1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trupa të BE-së në Kongo? - Belgjika përpiqet të ndërmjetësojë

Katrin Brand31 Tetor 2008

BE-ja ka vënë në dispozicion 4 milionë euro ndihmë emergjence për refugjatët dhe të dëbuarit në Lindje të Kongos. Në sfondin e krizës në Kongo, BE i përmbahet kursit të presionit diplomatik, thuhet në Bruksel.

https://p.dw.com/p/FkmT
Mijëra të dëbuar shkojnë drejt Gomasë në Lindje të Kongos, pamje nga 29 tetori 2008Fotografi: AP

Eshtë një jubile, që nuk festohet në Belgjikë. Përpara njëqind vjetësh Kongo ishte koloni e Belgjikës në pronësi private të mbretit Leopold i II-të. Leopoldi bëri kërdinë në koloninë e tij dhe që atëherë termi “Kongogräuel” është një koncept fiks që nënkupton shfrytëzimin dhe keqtrajtimin e vendasve. Në vitin 1908 Kongoja Belge u kthye në koloni të shtetit të Belgjikës, duke e pasuruar Belgjikën me kauçukun dhe me pasuritë e veta nëntokësore. Në vitin 1960 Kongo u bë e pavarur.

Belgjika angazhohet për paqen në Kongo

Kjo lidhje historike i nxit edhe tani politikanët belgë që të angazhohen për paqen në Republikën Demokratike të Kongos. Ministri i jashtëm Karl de Guht është nisur për në Kinshasa dhe mban kontakt të ngushtë me kolegët e tij të BE-së: “Ne jemi duke verifikuar, se në çfarë volumi është i mundur misioni evropian. Kjo do të zgjasë një farë kohe, sepse duhet të zhvillojmë konsultime. Por sidoqoftë do të ketë një projekt konkret."

Ky projekt konkret mund të konsistojë në dërgimin e ushtarëve të BE-së, mendon de Guht. Dy deri në tre mijë ushtarë duhet të kontribuojnë për mbikqyrjen e armëpushimit dhe të ndihmojnë organizatat e ndihmës që të kenë akses tek refugjatët dhe viktimat në nevojë. Kjo kërkesë mbështetet edhe nga ministri i jashtëm francez Kushner (Kouchner).

Një tjetër belg ndodhet qysh nga e mërkura në mbrëmje (29.10.) në Kinshasa. Lui Mishel, Komisioneri i BE-së për zhvillimin. Lidhur me dërgimin e trupave të BE-së, Mishel është skeptik: “Nëse krijohet mundësia për krijimin e një trupe paqeje, unë nuk them jo. Por ju e dini po aq mirë sa edhe unë, që është e vështirë të mobilizohet një trupë e tillë në nivel evropian.", u shpreh Lui Mishel për një radio belge. Ai i var shpresat tek zgjidhjet diplomatike dhe ndërmjetësimi e forca politike. Ky është aktualisht mendimi që dominon në radhët e BE-së. Lui Mishel do të takohet me presidentin Kabila, ndërsa kreu i diplomacisë evropiane Solana është në kontakt të vazhdueshëm me forcat politike në rajon. BE-ja në vjeshtën e vitit 2006 u angazhua me trupat e veta në Kongo me qëllim që të siguronte luftën elektorale.