1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

011208 Kriegsverbrechertribunal Finanzierung

Xhevad Sabljaković, Zoran Arbutina 3 Dhjetor 2008

Çështje pagese - kush përfiton nga paratë që u jepen të akuzuarve për t´u mbrojtur në tribunalin e Hagës për krime lufte?

https://p.dw.com/p/G8bW
Kryeprokurori i tribunalit tö Hagës Serge Brammertz në SarajevëFotografi: DW

Një nga proceset më të rëndësishme të Tribunalit të Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi do të jetë ai kundër Milan dhe Sredoje Lukicit. Të dy fajësohen se kanë kryer krime të rënda në Vishegrad në vitin 1992. Dëshmitari i fundit i akuzës është Hamdija Vilic. Gruaja e tij dhe të dy fëmijët janë vrarë siç duket prej Lukicit. Kështu pohon akuza. Pikërisht ky Hamdija Vilic rrëfen tani se i janë ofruar 100.000 euro, në fakt në favor të të akuzuarit të parë Milan Lukic. Ky rast shtron pyetjen se kush dhe me çfarë parash financohen mbrojtësit e të akuzuarit dhe në bazë të cilave kritere shpërndahen ndihmat. Xhevad Sabljaković dhe Zoran Arbutina e trajtuan këtë temë.

Sredoje Lukic Haager Tribunal
Sredoje Lukic në tribunalin e HagësFotografi: AP


Kur është fjala për mbrojtjen e të akuzuarve para tribunalit të Hagës për krime lufte për ish Jugosllavinë (ICTY), atëherë të bie ndër mend një shprehje shumë e njohur në Ballkan: „Kadiu akuzon, Kadiu dënon“. Sepse nga buxheti i tribunalit të Hagës çdo vit jepen më shumë se trembëdhjetë milionë euro për mbrojtjen. Kjo si rjedhojë e parimeve të tribunalit, sipas të cilave çdo i akuzuar ka të drejtë t´i bëhet një proces i rregullt. Kjo theksohet edhe nga zëdhënësja e gjykatës Nerma Jelacic:

„Eshtë me rendësi të theksohet, se çdo person i akuzuar për krime lufte, ka të drejtë për mbrojtje juridike. Ai që nuk ka vetë mjete financiare të mjaftueshme, merr prej nesh ndihma për shpenzimet e procesit."

I akuzuari duhet të dëshmojë, se nuk ka të ardhura dhe nuk është në gjendje të paguajë avokatët. Vetëm pohimi nuk mjafton, thotë Jelacic, të dhënat shqyrtohen me kujdes.

„Kontrolli financiar nuk shqyrton vetëm deklaratat me shkrim të të akuzuarit për situatën e tij financiare, por shkon më tej dhe kryen hulumtimet e veta. Për këtë arsye vetëm afro një e treta e të gjithë të akuzuarve merr mbështetje të plotë financiare nga gjykata."

Carla Del Ponte
Carla Del Ponte, në një konferencë për shtyp në mars 2004Fotografi: AP

Por kush e ka siguruar një herë mbështetjen financiare të gjykatës, i ka të hapura të gjitha dyert per tek arka e tribunalit. Prandaj thuajse të gjithë të akuzuarit me ndonjë përjashtim të vogël përpiqen që të marrin nga tribunali për krime lufte mbështetje financiare për shpenzimet e mbrojtjes juridike.

Schomburg ist Richter am UN-Kriegsverbrechertribunal
Wolfgang Schomburg gjykatës në Tribunalin e HagësFotografi: DPA

Përjashtim këtu bënte ish presidenti i Jugosllavisë dhe më vonë i Serbisë, Slobodan Milosevic. Ai nuk e njohu aspak tribunalin dhe prandaj nuk pranoi para prej tij. As gjenerali i kroatëve të Bosnjës, Tihomir Blaskic, që i dënuar fillimisht me 45 vjet heqje lirie, falë një procesi apeli mundi ta reduktojnë dënimin në nëntë vjet, nuk ka bërë kërkesë për ndihmë financiare gjatë procesit.

