1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Treni ndalet në kufirin Kosovë - Serbi

25 Gusht 2009

Afro 100 vetë të apasionuar pas trenave nga Gjermania dhe vende të ndryshme të Evropës, realizuan udhëtimin e tyre nga Gjermania në Kosovë. Itinerari nuk doli siç ishte planifikuar. Treni u ndal në kufirin Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/JID6
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pasionantët e trenave, shumica në moshë të shtyrë, u nisën nga Augsburgu i Gjermanisë, kaluan disa shtete dhe nga Serbia dëshironin të hynin në Kosovë. Por, në kufirin Kosovë Serbi në Zveçan u detyruan të lënë trenin, sepse hekurudhat e Kosovës dhe ato të Serbisë nuk komunikojnë me njëra tjetrë,n që kur Kosova shpalli pavarësinë. Nga stacioni i trenave “Leshak”, ata udhëtuan me autobus deri në Mitrovicë, për të vazhduar rrugëtimin nëpër Kosovë me një tren të organizuar nga hekurudhat e Kosovës.

Ideatori i këtij rrugëtimi Michaeel Fritch, thotë për DW se megjithë pengesat është i lumtur, që arriti të vizitojë shumë vende në Kosovë. “Problemet ishin të mëdha, por udhëtimi me tren ishte i mirë, argëtues. Kemi vizituar shumë vende. Kemi qenë në Fushë Kosovë, Han të Elezit, Pejë, kemi bërë fotografi të ndryshme, pra me një fjalë jemi kënaqur megjithë problemet që patëm në kufirin Kosovë-Serbi," thotë Michael Fritch.

“Patëm një problem të madh. Ne nuk mundem të udhëtojmë me trenin tonë nga Leshaku për në Fushë Kosovë, për shkak të problemeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me parë unë i kisha dërguar një letër elektronike presidentit të Kosovës, kryeministrit dhe ministrit të telekomunikacionit, nga të cilët kërkoja që të më lejohet të hyja me trenin tonë nga Serbia në Kosovë, por nuk kam marrë përgjigje. Letër i kam shkruar edhe ambasadës gjermane dhe përgjigjja e tyre ka qenë, se ekziston një problem politik me hekurudhat e Kosovës dhe ato të Serbisë, kështu që nuk mundem të të ndihmojmë. Për këtë jam i zhgënjyer," thotë Michael Fritch.

Mekaniku gjerman ka qenë edhe më parë në Kosovë. Ai ka ndihmuar hekurudhat e Kosovës me ngjyrosjen e lokomotivave. Këtë punë do ta bënte me dëshirë edhe në të ardhmen pavarësisht problemeve që pati në udhëtimin e tij drejt Kosovës. “Kur isha në Kosovë dy vjetë më parë dhe pash lokomotivat, ato ishin me një ngjyrë shumë të keqe. I thashë drejtorit të hekurudhave se këto lokomotiva duhet ngjyrosur. Më shikoi pak me dyshime dhe i thashë. Mirë, unë do ta bëjë këtë punë. Dhe e mbajta premtimin. Të hollat për ngjyrosjen e lokomotivave të Kosovës i sigurova nga shoqata e hekurudhave të Gjermanisë," thotë Michael Fritch.

Zyrtarëve nga hekurudhat e Kosovës u vjen keq që pasionantët evropianë të trenave nuk munden që më trenin e tyre të hynin në Kosovë. Besim Asllani, drejtor komercial në hekurudhat e Kosovës, thotë se Michael Fritch dhe shoqata e tij janë miq të Kosovës. “Ka dy vjet që ne kemi kontakt me këta persona. Ata dy vjet më parë në mënyrë vullnetare me materialin e tyre dhe pa të holla kanë bërë ngjyrosjen e tri lokomotivave të hekurudhave të Kosovës," thotë Besim Asllani.

Sidoqoftë, mekaniku gjerman i trenave Michael Fritch dhe miqtë e tij, megjithë problemet që patën në rrugëtimin e tyre, largohen nga Kosova me përshtypje të mira. Ata thonë se po tu jepet edhe një mundësi ata do të vizitojnë Kosovën sërish.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama