta gjë vlen për Lindjen e Mesme. Qeveria amerikane mbron indirekt Izraelin dhe në këtë pikë e ka humbur besimin.

Kështu premtimi i Bushit për demokratizimin e botës arabe ka ngjallur më shumë dyshime. Kursi i politikës së jashtme amerikane e ka kthyer këtë plan në fasadë zbukuruese. Dhe në rast se kanë ekzistuar dikur shpresat, sot ka zhgënjim të thellë. Në politikë fjalët duhet të jenë fjalë, pas së cilave veprohet me të vërtetë.