1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trumpi viziton Brukselin

25 Maj 2017

Trumpi e ka akuzuar NATO-n se bën pak për të luftuar terrorizmin dhe e konsideron BE-në si të parëndësishme.

https://p.dw.com/p/2dXgz
Belgien "Trump not welcome" Marsch durch Brüssel | "Anti-Trump" aber "Pro-America"
Fotografi: DW/M. Christoph

Presidenti i SHBA-së Donald Trump po qëndron për një vizitë në Bruksel, të cilin pas sulmeve terroriste në mars 2016 e quajti "vrimë skëterre", sepse 60% e banorëve të Brukselit janë me origjinë emigracioni. Pas pritjes me bandë dhe qilim të kuq në aeroport ai pati një takim me mbretin Philippe dhe kryeministrin belg Charles Michel. Pas takimit ata nuk dolën para shtypit. 

Konflikte të pashmangshme me BE-në

Sot (25.05) nis programi i vizitës zyrtare. Trumpi do të takohet shkurtimisht me krerët e BE-së, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, sepse ai e konsideron BE-në si të parëndësishme. Ai do që të lidhë marrëveshje tregtare me secilin shtet më vete. Po kjo nuk lejohet prej ligjeve të BE-së, sikurse e sqaroi kancelarja Merkel Trumpin gjatë vizitës së saj në Uashington. Pasdite Trump-i do të takohet me presidentin e ri francez Emmanuel Macron për të biseduar për marrëveshje tregtare.

Belgien "Trump not welcome" Marsch durch Brüssel | "Stop Trump - Save the Planet"
Protesta kundër Trumpit në Bruksel Fotografi: DW/M. Christoph

Qëndrimi ndaj NATO-s

Më tej ai do të marrë pjesë në inagurimin simbolik të qendrës së re të NATO-s. Trumpi e ka akuzuar NATO-n se bën pak për të luftuar terrorizmin. Por shumë shtete të NATO-s e mbështesin prej kohësh SHBA-në në koalicionin anti-terror. Për shembull me sulme ajrore ndaj pozicioneve të IS-it.

Belgien Trump in Brüssel
Fotografi: picture alliance/dpa/B. Doppagne

SHBA-ja do të vazhdojë t'i mbështesë shtetet anëtare në rast nevoje, por presidenti Trump kërkon prej shteteve anëtare që t'i shtojnë buxhetet për mbrojtjen në masën 2% të prodhimit të brendshëm bruto. Diplomatët e NATO-s theksojnë se shtetet anëtare e synojnë një gjë të tillë, por ato nuk janë dakord me pretendimet e presidentit Trump që disa shtete i kanë borxhe të mëdha NATO-s. Sipas tyre NATO nuk është bankë dhe nuk ka buxhet të përbashkët mbrojtjeje.

Protesta kundër Trumpit në Bruksel 

Të mërkurën në qendër të Brukselit u mblodhën disa mijëra demonstrues. Demonstruesit kërkuan mbrojtjen e të drejtave të grave në SHBA dhe respektimin e lirive fetare nga Donald Trump, i cili dëshiron t'u ndalojë kryesisht myslimanëve dhe refugjatëve sirianë të hyjnë në SHBA. Për të garantuar sigurinë e Donald Trumpit dhe të familjes së tij janë angazhuar 4000 policë dhe 400 punonjës të Shërbimit Sekret të SHBA-së.

 

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE