1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia - ndërmjetësuese?

Baha Güngör14 Shkurt 2006

Dallimet midis Turqisë dhe Iranit dalin në pah edhe në konfliktin aktual për karikaturat e Khomeinit. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ofron një rol ndërmjetësues në këtë mosmarrëveshje. Sot (të martën) pritet në Ankara ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Steinmeier.

https://p.dw.com/p/Aqqv
Fotografi: AP

Turqia dhe Irani janë vende fqinj, të dyja kanë një popullatë në shumicën islamike- në rastin e Turqisë para së gjithash sunite, në rastin e Iranit kryesisht shiite. Megjithatë, dallimet midis të dyja vendeve nuk mund të ishin më të mëdha: Turqia është një vend laik që prej viteve '20 të shekullit të kaluar, në të cilin feja dhe shteti ndahen nga njëri-tjetri në mënyrë të rreptë dhe që synon të anëtarësohet në BE. Irani, që prej revolucionit të Khomeinit në fund të viteve 70 është një republikë islamike, në të cilën tonin e përcaktojnë forca kryesisht me orientim fetar.

Turqia, edhe njëherë tjetër midis të gjitha fronteve, ka zënë në konfliktin e karikaturave një pozicion deri tani të moderuar. Gazetarë të njohur lidhin aleancë me përfaqësues të gazetave kryesore të Evropës, për t'i bërë thirrje arsyes dhe për të mos e vënë në lojë dialogun e vështirë midis botës perëndimore dhe asaj islamike. Qeveria turke u është drejtuar veç kësaj edhe qeverive të disa vendeve islamike, u ka bërë thirrje për qendrim të moderuar, dhe ka kërkuar prej evropianëve që të mos e teprojnë.

Kjo në një kohë kur vetë në Turqi ka pasur protesta kundër botimit të karikaturave dhe riprodhimit të tyre në mediet evropiane. Por këto protesta mbetën paqësore. Megjithatë, në Anadollin Verilindor thuajse në të njëjtën kohë u arrestua një 16 vjeçar, që dyshohet si vrasës i një prifti katolik, të cilin besohet se ai e ka vrarë si hakmarrje për botimin e karikaturave. Por vëzhgues politikë presin që në procesin gjyqësor të dalë në pah se vrasja ka lidhje me të tjerë, me kriminelë të zakonshëm.

Turqia ndodhet me një këmbë politikisht, nga ana kulturore dhe vetë historike në Oksident, por me këmbën tjetër në Orient. Kjo është e veçanta e këtij vendi, i cili si asnjë tjetër është më të vërtetë në gjendje të shërbejë si gjymtyrë lidhëse midis botës perëndimore dhe asaj islamike. Turqia është vetë një shembull i mirë për faktin se edhe një vend islamik mund të shndërrohet me sukses në një demokraci të llojit evropian. Veç kësaj, Turqia është fort e inkuadruar në organizatat politike dhe ekonomike të Evropës, ajo bën pjesë në NATO dhe njëkohësisht, me popullatën e saj është pjesë e bashkësisë islamike botërore. Që sekretari aktual i përgjithshëm i organizatës së konferencës islamike është një turk i zgjedhur njëzëri, ky është një indikacion edhe për dëshirën e vendeve islamike, për ta pranuar Turqinë si ndërmjetësues midis kulturave.

Në konfliktin për karikaturat megjithatë Turqia nuk duhet të mbingarkohet me rolin e ndërmjetësuesit. Ndërmjetësimi më i mirë është i dënuar të dështojë, nëse palët në mosmarrëveshje nuk janë të gatshme të bien dakord për një emërues të përbashkët. Sa e madhe është kjo gatishmëri në të dyja palët, deri tani ka mbetur e paqartë.

Në këto rrethana vetëm mund të shpresohet që edhe në perëndim të bëhet dallimi midis protestave të vërteta dhe atyre të manipuluara- dhe që liria e shtypit, si një nga arritjet më të mëdha dhe të fuqishme të botës moderne të mos shpërdorohet edhe më tej për konfirmimin e paragjykimeve përballë kulturave të tjera.

Turqia mund të ushtrojë me siguri ndikim moderues ndaj botës islame, të lidhur ngushtë me të, ekonomikisht dhe politikisht. Por as Ankaraja nuk mund të nxjerrë me magji nga kapelja një recetë të gatshme për zgjidhjen e problemeve.