Nëse që të dy kanë dhënë shuma të larta për mbrojtjen e tyre, kjo nuk dihet. Në të gjitha rastet e tjera, kur jepet ndihmë financiare, ajo bëhet publike. Mbrojtja e një të akuzuari i kushton tribunalit mesatarisht një gjysëm milioni në vit. Këtë shumë e marrin kryesisht avokatët, por edhe të akuzuarit nuk dalin bosh.

Në një analizë të brendshme para gjashtë vjetësh sekretariati i tribunalit vuri në dukje, se i akuzuari Zoran Zigic, një serb nga Bosnja, në katër vjetët e arrestit në tribunalin e Hagës ka "fituar" më shumë se 200.000 euro. Një pjesë e madhe të shumës e ka marrë për avokatët, avokatin Simo Tosic nga Banja Luka dhe Slobodan Stojanovic nga Beogradi dhe kjo për shkak – siç njoftoi sekretariati i tribunalit – të „një skeme tashmë të përpiluar për shpërndarjen e honorareve“.

Mbrojtja e Zigicit, i cili është dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasjen dhe torturimin e të burgosurve në kampin e Omarskës dhe Keratermit në Bosnjë-Herzegovinë, i kushtoi buxhetit të tribunalit afro një milionë e gjysëm dollarë. Para luftës Zigici kishte qenë shofer i zakonshëm taksije në qytetin e vogël boshnjak Prijedor. Tani gjatë procesit katërvjeçar ka dhënë vetëm në kantinën e burgut në Sheveningen rreth 33.000 euro. Por ky është një përjashtim dhe një skandal, në asnjë mënyrë rregulli, thekson zëdhënësja e tribunalit të Hagës:

„Rasti i Zigicit tregon se tribunali mëson nga gabimet e veta. Pasi u bë i njohur ky rast, janë ashpërsuar shumë kriteret, që i mundësojnë një avokati, për të punuar si mbrojtës në tribunal."

Megjithatë ka dëshmi se përpjekjet e ndonjë të akuzuari për t´u pasuruar nga tribunali nuk janë penguar krejtësisht. Kështu avokati amerikan Michael Karnavas në vitin 2004 akuzoi klientin e tij, Vidoje Blagojevic, për të ashtuquajturin „Fee-Splitting“. "Fee-Splitting" është një marrëveshje korruptuese, për të ndarë honoraret e mbrojtjes ndërmjet mbrojtjes dhe të akuzuarit. Më vonë Karnavas e tërhoqi këtë fajësim verbal, por ky rast tregon se në kushte të caktuara ia vlen të jesh i akuzuar në tribunalin e Hagës për krime lufte.

Zyrtarisht për këto nuk dihet asgjë, thekson gjykatësi i tribunalit Wolfgang Schomburg:

„Të gjitha këto thashetheme deri tani kanë rezultuar të pabaza megjithë investigimet intensive. Si gjykatës ne duhet të ruhemi nga spekullimet. Hetimet, që kemi ngarkuar të kryhen, nuk kanë nxjerrë asgjë. Në asnjë rast të vetëm nuk është vërtetuar se ekziston një "Fee-Splitting“ i tillë.“

I përgenjështruar për shkak të mungesës së dëshmive. Kështu mund të përkufizohej vendimi. Secili është i pafajshëm, derisa të jetë vertetuar e kundërta dhe secili ka të drejtë për mbrojtjen më të mirë, në këto dy parime bazë juridike orientohet edhe praktika e tribunalit të Hagës. Personave që nuk kanë mjete të mjaftueshme finanzare u jepet ndihmë për t´u mbrojtur. Fakti që disa përpiqen të bëjnë këtu shpërdorime, nuk e vë në diskutim regullsinë e kësaj mënyre të vepruari dhe parimeve të shtetit juridik.